Paguajnë prej 30 vjetësh, por nuk votojnë!

22 Qershor 2020, 18:48Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Nëse ka një detyrim të hershëm dhe të papërmbushur (të tillë klasa jonë politike ka plot në fakt), ka qenë ai votës së emigrantëve shqiptarë me të drejtë vote. Mbi një milion shqiptarë të ikur gjatë gjithë harkut 30 vjeçar pas rënies së komunizmit, të cilët jetojnë sot në Evropë, SHBA e deri në Australinë e largët, nuk mund të votojnë, kryesisht për shkak shkaqe banale, që lidhen më së shumti me infrastrukturën elektorale dhe me frikën e partive për manipulimin e votave që ata mund të sjellin me postë apo në rrugë të tjera. Megjithëse këtë e bëjnë të gjitha shtetet demokratike, të cilat përfshijnë rregullisht shtetasit e tyre jashtë vendit, në në të gjitha zgjedhjet që mbahen aty.

Vota e emigrantëve duhej diskutuar e rakorduar qysh në ditën e parë të punës së Këshillit Politik që po merret me reformën elektorale. Mesa duket të gjithë ata që ngrohin karrigen në atë tryezë e kanë skartuar tashmë votën potenciale të qindra mijë shqiptarëve që banojnë jashtë vendit, si një koeficient të paqenë, si një shifër fantazëm që nuk meriton të llogaritet askund. E ndërsa listat e votuesve tanë nëpër qytetet e fshatrat janë të mbushura me emra personash që s’e kanë mundësinë të ushtrojnë të drejtën legjitime të votës, në vend të tyre kanë “votuar” manipulatorët e votave, të cilët i gjen me bollëk në të gjitha shtabet elektorale të partive shqiptare.

Vota e emigracionit është pengu i madh i zgjedhjeve tona, që nga agimi i hershëm i demokracisë në këtë vend, në vitin e largët 1991, kur u votua në sistem shumëpartiak. Një peng që ka ardhur duke u fryrë me kalimin e viteve, sa më shumë që fryhej edhe fenomeni i largimit nga Shqipëria. Sot, edhe po të banosh matanë malit të Gramozit, diku në fshatrat greke të kufirit, s’e ke mundësinë të votosh për ata që do të drejtojnë vendin tënd, megjithëse gjeografikisht nuk je më larg Tiranës, sesa banorët e Kukësit, Sarandës apo Tropojës.

Qindra mijë shqiptarë kanë ushqyer me bukë për dekada të tëra vendin që lanë pas. E kanë ushqyer në kuptimin më bazik të fjalës. Remitancat e tyre kanë derdhur miliarda euro në ekonominë e varfër shqiptare, ato kanë financuar shkollën, shtëpitë apo ushqimin mujor të qindra mijë njerëzve në çdo cep të këtij vendi. Nuk është e drejtë që këtyre shqiptarëve punëtorë dhe solidarë me Shqipërinë dhe familjet e tyre, t’u hiqet prej 30 vjetësh e drejta e votës.

Emigracioni shqiptar e ka “blerë” me gjak e me djersë, nëse do të përdornim një term banal për rastin në fjalë, të drejtën për të votuar për të ardhmen e vendit të vet. Çdo koment malinj se këta s’paskan më të drejtë të votojnë, pasi i kanë kthyer shpinën Shqipërisë, është sa banal aq edhe i padrejtë.

Politika e Tiranës ka për detyrim madhor që të sigurojë të drejtën e votës, për të gjithë ata shqiptarë që dëshërojnë ta ushtrojnë këtë të drejtë, apo që munden të votojnë nga pikëpamja ligjore. Sepse kësisoj zgjedhjet shqiptare do të fitonin edhe një prurje votuesish, të cilët për arsye edhe të ambjentit ku jetojnë, edhe të shoqërive të hapura e të zhvilluara ku kanë kaluar një pjesë te jetës së tyre, mund të jenë disa herë edhe më të ftohtë e objektivë në votim, sesa ne këtu, që e jetojmë me pasion sherrin politik. Një demokraci e votuar nga më shumë zgjedhës, është një demokraci më solide.

11 komente në “Paguajnë prej 30 vjetësh, por nuk votojnë!”

  1. Likja says:

    Gabimi me fatal nese ajo pjese e popullsise nuk paguan taksa dhe ka dynenshtetesi ,te votoj per fatin tim.

    1. Arber says:

      Taksat i ka paguar edhe per ty me 1 nenshtetesi biles edhe gruaja e Bashes eshte hollandeze dhe djali i mustaqes Nishani vetem austriak. Keta po vjedhin presin dhe ti merresh me taksat e emigranteve!

      ….se 1/3 e popullsise ne moshe aktive eshte duke sjelle me shume se 1 miliard euro per cdo Vit.. 30 vjet!
      Do taksa? Remitancat jane te taksuara sepse qarkullojne ne ekonomi formalisht
      Pastaj mos te ishte per emigarntet ku do ishe ti?
      Apo harrova se cdo 4 vjet ju premtojne 300.000 vende pune … dhe pastaj NUK KA PROFESIONISTE po po te hashashit

  2. Niku says:

    Kur diaspora kerkon te drejten e votes, nuk behet fjale vetem per te ikurit e 30 viteve te fundit, behet fjale per gjithe diasporen, ata te ikurit para e pas lufte qe ose s’kane jetuar asnje dite ne Shqiperi, ose iken qe te mos binin ne duart e komunisteve, ose u arratisen gjate monizmit, etj. Nese ne nuk jetojme ne Shqiperi nuk kemi pse te votojme, vota ju takon atyre qe jetojne aty, qe preken me afer nga politikat ekonomike dhe taksat. Une taksat e mia I paguaj aty ku jetoj dhe te drejten per kerkese llogarie e kam ndaj perfaqesuesve te qytetit apo zones sime. Perndryshe, do dalin gjithe shqiptaret, kosovaret, shqiptaret e Malit te Zi e Maqedonise qe jetojne ne ShBA, Australi, Kanada, Evrope, e vende te tjera me te drejte vote. Per cfare duhet kjo? Nese nuk jeton ne Shqiperi, ose nese nuk ke investuar ne bizenese ne Shqiperi, nuk ka perse te votosh ne ate vend.

    1. Toni says:

      Kujte i plasi ka….ri me votu ne Shqiperi se mos numrohen votat atje.Partite politike vendosin me u zgjedhe edhe si me u zgjedhe sa me u zgjedhe cila parti e ka radhen etj etj etj.Ne gjithe boten demokratike jane njerezit qe vendosin me zgjedhe partine fituese kurse atje jane partite pa antare (Perveç hajnave e budallenjeve)qe vendosin, po hajt ma se jane mesuar shqiptaret 50 vjet çthote partia ben populli.Sa per emigrandet qe eshte pjesa ma vitale e asaj popullsie (jo vetem shqiptaret po te gjithe emigrantet e botes ne shekuj qe sakrifikojne te ikin sepse nuk i durojene sistemet totalitare corruptiese ne çdo qelize i lene vendet e tyre e prandaj sot shtetet qe jane ndertuar prej emigrandeve si USA Australia new Zelande Canada jane shtetet ma demokratke ne bote)pra edhe njehere se emigrandet shqiptare edhe kur kane qene atje nuk kane votuar ndoj here se e dinin qe votat e tyre ne novojtore do te shkonin e tash qe jane jashte nuk ju bjen nermend me votu se jane ne pune e skane koke e e dijne mire ku ju shkon vota……. (vetem ndojnje qe ka ardhe me lek kendej e po i mbarohen e don me ardhe me vjedh prap se i ban PD LSI PS prape drejtora vetem ata mund te votojne).

    2. Arzt says:

      Po ik o pallë… Nuk është çeshtje deshire personale e jotja por çeshtje e drejtë kushtetuese.

    3. Niku says:

      Ti që përdor emrin tim, e ke gabim. Bëhet fjalë vetëm për ata që e kanë emrin të rregjistruar në gjëndjen civile. Nuk ka lidhje me taksat, sepse ka njerës të rregjistruar që nuk punojnë, ose punojnë dhe taksat I paguajne në vendet e tjera dhe nuk ka lidhje me të ardhurat. Pra të drejtën e votës nuk ja jep paraja, por ja jep rregjistri I gjendjes civile.

  3. Aleksander says:

    Jam Shqiptar, dhe kam 29 vjet qe nuk jetoj ne Shqiperi, kam te drejte te votoj , per çdo sherbim qe me jep Shqiperia u paguaj taksat ne Shqiperi, mos doni tju paguajme Juve edhe taksa per rrogen qe marrim ktu?

    1. Vendimi says:

      E pse jo?! Izraelin emigrantët e bënë IZRAEL. Edhe kosovarët e emigracionit paguanin gjatë qeverisë Rugova. Nëse e doni kaq shumë Atdheun. Si do të bëhet ky vend? Vetëm me punën dhe taksat e atyre që jetojnë brenda?

  4. Vizioner says:

    Zotnia juaj, Minxhozi.

    Mendoj se kjo Teme “Vota e Emigranteve”, eshte ceshtja me pa sens qe diskutohet.

    Une kam 30 vjet qe jam larguar nga Shqiperia (me Ambasadat) dhe kam nenshtetesi te vendit ku jetoj.
    Jetoj, punoj, paguaj taksat, i integruar ne jeten Sociale, shoqerore e Politike te vendit ku jetoj.
    Me shume se gjysma e jetes, sidomos, koha me dominuese e pjekurise e kam kaluar ketu ne vendin ku jetoj.
    Ne Shqiperi vij/me, sipas rastit e mundesise cdo dy,tre apo mbas kater vjetesh me shume per te takuar ndonje te afert te families, nje jave apo dy. Kalojme pushimet ashtu sic i kalojme rendom edhe ne vende -shtete te tjera.

    Pra, me dy fjale: Jeten e kam dhe e jetoj ne nje shtet qe kam zgjedhur dhe jo ne Shqiperi.

    Si rrjedhoje shtrohet pyetja ose shtroj pyetjen: Me cte drejte Morale duhet te influencoj une, me Voten time, ne jeten Politike te Shqiperise dhe aq me shume, ne jeten e shqiptareve???!!!

    Jane ato, shqiptaret qe jetojne ne Shqiperi, te zgjedhin nga te cilet Duan te qeverisen.
    Jane ato qe, do te kene e perjetojne direkt pasojat e Votes time.

    Jane ato qe, duhet te vendosin per fatin e tyre dhe, jo ne ketej larg, nga “Parajsa”!
    Nuk kane te drejte Morale Shqiptaret qe jetojne ne mireqenie (ne nje jete sociale e Politike te sigurte), te influencojne ne jeten e atyre qe me zor sigurojne minimumin. Qe nuk kane siguri sociale e shoqerore!

    Une, edhe ne qoftese do te vihet Ligji qe te votojme dhe ne ketej jashte, nuk do te votoj. Nuk mund ti jap dot vetes te drejten Morale te Influencoj ne jeten e shqiptareve e te vendit ku kam lindur, por qe me deshire kam zgjedhur nje Shtet tjeter.

    Cili Shqiptar qe Jeton jashte Shqiperise, edhe po doli Ligji, po te kete Moral, nuk duhet te votoje.

  5. Pipëtima says:

    Po të votojnë emigrantët, i bie që të na thonë se cilin kryeministër apo kryebashkiak të kemi mbi kokë. E nëse na del keq, kujt t’i qahemi?! Ç’punë kanë ata se si e duam qeverisjen ne?! Sa për paratë që dërgojnë është problem personal e familjar i tyre, meritojnë respekt e mirënjohje (nga familjarët e tyre) por jo t’u japim në dorë pushtetitn dhe qeverisjen tonë.

    1. Arzt says:

      Se deri tani që Nuk kanë votuar emigrantët e keni ndritur ju pakikarët trumykur

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje