KPA vulos largimin e gjyqtarit Arben Zefi nga sistemi i drejtësisë dhe lë në fuqi shkarkimin e ish-prokurori Artan Bajrami

3 Korrik 2020, 19:13Kronika TEMA

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA njoftoi, lënien në fuqi të vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për shkarkimin nga detyra të ish-kryetarit të Gjykatës së Shkodrës, Arben Zefi.

Në njoftim thuhet se trupi gjykues i KPA, i përbërë nga Luan Daci kryesues, Albana Shtylla relatore, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj anëtarë, pasi gjykuan në dhomë këshillimi ankimin e ish-gjyqtarit Arben Zefi kundër vendimit KPK, vendosën në unanimitet largimin e tij përfundimtar nga sistemi i drejtësisë.

KPK vendosi më datë 10 janar 2019 shkarkimin nga detyra të Arben Zefit, pasi u identifikuan probleme me pasurinë dhe konflikt interesi.  Komisioni gjeti deklarim të pasaktë dhe mungesë të burimeve financiare për një apartament 132,8 m2 në Shkodër. Gjithashtu, u gjet se ai kishte përfituar në kundërshtim me ligjin një tjetër apartament në vitin 2001, si i pastrehë.

Problematike për Zefin rezultuan edhe makinat që ai kishte në përdorim apo në posedim. Sipas KPK, një prej makinave u sekuestrua nga policia sepse rezultoi e vjedhur.

Problem rezultoi edhe destinacioni i një shume 50 mijë euro, nga ku rezultoi se Zefi kishte bërë një kontratë me një kompani për të përfituar hapësirë në ndërtimet që ajo do të kryente. Nga hetimi rezultoi se ai nuk e kishte pasqyruar dhënien e kësaj shume në deklaratën veting dhe se kishte mungesë burimesh për krijimin e saj.  Komisioni gjeti se gjyqtari kishte marrë pjesë në shqyrtimin e një çështje ku kjo kompani kishte qenë palë dhe çmon se Zefi e ka ushtruar veprimtarinë e tij në kushtet e konfliktit të interesit në këtë rast.

KPA lë në fuqi shkarkimin e ish-prokurori Artan Bajrami

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, KPA vendosi të premten të lërë në fuqi vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për shkarkimin nga detyra të ish-drejtuesit të ish-Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda, Artan Bajrami.

Në njoftimin e KPA thuhet se trupi gjykues i Kolegjit, i përbërë nga Rezarta Schuetz kryesuese, Ardian Hajdari relator dhe Ina Rama, Luan Daci e Sokol Çomo anëtarë, shqyrtoi në dhomë këshillimi ankimin e prokurorit Bajrami kundër shkarkimit dhe vendosi lënien në fuqi të vendimit të KPK të dhënë më 14 shkurt 2019.

Prokurori Artan Bajrami u shkarkua nga detyra pas një karriere 35-vjeçare për shkak të deklarimit të rremë dhe të pasaktë të burimeve për blerjen e një apartamenti në Tiranë si dhe mosdeklarimin e dhurimeve prej 2.2 milionë lekësh në total nga baxhanaku i tij biznesmen.

Procesi i rivlerësimit për Bajramin në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit u krye nga trupi gjykues i drejtuar nga Valbona Sanxhaktari, me relatore Suela Zhegun dhe anëtare Brunilda Bekteshin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje