Kur Ilir Metës donin t'i hiqnin mandatin në '92-n

9 Prill 2015, 15:54Dossier TEMA

Parlamenti që solli për herë të parë në pushtet një forcë politike antikomuniste, kishte vetëm pak muaj jetë. Zgjedhjet e 22 marsit 1992 kishin prodhuar një maxhorancë të fortë të djathtë, por vetëm katër muaj më pas, balanca ndryshoi në mënyrë dramatike.

E majta, e njohur si trashëgimtare e partisë së punës, mundi të rikonfirmohet fort në zgjedhjet lokale të të njëjtit vit. Atëherë u komentua gjerësisht se një nga arsyet e kësaj përmbysjeje ishte ajo frymë e fortë revanshizmi dhe agresiviteti, ai lloj “komunizmi i djathtë”, i frymëzuar kryesisht nga ish-presidenti Berisha, një ish-komunist ortodoks për më shumë se gjysmën e jetës së tij të atëhershme.

Në tetor, një nga aktet e kësaj drame do të luhej me personazhe që do të përmendeshin gjatë dhe ende në historinë e pluralizmit shqiptar. Ilir Meta do të bëhej 23 vjet më parë deputeti i parë që do të vihej nën akuzë për nxitje të trazirave në Poliçan dhe nxitje të protestave të paligjshme. Ai do të shkonte në Poliçan, ku qytetarët kishin ditë që protestonin kundër mbylljes së kombinatit të armëve, që e nxirrte praktikisht gjithë qytetin të papunë.

Televizioni shtetëror, media e vetme elektronike e kohës kishte spekuluar duke i paraqitur demonstrimet si të frymëzuara nga komunistët dhe si një përplasje ideologjike. E asaj kohe është shprehja që beti pa autor se “Poliçani duhej të rrethohej si geto me tela me gjëmba”. Meta, deputet i dalë nga maxhoritari i kësaj zone, do të humbte imunitetin nga akuza, por më pas çështja u pezullua për mungesë provash.

Ky është teksti pothuaj i plotë që e boton revista JAVA.

 

22 tetor 1992, ora 17:00

 Nga Ilir Meta

I detyruar nga rezultati mekanik dhe i paramenduar i Komisionit të Mandateve, lidhur me kërkesën e Prokurorisë për heqjen e imunitetit tim, dal përpara këtij Parlamenti për të mbajtur qëndrimin tim publikisht për këtë aktakuzë dhe për motivet që e frymëzojnë atë. E theksoj se rezultati është plotësisht mekanik dhe i paramenduar, pasi Komisioni i Mandateve nuk vë asnjë argument për të mbështetur kërkesën e Prokurorisë dhe për më tepër nuk pranoi kërkesat normale të përfaqësuesve të Partisë Socialiste në atë komision që unë të paraqitesha në komision për të dhënë mendimin tim lidhur me aktakuzën apo nuk pranoi që të merrej në televizion intervista e dy ushtarakëve, dhënë televizionit në datën 27 gusht në mbrëmje, në të njëjtën kohë kur në këtë Parlament u zhvillua seanca për ngjarjet e Poliçanit.

Pra, komisioni refuzoi që të vendosë mbi fakte apo të pasurojë dokumente pro ose kundër kërkesës, po e mbështeti atë në shumicë votash, pa kurrfarë logjike, por në emër të sloganeve demagogjike për t’i hapur rrugë gjoja drejtësisë. Tashmë opinioni publik është i njohur dhe i qartë me ngjarjet e Poliçanit, me shkaqet e fillimit të tyre, me pasojat e tyre, rolin tim në këto ngjarje dhe të personave të tjerë. Së pari, çdo përpjekje të sforcuar që bëhet për të identifikuar personin tim në organizimin e këtyre ngjarjeve apo me pasojat që sollën ato është i dështuar, çka e vërteton edhe ndryshimi i akuzës që m’u bë në këtë Parlament nga ministrat e Partisë Demokratike për organizim dhe terror, me një akuzë fatkeqe qesharake që ushqehet nga logjika partiake dhe pasionet politike, nga interpretimet sofiste dhe jo nga interpretime juridike. Unë, personalisht, në ndërgjegjen time jam krejt i qetë për aktivitetin si deputet, por jam i shqetësuar për këtë provokacion të ri që i drejtohet Parlamentit Shqiptar, gjoja në emër të drejtësisë, e cila tani është kthyer në një çorape të grisur që kërkon të mbulojë këmbën e zezë të revanshizmit që po shkel çdo normë demokratike dhe njerëzore; ndaj edhe njëherë më duhet të përsëris aktivitetin tim si deputet në ngjarjet e 26 gushtit në Poliçan, në mënyrë që të ndihmojë ata deputetë që kanë nevojë të gjykojnë dhe jo të paragjykojnë për veprimtarinë time dhe aktakuzën që paraqitet. Në paraditen e 26 gushtit më lajmërojnë për trazira në Poliçan. Takohem me kryetarin e Komisionit të Mbrojtjes, zotin Hajdari dhe konkluduam që unë duhet të ndiqja situatën. Në drekë, në radio, dëgjoj lajme për demonstrime komunisto-enveriste, si dhe për kapjen peng të dy ushtarakëve. Duke ndjerë përgjegjësinë morale për votën e marrë nga ai popull, për situatën dhe pasojat që mund të vinin, mora masa dhe u nisa urgjentisht në Poliçan, ku mbërrita rreth orës 21:00. E gjeta Poliçanin në një situatë mjaft të acaruar, pasi ishte bërë konfrontimi i qytetarëve me forcat e rendit, që kishte sjellë si pasojë dëmtime fizike nga të dy palët. Gjëja e parë që bëra, me të vënë këmbën në Poliçan, u drejtova te ndërtesa e rendit publik, ku bisedova me nënkryetarin e rendit për të liruar dy personat e quajtur pengje nga radiotelevizioni dhe për t’i prerë rrugën një konfrontimi të mëtejshëm të forcave të rendit me qytetarët e irrituar. Kryetari i rendit më tha se e kishte të vështirë të më ndihmonte; atëherë u nisa te sheshi ku ishin mbledhur mijëra njerëz dhe publikisht u kam kërkuar qetësi, të respektojnë ligjet dhe të lirohen dy personat e quajtur pengje.

Reagimi i qytetarëve ishte se Radiotelevizioni kishte mashtruar, se gjoja ata kishin dalë me portretet e Enver Hoxhës apo me parulla komuniste, kishte mashtruar se ata kishin rrëmbyer apo kapur peng dy persona, por vetëm se kishin protestuar para zyrës së kryetarit të bashkisë, ku ishin futur dy ushtarakët, njëri prej të cilëve ishte Kryetar i Rendit të Skraparit, të cilin qytetarët e fajësonin për arrestimet e paligjshme dhe të dhunshme, që ishin bërë natën ndaj personave të pafajshëm.

Qytetarët deklaronin se u kishin bërë thirrje ushtarakëve që të dilnin, por në kushtet e rritjes dhe tensionimit të situatës, pas deklaratave provokative dhe të gënjeshtërta të radiotelevizionit, ishte e vështirë dalja e dy ushtarakëve pa eksese.

Qytetarët e Poliçanit kërkonin që dy personat të lëshonin një deklaratë për t’iu kundërvënë mashtrimeve të televizionit, pasi ishin të shqetësuar se mos dy personat, pas largimit të tyre, do t’i detyronin të depononin të kundërtën e asaj që kishte ndodhur. I nisur nga Tirana me informacionin e radios, me të cilin kam operuar derisa u ballafaqova me informacion të ri, krejt të kundërt me të parin, vendosa të takohem me të dy personat dhe të bisedoj për mënyrën e zgjidhjes së situatës sa më shpejt dhe pa probleme.

Për sa i përket asaj se çfarë kam biseduar me dy ushtarakët, e cila përbën dhe objektin e vetëm të akuzës që më bëhet, është më mirë që të dëgjoni intervistën e dy ushtarakëve dhënë televizionit në mbrëmjen e 27 gushtit, në të njëjtën kohë kur ne diskutonim për ngjarjen e Poliçanit dhe unë u akuzova si terrorist.

…Thelbi i aktakuzës së zëvendës­prokurorit, i cili është fantazist dhe i pabazuar, konsiston në telepatinë e tij se unë e kam ditur që nuk duhej t’u kërkoja deklaratë dhe duke bërë këtë kam dashur të mbuloj krimin e disa personave ndaj dy ushtarakëve. Në përgjigjet e tij me shkrim, drejtuar Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, të cilat janë të rezervuar për personat që kanë dëshirë t’i shohin, ai thotë se: “Ilir Meta, i paraqitur me cilësinë e tij si deputet, duke qenë i ndërgjegjshëm se dy ushtarakëve u është hequr liria në mënyrë të pandërgjegjshme nga personat pjesëmarrës në grevën e Poliçanit, u ka kërkuar deklaratë atyre se nuk ishin mbajtur peng. Nga kjo del se ai ka mbështetur kërkesën e turmës për të siguruar të dhëna të rreme që fshehin fakte, që ndaj tyre është kryer një vepër penale e bërë me qëllim që fajtorët t’i shmangen përgjegjësisë penale.” Së pari, këtu abuzohet me mendjelehtësi ndaj faktit se unë u nisa në Poliçan me informacionin e radios. Të dy personat ishin kapur peng e ishin keqtrajtuar, por kjo në kushtet e mungesës së një informacioni tjetër dhe fakteve konkrete nuk mund të më ndërgjegjësonte se ishte ashtu siç thoshte radio, për më tepër ndërgjegjësimin për këtë problem ma vinte në dyshim ajo pjesë e informacionit se forcat enveristo-komuniste kishin dalë me portretin e Enver Hoxhës dhe parulla komuniste. Këto të fundit nuk i kam besuar me ndërgjegje dhe nuk i besoj se mund të ndodhin në Shqipëri dhe kjo më jepte të drejtën morale t’i vija pikëpyetje dhe pjesës tjetër të informacionit për të cilën zëvendës­prokurori ka dëshirë të më bëjë të ndërgjegjshëm me pahir. …zëvendësprokurori plot kompetencë ndalon në katër pika, të cilat, sipas tij, janë të mjaftueshme për të dhënë fakte për të justifikuar kërkesën e tij. …kërkesa që bëhet nuk bazohet në asnjë fakt real. Ajo nuk ka asnjë mbështetje ligjore, por është thjesht një montim politik. Këtë akuzë unë e shoh në kuadrin e politikës së justifikimit dhe dështimit që po ndjekin qarqet revanshiste, por vetë fakti që kërkojnë të kapen në boshllëk tregon se janë në një krizë të madhe, të cilën kërkojnë ta shkarkojnë te të tjerët, sot tek unë. Çdo diktaturë ka si domosdoshmëri për të përligjur veten, demagogjinë. Dhe nuk është e rastit që avokatët e diktaturës së Enver Hoxhës po bëhen dhe avokatët e revanshizmit.

Kjo tregon se në këtë Parlament nuk ka vetëm antikomunistë, nuk ka vetëm ish-komunistë, por ka dhe komunistë të pandreqshëm, pavarësisht nga kapelat që ndërrojnë çdo ditë. Unë jam i qetë se jam në rregull, kur shoh se ata që po drejtojnë sulmet kundër meje në Parlament, në radiotelevizion, nëpër gazeta etj. e kanë filluar aktivitetin e tyre politik duke qarë për të hyrë në Partinë e Punës, për t’u bërë ambasadorë dhe shërbëtorë të bllokut, ndërsa unë e kam filluar veprimtarinë time politike duke u konfrontuar me Partinë e Punës dhe duke luftuar për demokraci. Ne të gjithë i përkasim një populli që ka kujtesë të fortë dhe kujtesa më ngacmon. Ndaj nëse për veprimet antidemokratike të Enver Hoxhës u deshën dekada për t’i gjykuar, veprimet antidemokratike të sotme do të gjykohen shumë më shpejt. Dikush mund të thotë se mund të ishte në dinjitetin tim, që të kërkoja që të më hiqej imuniteti për të sqaruar të vërtetën e për të marrë pafajësinë, por fatmirësisht e vërteta dhe dinjiteti im janë të padiskutueshëm, sepse veprimet e mia kanë qenë publike dhe unë s’kam ndonjë kompleks fajësie që të kërkoj pafajësi. Imunitetin tim unë nuk e kuptoj si privilegj, pasi deputeti mund të jetë i pari që të përgjigjet para ligjit, por unë jam deputet i një partie opozitare dhe si i tillë imuniteti nuk mund të shërbejë për shfajësime, por vetëm për të mbrojtur nga montimet e kundërshtarëve politikë, që sot kanë pushtetin. Pyes: ku e gjejnë të drejtën morale të më gjykojnë mua, që s’kam shkelur asnjë ligj, ata persona që pengojnë të hapin dosjet e këtij Parlamenti për të prezantuar fytyrën e vërtetë të tij?

7 komente në “Kur Ilir Metës donin t’i hiqnin mandatin në ’92-n”

  1. analist-politolog Nurellar-Beu says:

    Sa i shemtuar qe eshte muti…

  2. taip shkodrani says:

    njeriu me negativ qe ka njohur shqiperia

  3. Tili says:

    Ti Ilir je zgjatim atavik i loqes së Ramizit, flet ti per demokraci kuku kuku!!

  4. Skrapari says:

    Rruin topet metes

    1. Patriot says:

      Topet ja rruajne skraparllinje si puna juaj,se te tjeret shume shpejt do te gezohen kur ta shohin meten ne bangen e akuzesi s pjese e skenareve te peshtire superorruptiv e kriminal te buces komuniste.

    2. berti says:

      O skrapari shko rruaji koken ketij bashkfshatarit tend se koke e tope njesoj i ka ky Likja yt…Pastaj merja dhe ne goje po deshe se ju heq dera ju per gojore…

  5. gjovi says:

    eshte shum i pa deshirushem nga populli ky njeri eshte bere shum i neveriqshem ,,,ky duhet te largohet sa me shpejt nga politika shqiptare ,,,,turp populli qe nuk e shporr kete e shum si puna e ketij,,,

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje