Në këtë dyqan modest gjithçka që shihni janë dëshmi të mijëra orëve punë të Vjollca Haxhiut dhe familjarëve të ngushtë të saj.
Prej 35 vitesh, 50-vjeçarja merret me realizimin e qilimave dhe sixhadeve në tezgjah, por edhe me punimin e kostumeve me motive popullore.
Pazari i vjetër i Krujës është rruga që të dërgon te tradita, të cilën ajo e përshkon prej vitesh, që nga koha kur u mbyll ndërmarrja ku kontribuoi rreth 15 vite.
“Ne jemi si familje që merremi vetëm me artizanat. Duke filluar nga mamaja ime që e ka pasur trashëgimi edhe pastaj na e ka lënë ne gocave. Ne jemi katër motra dhe të gjitha punojmë me këtë, merremi dhe me kostume popullorë”, thotë artizania.
Tezgjahu, sfurku dhe materialet e tjera të punës e shoqërojnë Vjollcën gjatë orëve rutinë. Ndonëse 50-vjeçarja ja ka mësuar të bijës procesin e punës së qilimave dhe sixhadeve në tezgjah, shqetësuese për të mbetet ruajtja dhe përcjellja e traditës te brezat e rinj.
“Edhe ky brez. Jo se nuk ja kam lënë edhe fëmijëve, por nuk e ushtrojnë. Si trashëgimi ja kam lënë, por nuk e ushtrojnë. Nuk e besoj që arrin dikush që ta punojë këtë. Të rejat e sotme nuk e punojnë. Pavarësisht se thashë që unë ja kam lënë fëmijës tim, motrat gjithashtu, por që ta ushtrojnë, nuk e ushtrojnë. Merren me shkollën, por si zanat po zhduket”. shprehet Vjollca Haxhiu.
Vjollca tregon se puna e bërë në një ditë vlerësohet me rreth 500 lekë të reja, Kjo rrugicë që mban në duar kërkon 7 ditë për t’u punuar nga 8 orë dhe kushton 6000 lekë të reja.
Pandemia e COVID-19 i ka goditur fort shitjet e punimeve artizanale të cilat vlerësohen më shumë në treg prej turistëve të huaj që duket se gjatë kësaj periudhe i kanë munguar rrugëve me kalldrëm të Pazarit të Vjetër të Krujës.
Zhdukja e tradites…nga komunistat e djallit, lol
=
‘fiks’ fare…si ‘performanca’ e teatrit te “ri” … ne 2050…?