Kukësi nuk ka ndërmend të dorëzohet në garën për titullin kampion, pasi sot ia doli të marrë një fitore më se të merituar 2-1 në sfidën direkte përballë Tiranës kryesuese në stadiumin “Selman Stërmasi”, duke ngushtuar në 6 pikë diferencën nga kreu.
Ashtu siç e kishte paralajmëruar edhe më herët, trajneri Orges Shehi nuk kurseu asnjë prej futbollistëve të tij në ndeshjen e sotme, me përjashtim të Shkurtajt, Teqjas dhe Obanor, të cilët janë të dëmtuar, ndërsa rikuperoi në kohë sulmuesi Godberg Cooper.
Sfida nisi e qetë, me të dy skuadrat që preferuan të studiojnë njëra-tjetrën fillimisht dhe të mos lënë shumë hapësira mbrapa, ndërsa kërcënimi i parë erdhi në minutën e 15’, kur Kristal Abazaj gjuajti bukur në pozicion të prirët me portën, por sfera përfundoi jashtë kuadratit të Likës.
Vetëm dy minuta më vonë Tirana zbriti në një kundërsulm të rrezikshëm dhe Kale provoi të shërbejë për Cobbinah, por topi u ndal nga mbrojtësi Gëzim Krasniqi, ndërsa pavarësisht protestave të bardhebluve për një prekje me dorë, nuk mendoi të njëjtën gjë arbitri kryesor Kreshnik Bajramaj.
Më pas iniciativa ishte sërish e verilindorëve, që kërcënuan fillimisht me Rrocën, por gjuajtja e tij u ndal mbi vijën fatale nga Erjon Hoxhallari dhe më pas dy herë me Et’hemin, por që njëherë ndërhyri Lika dhe njëherë sulmuesi i Kukësit u tregua i pasaktë në gjuajtje.
Edhe pjesa e dytë ishte qartazi në favor të Kukësit, që zhvendosi lojën në gjysmëfushën e Tiranës dhe pas i erdhi rrotull zonës për disa minuta, gjeti golin e avantazhit në minutën e 58’ me anë të sulmuesit Cooper.
Pas një aksioni të gjatë të kuksianëve, ishte Limaj që lëshoi një predhë nga distanca dhe Ilion Lika u shfaq në gatishmëri pr të grushtuar, por Cooper u shkëput bukur nga mbulimi i mbrojtjes dhe arriti ta dërgojë sferën në rrjetë.
Goli u dha qetësi miqve, që filluan të luajnë lirshëm dhe të afrohen vazhdimisht rrezikshëm në zonën e Tiranës, ndërsa në minutën e 82-të ishte Valon Et’hemi që shënoi një gol spektakolar, pasi mori një top në hyrje të zonës, i vetëm me portierin Ilion Lika.
Tirana dorëzohet totalisht dhe hidhet e gjitha në sulm, por lë shumë hapësira mbrapa dhe fillimisht Abazaj e më pas Limaj tronditin shtyllat e portës së Likës, ndërsa pranë golit shkuan edhe Rroca e Domi.
Golin e vetëm bardheblutë e gjetën vetëm në sekondat e fundit të kohës shtesë, kur pas një krosimi me kohë, ishte sulmuesi kryesor i Tiranës Michael Ngo’o, që kërceu mbi të gjithë dhe mposhti portierin Xhika, por nuk kishte më kohë për të rihapur takimin, pasi vetëm pas nisjes së topit nga qendra, arbitri Bajramaj vërshëlleu fundin e sfidës.
Kukësi fiton kështu përballjen e tretë nga 4 gjithsej me Tiranën këtë sezon, duke qenë se vetëm në fazën e tretë triumfuan bardheblutë, megjithatë kryeqytetasit mbeten në krye të renditjes me 6 pikë më tepër se verilindorët, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi.
Tani skuadra e drejtuar nga Orges Shehi do të ndjekë gjithë shpresë derbin e kryeqytetit një javë më vonë, duke bërë tifo për Partizanin, pasi vetëm një fitore e “të kuqve” do të rihapte plotësisht garën për titull.
Ndërkohë po sot në orën 17:45 Partizani zbriti në fushë përballë Bylisit në “Adush Muça” të Ballshit, ku nuk shkoi më shumë se një barazim 1-1, ndonëse luajti për pak minuta në fund, me një lojtar më tepër se kundërshtarët.
Edison Ndreca zhbllokoi sfidën me një predhë nga një goditje standarde në pjesën e parë, ndërsa Partizani riktheu baraspeshën me anë të sulmuesit Brown në minutën e 70’, por nuk arriti të shënojë sërish për të marrë tre pikët në transfertë.