"Fatmir Haklaj betohej se do vriste Azem Hajdarin”! Zylfie Haklaj revoltohet, kërkon prova për dokumentin e SHISH: Boll më! Spiunë të Salihit

1 Korrik 2020, 20:56Politika TEMA

Zylfie Haklaj, motra e Fatmir Haklajt ka reaguar pas publikimit të dokumentit të Shërbimit Informativ të Shtetit, në të cilin shkruhet se vëllai i saj betohej se do të vriste 18 persona, mes tyre edhe deputetin demokrat Azem Hajdarin.

Ajo ka reaguar lidhur me dokumentin duke pretenduar se vëllai i saj nuk e ka bërë kurrë një betim të tillë, duke kërkuar edhe provat në të cilat bazohet SHISH për një pretendim të tillë, duke kërcënuar se do t’i drejtohej drejtësisë për zbardhjen e ngjarjes.

Më tej në reagimin e saj, Zylfia shkruan se prej më shumë se dy dekadash ndaj familjes së saj janë bërë aludime dhe akuza nga më të ndryshmet.

“Ne si familje nuk e dimë një gjë të tillë, kemi prova e fakte që Fatmir Haklaj kurrë nuk e ka bërë një betim të tillë.

Kërkojmë dëshminë që SHIK-u bazohet ose do t’i drejtohem drejtësisë. Këtu lind pyetja a janë të gjithë njerëzit e barabartë përpara ligjit?

A është e barabartë jeta e çdo qytetari, i veshur apo jo me pushtet? Deri kur do të vazhdohet kështu?

Duke bërë dallime mes njerëzish, edhe pas gati 30 vitesh nuk ka drejtësi për shumë e shumë shqiptarë ndërsa për disa edhe pas 22 vitesh vazhdojnë supozime, halucinacione si skizofrenë duke bërë lloj lloj shpifjesh të ndryshme. Boll më me shpifje e spiunazhe të spiunëve të Salihit të trashëguar nga e kaluara e tij e ndyrë,”-shkruan Zylfija.

Por në dokumentin e publikuar nga SHISH shpjegohet qartë se Fatmir Haklaj e kishte qëllimin e jetës të vriste Azem Hajdarin, se ai kishte gatitur disa kurthe, që deputeti i PD-së të vinte në Tropojë, me qëllim për ta vrarë, e të tjera.

Informacioni, që mban përfund firmën e titullarit të SHIK, Fatos Klosi, i është dërguar Ministrit të Rendit Publik, Perikli Teta me qëllim që policia të bënte punën e saj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje