Nuk është Besa!

24 Qershor 2020, 09:06Politika TEMA

I nderuar z. Lleshaj,

E çmoj që i dilni në krah znj. Besa Shahini, ministres së arsimit, koleges suaj në kabinetin e sotëm qeveritar, për ta mbrojtur atë nga ata “burra” (ndër ta edhe ndonjë profesor), që e sulmojnë me fjalë fyerëse. Sulme të tillë janë nën dinjitetin e një profesori të vërtetë dhe nuk i bëjnë nder askujt. Unë, sidoqoftë, nuk jam dakord që ju t’i cilësoni me një emër kolektiv si “skizofrenë” të gjithë ata që mbajnë një qëndrim kritik ndaj ministres së arsimit, ose ndaj praktikave të gabuara të Ministrisë së Arsimit. Ndër ta mund të ketë edhe ndonjë “egomaniak”, por kurrsesi nuk mund ta cilësoni “skizofren” këdo që, në një shoqëri të hapur, kritikon autoritetet. Ky është kuptimi popperian i një shoqërie të hapur, dhe ju, besoj, e dini këtë.

Unë nuk kuptoj, gjithashtu, pse, sipas jush, kritikat ndaj ministres aktuale të arsimit burojnë nga një “zell i turpshëm” dhe jo nga shqetësime reale e të sinqerta për gjendjen e shkollave tona dhe të sistemit arsimor në vendin tonë. Znj. Shahini është relativisht e re në detyrën e saj, ndërsa problemet e arsimit në Shqipëri janë të akumuluara për një periudhë të gjatë. Edhe të tjerë, gra e burra, që e kanë drejtuar atë dikaster, janë kritikuar kur punët nuk kanë vajtur mbarë. Përse duhet znj. Shahini të jetë imune ndaj kritikave që i bëhen publikisht?

Znj. Shahini nuk është një përjashtim, siç përpiqeni të argumentoni ju. Ju thoni se “Besa sulmohet sepse është një rast ndryshe”! Ndryshe, në ç’kuptim? Ngaqë ajo ka fituar një gradë Bachelor nga York University (në Toronto) dhe një Master nga Hertie School of Government (në Berlin)? Kjo e bën atë një “rast ndryshe”?! Janë me mijëra vajza e djem shqiptarë që kanë kryer shkolla edhe më të mira se këto në Perëndim por, kur kthehen në Shqipëri (nëse kthehen), nuk gjejnë mundësi të punësohen, për të mos thënë se ka edhe ndonjë, që, edhe pse është kthyer nga Britania e Madhe me një PhD, është ende i papunë në vendin e vet.

Znj. Shahini nuk është aspak një “rast ndryshe”, një outlier, por një rast krejt i zakonshëm, përderisa është i ngjashëm me mijëra raste të tjerë. Atë nuk e bën një rast “të veçantë” thjesht fakti se “nuk ka studiuar në ndonjë nga universitetet tanë”, siç thoni ju. Madje, një pretendim i tillë është denigrues e përçmues për ata dhjetëra ose qindra mijëra shqiptarë, të cilët, ndër vite kanë kryer studimet e larta në universitetet shqiptarë, shumë prej tyre thjesht sepse nuk kanë pasur mundësi të arsimohen jashtë vendit. Si njëri prej anëtarëve të kabinetit qeveritar të kësaj republike, juve nuk ju lejohet t’i denigroni—as si individë, as kolektivisht—në këtë mënyrë bashkatdhetarët tuaj. Mijëra mjekë, inxhinierë, agronomë, ekonomistë, mësues, artistë të shquar kanë kryer studimet universitare e pasuniversitare në Shqipëri dhe i kanë dhënë ekonomisë dhe kulturës së këtij vendi vlera të shumta.

Ju me të drejtë vini në dukje se, në cilësinë e ministres së arsimit, znj. Shahini “nuk ka pasur kohë për ta prishur cilësinë e shkollës sonë”, pra, edhe nuk mund të konsiderohet përgjegjëse për këtë. Por ju nuk keni aspak të drejtë kur përpiqeni ta shfajësoni ministren, duke thënë se “të gjithë ata skizofrenë që shajnë Besën për provimin e maturës duhet ta dinë se atë nuk e ka formuluar ajo, por studentët që kanë dalë nga shkolla që Besa ka pasur fatin të mos i bëjë”.

Edhe këtu gaboni, z. Lleshaj. Së pari, thashë e dhe më lart, jo kushdo që mendon ndryshe, që mban një qëndrim kritik ndaj çështjes së provimit të maturës së këtij viti ose ndaj reagimeve të znj. Shahini për atë provim mund të jetë “skizofren”. Për më tepër, cilësimi dhe stigmatizimi kolektivisht i një grupi njerëzish si “skizofrenë” është tërësisht i gabuar dhe i patolerueshëm, edhe kur këtë ju e bëni në cilësinë e një qytetari dhe jo në cilësinë e një ministri.

Së dyti, nuk duhet të jesh një “skizofren” që të mos e dish se hartimi i provimeve të maturës nuk është një punë që e bën (ose me të cilën merret) vetë ministrja e arsimit si person. Kjo është një e vërtetë shumë e thjeshtë për këdo që ka dy para mend në kokë dhe është mungesë prudence nga ana juaj ta përdorni si një argument. Kjo, sidoqoftë, nuk e zhvesh aspak ministren e arsimit nga përgjegjësia e drejtpërdrejtë për të ushtruar kontroll mbi procesin e përgatitjes së provimeve të maturës, mbi ata që e kanë detyrë organike të merren me këtë proces dhe të përzgjedhin njerëzit që ngarkohen të formulojnë pyetjet e provimeve.

Në një burokraci moderne, strukturat dhe rregullat që organizojnë, menaxhojnë dhe kontrollojnë veprimtarinë e institucioneve janë standarde e të mirëpërcaktuara, siç janë edhe ndarja formale e detyrave, e roleve dhe e kompetencave, marrëdhëniet hierarkike dhe lidershipi. Të paktën që nga koha e Weber-it, këto konsiderohen kushte esenciale për funksionimin normalisht të çdo organizate moderne. Në rastin konkret, përgjegjësia nuk mund t’u lihet vetëm atyre njerëzve që i kanë formuluar pyetjet e palogjikshme të provimit, por edhe atyre nëpunësve të ministrisë që drejton znj. Shahini, që i kanë përzgjedhur ata.

Jam tërësisht dakord me ju, z. Lleshaj, se cilido që kupton sadopak nga arsimi e di mirë se “efekti i politikave të reja në arsim nuk mund të arrihet për një apo dy vite”. Në vlerësimin zyrtar mbi Raportin përfundimtar për Reformimin e Arsimit të Lartë dhe të Kërkimit Shkencor, që mua më është kërkuar të hartoj në korrikun e vitit 2014, kam argumentuar se “arsimi i lartë nuk jep rezultate në tremujorin e ardhshëm, as në dy ose në pesë vite; ai ka të bëjë me inovacione dhe zbulime që mund të kërkojnë dekada të tëra”. Në atë raport, kam theksuar gjithashtu se “rezultatet e plota të kësaj reforme do të mund të shfaqen vetëm pas formimit të një brezi të ri shqiptarësh, që e nisin shkollimin e tyre në klasë të parë vitin e ardhshëm (pra, më 2015) dhe i përfundojnë studimet universitare aty rreth vitit 2030.

Unë kam qenë dhe jam i bindur se një reformim i vërtetë i sistemit tonë arsimor, sidomos i arsimit universitar, do të kërkonte ndryshimin e vetë kulturës institucionale të universiteteve tanë, duke ndërhyrë në ata aspekte që mund të quhen “gene institucionalë” të universitetit. Këta “gene”, siç besoj edhe ju e dini, janë egoistë; ata priren të riprodhojnë vetveten besnikërisht, madje edhe në dëm të mirëqenies së institucionit dhe të mbarë shoqërisë, çka do të thotë se zbatimi në praktikë i reformës së arsimit të lartë do të ishte qysh nga fillimi i vështirë. Por, të paktën, hapi i parë—ai që synonte dhe bëri të detyrueshëm ndryshimin e koncepteve, të politikave e të praktikave të deridjeshme në institucionet e arsimit të lartë—u hodh. Jo siç kishim dëshiruar shumë prej nesh, që e kërkuam dhe e mbështetëm fuqimisht këtë reformim, por, sidoqoftë, reforma nisi.

Ajo për çka unë nuk pajtohem me ju është pikëpamja juaj gati mesianike që “përpjekjen për pak modernizim në një sistem të shkatërruar gjatë tri dekadave” ia njihni si meritë vetëm znj. Shahini. “Është fat”, thoni ju, “që ajo po përpiqet për një impuls modernizues në një sistem të mbështetur tek indoktrinimi, ku studentët trajnohen vetëm për të përsëritur, por kurrë për të menduar”.

Kundërshtimi im ndaj pikëpamjeve tuaja nuk është politik, sepse politikisht, ju dhe unë qendrojmë në të njëjtin krah. Kundërshtimi im ndaj pikëpamjeve tuaja nuk është as folklorik, edhe pse unë e gjej pa vend deklarimin tuaj se “si kosovare”, znj. Shahini është “po aq, në mos më shumë shqiptare” sesa ata që e kritikojnë punën e saj.

Kundërshtimi im ndaj pikëpamjeve tuaja është akademik—kryesisht sociologjik—dhe ju siguroj se mbështetet jo vetëm në dituritë e fituara në një prej universiteteve më të mirë të Shteteve të Bashkuara, ku kam fituar gradën PhD, por edhe në një eksperiencë akademike gati 40-vjeçare, në Shqipëri dhe në pesë universitete perëndimorë shumë të mirë, në të cilët, për 13 vite me radhë kam dhënë mësim.

Një njeri i vetëm, edhe më i mençuri mbi dhé, nuk mund ta modernizojë një sistem arsimor tejet të prapambetur. Znj. Shahini, sigurisht, nuk është njeriu më i mençur, as administratorja më e mirë e çështjeve të arsimit në vendin tonë dhe, për më tepër, ajo nuk është e para që është përpjekur t’i japë “një impuls modernizues” sistemit tonë arsimor.

Kaq shpejt e harruat kolegen tuaj socialiste, znj. Lindita Nikolla? Reforma e vërtetë për modernizimin e arsimit të lartë në vendin tonë nisi në vitin 2014, në kohën kur znj. Nikolla drejtonte Ministrinë e Arsimit. Hapat e parë seriozë për reformimin dhe modernizimin e sistemit u hodhën pikërisht nën drejtimin e saj—verifikimi i përmbushjes së kritereve ligjorë për të gjithë institucionet e arsimit të lartë dhe mbyllja, mbi këtë bazë, e atyre “universiteteve kioska”, siç i quani ju, që kishin dhënë deri atëherë mijëra diploma pa vlerë; miratimi në vitin 2015 i ligjit të ri për arsimin e lartë, ardhja për herë të parë, në vitin 2016, e një agjencie të huaj për akreditimin institucional të të gjithë institutioneve publikë dhe jopublikë të arsimit të lartë etj.

Të gjitha këto arritje, dhe pse realizimi i tyre ndeshi me kundërshtimet e atyre që nuk e donin, ose i trembeshin reformimit të sistemit të arsimit të lartë, mbajnë emrin e znj. Nikolla, jo atë të znj. Shahini. Për më tepër, znj. Nikolla dhe ministria e arsimit, kur ky dikaster drejtohej prej saj, kultivoi kulturën e dëgjimit e të dialogut me drejtuesit e institucioneve të arsimit të lartë, kulturë e cila duket se është krejt e huaj për ministren aktuale. Ju, z. Lleshaj, si qytetar mund të mos e dini se, nën drejtimin e znj. Shahini—dhe për shkak të saj—procesi i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në vendin tonë përkohësisht është pezulluar. Por, si një anëtar i kabinetit qeveritar, një fakt i tillë duhej të ishte në dijeninë tuaj.

Në vend që ju, z. Lleshaj, edhe pse, siç pohoni vetë në fund të komentit tuaj, i zhveshur nga pozita e ministrit të brendshëm, t’u kërkoni me prepotencë atyre që e kritikojnë zonjën ministre të bëhen “burra” dhe “të heshtin”, ndoshta do të ishte mirë që, si qytetar dhe si njëri prej anëtarëve kryesorë të kabinetit qeveritar, të konsideronit seriozisht shumë nga çështjet që pengojnë reformimin e mëtejshëm të sistemit tonë arsimor dhe dhjetëra mijërat e të rinjve shqiptarë që kërkojnë një  shkollim më të mirë dhe kushte më të mira pune e jetese në vendin e tyre.

Miqësisht,

Prof. Fatos Tarifa, PhD

12 komente në “Nuk është Besa!”

  1. ARSIMTARI says:

    Pershendetje Zoti Tarifa, nje analize brilante. Keni te drejte me zonjen Shahini gjithshka eshte stpuar. Lindita te cilen ne nuk e vleresuam paska qene yll fare. Ajo filloi reformen ene arsimin Universitar, dhe fiks futi kulturen e komunikimit per çdo gje. Respekte per JU.

    1. Z says:

      Fatos Tarifa! Pse nuk merrni edhe pushimet e veres dhe na lini disa dite rehat! Nuk eshte ministrja qe ben praaktiken e shkolles dhe duhet perdorur nivel ne shkrim! Nuk eshte Besa qe eshte ministre dhe nuk eshte Fatosi nje ish llafazan!

  2. Gogogout says:

    Fatos more Fatos shtate uji e nje kos. Flet per gjithcka dhe kundershton kedo. Shume i konsumuar je.

  3. Njeriu says:

    Njerëz që firmosin Phd. Vetëm në shqipëri ndodh kjo gjë. Phd në çfarë? Militarizëm? Lëre pastaj përmbajtjen, të bën të thuash hej dreq, po qe kështu secili mund të bëhet një doktor në shkenca, çfarëdo shkence, domethënë një dege nga ku mund të depërtojë për Phd, për të mundur të shtoj pas emrit kur firmos ndonjë artikull.

  4. xhemal says:

    Profesor ,alesandri mbrojti besen jo nga kritika po nga ofendimet ,sharjet,perbuzjet,urrejtja ,ndasite qe bejne per te keqen e arsimit edhe disa nga shoket tuaj.te kritikosh eshte nje gje normale e cdo minister duhet ti degjoj me vemendje e te mesoj per te korigjuar gabimet ne te mire te interesit te pergjithshem te shkolles te rritjes se cilesise .pastaj te kritikosh eshte shume me e lehte se te punosh te ndertosh nje veper te forte nga te gjitha anet.kush punon Gabon.ju e dini kush nuk gabon .te uroj shendet

  5. qytetari says:

    Fatkeqesisht emri i ketij autori ndodhet ne fund(fatos tarifa)pasi po te ish ne fillim,lexuesi do tja kishte kursyer vetes,ato tre kater rrjeshta qe mund te kete lexuar,mbasi shqiptaret ja njohin formimin tarifes(nje amalgam anadollake-komuniste),por mbi te gjitha bemat e tij te pista.

    1. Niku says:

      Per cfare bemash te pista behet fjale? Per “aferen korruptive” kur ishte ambassador ne SHBA? Per kete pyet me mire Kastriot Islamin, se ai skandal ishte dhurate nga Kaci, meqe Fatosi nuk I doli ta priste ne aeroport ne Uashington kur Kaci ishte minister I jashtem. Une kam patur te bej me disa nga ambasadoret shqiptare ne SHBA, per ceshtje komuniteti dhe ne keto 20 vjetet e fundit Fatos Tarifa dhe zonja Floreta Haber qe eshte ambasadore tani, kane qene nga me te pergatiturit.

      Megjithese disa pika te replikes qendrojne, thelbi I asaj cfare thote z.Lleshi nuk ka te beje me Besen qe eshte ndryshe sic argumenton Tarifa. Besa ndryshe eshte Besa me theks kosovar dhe kritikat nuk kane qene per sistemin arsimor apo politikat arsimore qe ka vendosur ajo, por kane qene per ate si individ, si femer, si dikush qe nuk eshte si ne, te zgjedhurit e Zotit. Vijne nga pabuksa qe nuk kane asnje argument, dhe kalojne ne ofeza personale qe ne fjaline e dyte te asaj cfare thone. Jane ata qe (de)gradojne nga Kristali dhe neser pasneser behen deputete, mjeke, ministra e qe kane ne dore jeten tende, ekonomine, shkollimin e femijeve.

  6. Dritan says:

    Ky reagim ndaj Sandër Lleshajt e ka huqur në tërësi thelbin. Z. Lleshaj ka kundërshtuar kampanjën linçuese, fyese dhe madje edhe raciste ndaj një ministre të re që flet me dialekt pak më ndryshe. Ka kundërshtuar thirrjet kundër saj – “kthehu prej nga ke ardhur”! Dhe ka bërë mirë që këta individë i ka quajtur me emrin e vërtetë – skizofrenë!
    Edhe unë jam shqiptar nga Kosova. Shteti shqiptar më ka nderuar së fundmi me shtetësi shqiptare dhe jam krenar që i shërbej këtij shteti si zyrtar i administratës publike. Fakti që vij nga Kosova nuk më bën as më pak e as më shumë shqiptar.
    Është Qeveria Rama që për herë të parë ua ka hapur dyert e vendimmarrjes në shtetin shqiptar profesionistëve nga Kosova. Nëse punojmë mirë, na i çmoni veprat si zyrtarë të shtetit shqiptar, nuk kemi nevojë të miklohemi si kosovarë; e nëse punojmë keq, përsëri, na shani si zyrtarë të dështuar të shtetit shqiptar, e jo si kosovarë.

  7. ppa says:

    Prof. e ke tjerrur gjate, thjeshte per te thene qe fola dhe une; gati nuk ke thene qe edhe une kam nje PhD. Dhe per argumentuar kete, perpiqesh te besh sikur nuk kupton qe Lleshaj e ka fjalen – per nje rast ndryshe – jo vetem per CV akademike , por edhe per faktin qe eshte nga Kosova. Me kete rast, po i lejoj vetes, ndonese si anonim, qe ashtu si ju te percjell mendimin tim qe – ne nivelin akademik kultura kosovare eshte siper nivelit tone tone; ndersa e kunderta ndodh me nivelin e pergjithshem kulturor te popullsise. Te tjerat jane per mbushje te gazetes “DITA”.

  8. Shenjestra says:

    Zoti Tarifa! Kemi respekt per ju se jini njeri i pergatitur,inteligjet dhe me horizont.Le te flasin ç’te duan kundershtaret e tu.
    Mendoj se, mbrojtja qe i bene Lleshaj zonjes Shahini, me duket e drejte.Zonja Shahini eshte kosovare,por mbi te gjithe eshte shqipetare.Lleshaj e mbrojti zonjen Shahini nga sulmet e padrejta te disa maturanteve qe nuk mesojn dhe te shtyjtur nga partit e opozites.Zonja Shahini nuk ka pse te ofendohet dhe te diskreditoht nga disa maturant alabak qe i duan pyetjet e provimit te lehta si i duan ata.Ne fund te fundit,maturanti ka nje ministri mbi koke dhe jane ata kopetent t’i formulojn dhe jo maturatet medioker.Zonja Shahini, me sa po shikojme, po punon mire dhe nuk i meriton ato sharje te maturanteve dhe te partive opozitare.Sa per Lindita Nikollen ke thene te vertete.Ajo sa ishte ministre punoi shume mire ne ngritjen dhe reformat qe beri ne arsimin e larte.Pershendetje.

  9. bravo profesor says:

    Kujt ja thua profesor! Nuk ja vlen te shpenzosh kohe dhe energji per nje dordolec te kapardisur qe i eshte ngjitur ps-se si semundje e bute per te zhvatur ndonje placke se eshte bosh profesionalisht dhe kulturalisht.

  10. Tir on ci says:

    SI LLESHI SI SHAHINI NJE MATRIKULL KANE
    MBRON KUNGULLI KASTRAVECIN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje