Pendesë nga një anëtare jurie

4 Korrik 2020, 20:40Blog TEMA

Nga Kozeta Kurti

Disa javë më parë, në ditët e para të përpjekjes për t’u hapur dalëngadalë, pas disa muajve plot ankth që kërcënoheshin prej frikës nga e panjohura, ankthi dhe pasiguria për shëndetin e të ardhmen, ku ditënetët kapnin njëra-tjetrën pa e kuptuar në pat aguar a perënduar, u zgjova nga një telefonatë që më zgjoi jo nga gjumi, por nga letargjia e atyre muajve të vështirë.

-Kozeta, ju telefonojmë nga “Sirea Film”. Po përgatisim një format disa javor për fëmijë e adoleshentë në disa disiplina, si në komunikim publik (public speech), standup comedy dhe performancë. Kemi dëshirë të jesh në juri.

Unë nuk i kam dashur kurrë formatet që vënë në garë fëmijët dhe adoleshentët. Nuk më pëlqejnë. Më mërzisin lotët e tyre dhe shkurt, nuk kam pasur kurrë gjunjë t’i përballoj. Por nuk mund ta mohoj që më ngacmoi lloji i disiplinave në garë, sidomos dy të parat. Duhet vetëm të konsultohesha me veten që do t’i lija mënjanë emocionet e do ta çoja këtë punë deri në fund pa u ndikuar nga keqardhja që mund të ndjejnë të eleminuarit. Fundja, një ditë, do të më duhej ta sfidoja veten dhe paska qenë e thënë  ta bëj në “Standup Albania”, finalja e të cilit u mbajt mbrëmë, por që aktualisht po transmetohen xhirimet e episodeve të para, të realizuara në avancë në platformën digjitale “Tring”.

Dhashë një “PO”  me shkronja kapitale, duke shprehur në të gjitha format entuziazmin, pa pyetur as për kohën që do të më merrte ky angazhim dhe  madje u befasova  (por sigurisht u gëzova) kur më thanë se edhe do të paguhesha për këtë projekt.

Në fazat eleminatore e gjysmëfinale kam njohur fëmijë e adoleshentë të mrekullueshëm, të talentuar, të artikuluar, për të cilët edhe kemi pasur debate me kolegët e tjerë të jurisë, regjisorin Leonard Bombaj dhe pedagogun Erion Kristo, por sidoqoftë aty jemi me zë dhe figurë për të argumentuar mendimet dhe vendimarrjen tonë e deri mbrëmë në finale, askush nuk ka mundur dot të vijë e të na kapë prej xhakete e të na telendisë për vendimet që kemi marrë.

…..deri mbrëmë! Në finale! Në fundin e saj, e kapa unë veten time prej xhakete; lutesha që koha të kthehej pas e të mos e kisha nisur kurrë këtë rrugëtim. Investimi i një stafi të tërë që përgatit formatin, pikërisht në natën finale, mbeti në duart e një akademie që as e morëm vesh kush ishin se askush nuk foli për ta, të cilët vlerësuan dramat personale të konkurrentëve dhe jo aftësitë e tyre.

Në garën e fëmijëve merrte pjesë Leo Hasanllari (shumë kush e mban mend fëmijën që ka luftuar për jetën që ditën që lindi). Leo është bërë personazh mediatik për forcën dhe kurajon që pati dhe në këtë format, ku personalisht s’i kam mbajtur dot lotët gjatë rrëfimit të Leos, kam thënë se: Nëse mendoni që në finale po shkon karroca e Leos dhe jo Leo, ndiqeni edhe një herë ligjëratën e tij, sepse nëse e shihni, askush nuk do gjejë kurajon të thotë se e favorizoi karroca.

Sepse Leo e meritonte të ishte në finale, pasi mundi shokët dhe shoqet e tij në gjysmëfinale. Leo meritonte në finale çdo çmim të mundshëm, për kurajon, për motivimin, për  reflektimin që i bëri atyre që e ndoqën, por jo fitues i kategorisë, sepse kjo mund të shkatërronte Grejsin, vajzën që u ngjit në skenën e Amfiteatrit me yllin që i kishte ndritur në ballë e që produksioni, për të ndrequr gabimet e “akademisë”, u detyrua t’i sajonte një çmim.

Në skenë u ngjit Enea, një i  ri, i cili po kryen aktualisht dënimin në institucionin e vuajtjes së vendimeve penale të Fierit; një super arritje për çdo autor, skenarist,  regjisor dhe çdo kënd që bën televizion. Enea meritonte çdo çmim të mundshëm qiellor, hënor, diellor, oqeanik, për guximin për të folur në publik e për të bërë një lloj “mea culpa”, por jo të ishte fitues në kategori, sepse kështu u fyen të tjerët që ishin profesinalisht më mirë se Enea. Unë nuk e shoh Leon si një fëmijë në karrocë; unë nuk e shoh Enean si të dënuar. Në një garë të tillë, unë i shikoj njerëzit si të barabartë dhe s’më ka shkuar e s’do më shkojë kurrë në mend që një fatkeqësi të tyre, ta konsideroj dhe përdor si inferioritet apo avantazh.

Po në kategorinë e standup-it si votoi Akademia? A e di Akademia çfarë është KRYESISHT një “standup comedy”? Nëse do ta dinte, nuk do ta rrëzonte Antonion përballë Kerisit që ishte e shkëlqyer, por standup-i nuk është imitim, të dashur akademikë. Ndonjëherë komedianët e standup-it përdorin edhe muzikën për të mbështetur lojën e tyre, por kaq.

Si mund të djalloset një punë e gjatë dhe të lihet në duart e një akademie, ku midis tyre ka nga ata që mbushin dosjen dhe ikin pa i parë të gjitha performancat se kanë punë e s’mund të qëndrojnë deri në fund? Unë s’mundem të bëj me faj produksionin, pjesë e të cilit kam qenë e ftuar vetë, i cili veç fletë ka numëruar, por sigurisht, si gazetare tashmë e jo si anëtare jurie, pyes: cilët ishin këta anëtarët e kësaj akademie, se veç gjashtë a shtatë munda të dalloj? Si u përzgjodhën? Dhe mbi ç’kritere votuan ata a një pjesë e tyre? Ore, me të drejtë dikush mund të pyesë: po çfarë të duhet ty, se një një iniciativë private s’do të të pyesë kush ty. Dhe, e vërtetë është edhe kjo, por unë jam akoma me atë të vjetrën që media është: informim, edukim e argëtim.

Nëse profesionistët do të votojnë në bazë të sasive të lotëve që provokoi një histori e caktuar, unë ju siguroj me prova që s’ka njeri që ka qarë më shumë se unë gjatë udhëtimit në këtë projekt, por lotët e mi përpara të vërtetës së madhe, nuk vlejnë një grosh. Ky nuk është një Big Brother që duhet të qëndrojë në këmbë prej dramacitetit të historive që përcjell, por një garë ku duhet të fitojnë më të mirët, një garë që duhet të të çojë në shtëpi me bindjen e padiskutueshme për rezultatin që ke marrë, por jo me zhgënjim, fyerje, demotivim. Ndoshta nesër ndokush prej tyre, nuk do të guxojë të ngjitet sërish në skenë dhe kjo, jo se humbi, por se humbi padrejtësisht.  Edhe unë humba! Humba besimin përballë profesionistëve;  besimin në to humba, se vetë e kam ndërgjegjen të qetë. Isha 1/3 jurisë që i solli finalistët deri para akademikëve, por 1/30 e atyre që vendoste për fituesit. Më qeshet, sepse tani që po e mendoj, unë s’kam qenë kurrë deri më sot anëtare jurie për here të dytë në një format. Normal! Kush të qas me këto mendime jo të hapura, por të shqyera!  Dhe meqë ra fjala, cilët ishin 30 profesionistët, anëtarë të akademisë dhe a janë të qetë sot?  Apo po kërkoj shumë? Në tërë këto halle që ka vendi, do rrimë të vrasim mendjen për hallet e kalamajve të dynjasë.

Çojini fëmijët të kërcejnë, këndojnë, të luajnë në instrumente, të pikturojnë, të aktrojnë,  por mos i fusni në garë. As mos i ushqeni që janë më të mirët, dhe as mos ua trazoni ëndrrat me orekse akademikësh, që shpesh herë, as vetë nuk e dinë pse janë thirrur, siç në fakt, mësova të kishte ndodhur edhe këtë herë.

Shënim: Për një pjesë mund të duket në gjuhë të huaj ky shkrim, pasi shumë lexues nuk e dinë për çfarë po shkruhet, sepse ky format është xhiruar në avancë dhe ndërkohë që në Tring, në transmetim mbahen fazat eleminatore, mbrëmë u xhirua finalja.  Sidoqoftë qëllimi nuk është një format i vetëm, por sistemi i vlerësimit në këtë vend ku tashmë askush s’e di sa vlen, sepse askush nuk mundet t’ja tregoj dot

15 komente në “Pendesë nga një anëtare jurie”

  1. Luli says:

    Cfare the? Drejtesia nuk ben pjese ne kulturen tone.

  2. Alibi says:

    Kozeta, behu gati per nje goxha padi per nxjerrje informacioni te rezervuar.
    Une nuk e di a ke a ske te drejte, por nuk te takon ty ta vendosesh. Ti nuk mund te kesh tager gjykues per punen ku je pjese. Quhet konflikt interesi, aq me teper para publikimit te punes ku je pjese.
    Ti ke te drejte te thuash opinionet e tua, por nxjerrja e informacioneve konfidenciale eshte totalisht e papranueshme. Ne nje treg normal televiziv karriera jote merr fund ketu, dhe me te drejte. Te shohim si do shkoje ne tregun televiziv te fshatit tone.

  3. pa vlere says:

    Vertet duhej gjithe ky shkrim I gjate??
    Te pakten emertojini shkrimet ose klasifikojini ne rubriken “reklama” qe te na kurseni kohen!!

  4. emigranti says:

    jam nje prej atyre qe u duket gjuhe e huaj dh per me teper urreje reality-shou,por nuk e kuptoj pasi je paguar per nje trasmetim ne avance komenton finalen publikisht.Ne cdo vend normal duhej te jetoje 10000 vjet te paguaje demshperblimin e produksionit

  5. Revizori says:

    Kozeta,
    Ky popull do mbijetoje intelektualisht sepse ka njerez si ty. Dhe do flakë si çibanë te huaj qofte pseudo akademikë te tipit Artan Fuga, apo disa pseudo artiste qe te neverisin me tendencen e tyre te deshperuar per t’u dukur modernë.

  6. ABC KORCA says:

    Zonje…!!!
    Ti pranove vete te merrje pjese…Ti nuk lexove vete kontraten…Ti u bere pjese e konkurences…Ti na thua se u lidhe aq shume me femijet….Dhe ne fund na kerkon qe te mos i shpiem femijet ” ne kokurenca”…Tipik shkrim mllefi
    Tjetra###
    Ka mundesi dhe mundesi te madhe biles…te jete reklam…media hesapi

  7. K.F says:

    Kozeta ashtu duket qe e paskan djallosur keta ‘akademiket’ e pilafit qe nuk dihet kush i zgjodhi ne juri. Po edhe ty kush te zgjodhi? Ndaj pse derdh lot kor ne kete ferme hajvanesh pir trego emrat e atyre akademikeve qe te dime kush i ka phelle se ata qe njohim ne nuk jane surrogato si ata qe paskan shkuar je Tring per tu eglendisur me femijet?

  8. K.F says:

    Kozeta ashtu duket nga leximi i kesaj analize mbi formatin e nje show qe e paskan djallosur keta ‘akademiket’ e pilafit qe nuk dihet se kush i zgjodhi ne juri. Po edhe ty kush te zgjodhi moj? Ndaj pse derdh lote kot ne kete ferme hajvanesh, por trego emrat e atyre akademikeve qe te dime kush i ka pjelle , se ata qe njohim ne nuk jane surrogato si ata qe paskan shkuar te Tring per tu eglendisur me kalamanjte? Pergezime qe u ke bere mutin ne koke.

  9. kopi says:

    ti moj kozeta slim fit, orientohesh me mire neper supermarkete…

  10. Iva Tico says:

    Mos ishte ajo laraska Aljeta Vejsiu ne kete akademi moj? Kjo eshte Shqiperia!

  11. Belina Budini says:

    Shqiperia per fat te keq nuk te ofron asgje ndaj duhet te kthehemi nen Tyrqine qe femijet tane te behen turqellinj. Ne ne UET fale mençurise se Henri Çilit nga Labinoti jemi ne anvargarde. Ndaj kete emision e bejme per cmim nderkombetar po te na jepni 300 mije euro per Kliniken Ligjore te Henrit.

  12. Bieta Sulo says:

    Po cfare paskeni bere mo? Po pse nuk i sillni ketej nga Topi ti lyej une me Dudushin dhe kooeget tane qe edhe lope te ishin do ti benim te gjitha yje te sexy and city ose talente nderplanetare?

  13. Bieta Sulo TCH says:

    Po cfare paskeni bere mo? Po pse nuk i sillni ketej nga Topi ti lyej une me Dudushin dhe kooeget tane qe edhe lope te ishin do ti benim te gjitha yje te sexy and city ose talente nderplanetare?

  14. ZEUSI says:

    E KUPTOVE VONE ZONJE E NDERUAR NE CFARE HALEJE JETOJME
    E PASTAJ NJEREZIT TE HABITUR PYESIN SE PERSE IKIN ME TE MIRET NGA KY VEND.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje