Gruaja që kujdeset për nënën 100-vjeçare në bunker, pasi nusja u shiti shtëpinë: Këtu do vdes me të, në tunel

1 Korrik 2020, 18:14Sociale TEMA

66-vjeçarja Xhemile Pisha Sula kujdeset prej 3 vitesh për nënën 100-vjeçare dhe vëllain e saj Shefkiun, të dy të pamundur dhe me nevoja të veçanta, në një bunker në kodrën e qytetit të Elbasanit.

Po si përfundoi gruaja 100-vjeçare me djalin e saj 70-vjeçar në bunker? Shefkiu kishte 6 vajza dhe 1 djalë. Shtëpinë të cilën e kishte ndërtuar bashkë me të shoqen dhe nënën ia la trashëgim djalit të vetëm.

Para 7 vitesh Shefkiut i ndërroi jetë djali, Iliri, duke lënë jetimë 7 fëmijë. Më herët Shefkiut i kishte ndërruar jetë edhe bashkëshortja.

Shefkiu, i cili gjithë jetën kishte punuar si bari, vijoi të jetonte në atë shtëpi bashkë me nënën, nusen e ve të djalit dhe 7 nipër e mbesa për 4 vite të tjerë.

Nusja si duket nuk e përballoi më tej jetesën me vjehrrin dhe nënën e tij, shiti shtëpinë dhe tok me fëmijët e saj u largua për tek prindërit e saj.

Shefkiu dhe nëna e tij mbetën mes katër rrugëve duke gjetur strehë në bunker, ku për ta kujdeset vetëm motra, Xhemilja.

“Të jetosh në bunker është si mos më keq. Hyn uji kur bie shi. Vetëm unë i di. Gjithë natën kalojnë minj. Kemi gjetur edhe gjarpërinj. Mu atje tek cepi i dollapit, tek ai dysheku. I thërrita burrit, e shpoi në kurriz dhe e vrau. 

Unë e futa në një kavanoz, se thashë do vijë bashkia, pasi i kisha lajmëruar…sa ndodhi kjo ngjarje unë i jam drejtuar bashkisë. 

Mirë se nusja e shiti shtëpinë, edhe ajo ka hallet e veta, i di vetë ajo, po ama, kjo bashki për dy vetë ta gëzojnë një çikë dhomë aty. 

Pasi të vdesin këta të vijnë edhe ta shembin. Nuk e dua unë për fëmijët e mij”, thotë Xhemilja për gazetaren Mirela Milori.

Ajo kërkon nga bashkia leje për ndërtimin e një dhome me tualet.

“Problemi im është sa mos më vdesë nëna në bunker. Vuajtjet që kam kaluar, hallall u qofshin. Hallall u qoftë edhe këtyre se e kam nënë, e kam vëlla. 

Nënën nuk e hedh se nuk e hedh. Këtu do vdes me të, në tunel. Jam e sëmurë, jam me hernie, por them derisa të shtrihem vetë, nënën nuk do e lë.”

Gazetarja Mirela Miroli i bëri thirrje bashkisë Elbasan që t’i sigurojë një banesë Shefkiut dhe nënës së tij sidhe një person që të kujdeset për ta, pasi edhe vetë Xhemilja është e moshuar dhe e ka të pamundur përkujdesjen për të afërmit e saj.

4 komente në “Gruaja që kujdeset për nënën 100-vjeçare në bunker, pasi nusja u shiti shtëpinë: Këtu do vdes me të, në tunel”

  1. Juristi says:

    Kjo Mirela qe i paska bere thirrje Bashkise per ti bere shtepi,pse nuk i ndihmon edhe vete,p.sh.ti jape çdo muaj 10.000 te reja?

  2. fariu says:

    Po si eshte e mundur qe nusja te shesi shtepine?
    Mbas nderrimit jete te djalit, prinderit dhe gjyshja qe jane gjalle, nuk perfitojne nga trashegimia? Pyes sepse nuk e di kete rast?
    Si eshte ligji per rast te tille?

  3. Ryka. says:

    Ky qënka një rast unikal ku nëna 100 vjeçe djali 70 vjeç janë në një moshë sot për nesër, dhe bashkia e Elbasanit nuk paska një fond emergjence por i paska lënë keta të moshuar në bunker është një turp kush e dëgjon, jam i sigurt se po emori vesh Kryetari BashkisëTiranës zoti Erjon Velia do të bejë të pamundurën pêr këta të moshuar në bunker në Elbasan, por do ti lutesha zonjës Mirela Milori ta bejë mē shumë publike po të jet emundur, sepse njerëzit do të bëjnë diçka për këta të moshuar.

  4. DREJT. says:

    O Jurist, po ti pse nuk i jep ndonje ndihme ketyre? Ça te duhet ty se cfare ben gazetarja, apo ben moral vk!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje