Kanë kaluar 39 vjet nga ajo natë tragjike dhe e acartë tiranase kur, Kryeministri Mehmet Shehu mbylli jetën e tij përmes një mjegulle të madhe dyshimesh. Askush nuk e di ende me saktësi nëse ish-kryeministri shqiptar u vra apo u vetëvra natën mes 17 dhe 18 dhjetorit të vitin 1981.
Nata ishte e errët si nëpër filma, bënte ftohtë, binte shi dhe krismën e mbytur të revolverit nuk e dëgjoi askush.
Pak orë më parë Mehmet Shehu kishte dalë i tronditur nga një mbledhje e Byrosë Politike e cila kishte përcjellë jo pak tension tek ai. Fejesa e djalit të dytë të tij, Skënderit me volejbollisten Silva Turdiu ishte zhbërë. Por kupola e Komitetit Qendror nuk ishte mjaftuar më kaq. Djali i kryeministrit komunist me vajzën e Turdinjve të deklasuar? Pikëpyetjet vinin njëra pas tjetrës.
Shefi i ashpër i qeverisë, i pacenuar deri në atë kohë, kishte zbritur shkallët e Komitetit Qendror i tendosur dhe i nervozuar, ndërsa në mendje bluante gjatë gjithë kohës të njëjtën gjë, fundin. Me Enver Hoxhën ishte ndarë si hije në terrin që thyhej vetëm nga ca drita neoni të zbehta ndanë rrugës.
Hyri i pavëmendshëm në vilën Nr. 30, të blinduar nga rojet e armatosura e civilët që nuk i ndaheshin në çdo hap, dhe u ngujua në dhomën e tij të gjumit të ngrohur nga kaldaja. Por i ftohti nuk i kishte dalë. Në vesh i ushtonin zërat kërcënues të atyre që deri në atë çast ai i kishte konsideruar si shokë armësh dhe ideali.
Por zhgënjimi nga ajo mbledhje e gjatë ishte edhe më i madh, kur drejt tij hidheshin akuza, të cilat nuk i ishin bërë të ditura asnjëherë gjatë udhëheqjes së tij 28 vjeçare në krye të kabinetit. Akumulimi i gjatë kishte shpërthyer. Orteku i kritikave në Byronë Politike qe i ashpër edhe pse propozimi në fund nuk ishte dhe aq për t’u marrë parasysh. “Vërejtje e rëndë në kartën e regjistrimit”, nuk ishte fundi i botës, por fati i Mehmet Shehut ishte vendosur…
Ai vazhdon të cilësohet si kryeministri me jetëgjatësi në historinë 106-vjeçare të shtetit shqiptar. Drejtoi ekzekutivin për afro 28 vite më radhë. Pas Enver Hoxhës, pretendohej se Mehmet Shehu ishte zëvendësi absolut i tij, duke u karakterizuar si njeri i vendosur, me parime dhe strateg ushtarak.
I lindur më 10 janar 1913, në Çorrush të Mallakastrës, ai shfaqi zgjuarsi që në fëmijëri. Si i tillë, u dërgua në Shkollën Teknike amerikane të Harri Fultzit në Tiranë, të cilën e përfundoi në vitin 1932. Kjo shkollë i shërbeu si një “trampolinë” për t’u hedhur më pas në Akademinë Ushtarake të Napolit, edhe pse nuk arriti ta përfundojë, pasi u përjashtua pak para diplomimit për motive politike.
U kthye në Shqipëri për një kohë të shkurtër me qëllimin e vetëm që të shkonte në Spanjë, ku mori pjesë në luftimet e internacionalistëve gjatë viteve 1937-1939. Pas Luftës së Spanjës, Mehmet Shehu do të provonte internimin në Francë, të cilin e vuajti deri më 1942, vit kur edhe u rikthye në Shqipëri.
Shumë shpejt do të lidhej me Lëvizjen Nacionalçlirimtare dhe ende pa u mbushur viti, ai zgjidhet me shumicë votash kandidat i Komitetit Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë. Me krjimin e Brigadës së Parë në Vithkuq, Mehmet Shehu merr komandën e saj. Me organizimin e Këshillave Nacionalçlirimtarë, ai zgjidhet anëtar i tyre gjatë Kongresit të Përmetit dhe në nëntor 1944 gëzon funksionin e plotë të komandantit të Divizionit të parë Ushtrisë Nacionalçlirimtare.
Në vitet 1946-1947 Mehmet Shehu u emërua si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë. Duke patur këtë pozicion të lartë, ai nisi një specializim në Bashkimin Sovjetik, duke kryer Akademinë e Lartë Ushtarake “Voroshillov”.
Në Kongresin e Parë të PKSH-së (1948), pas goditjes së grupit të Koçi Xoxes, ai mori postin e Ministrit të Brendshëm, duke u zgjedhur anëtar i Byrosë Politike dhe njëkohësisht zv/kryeministër. Nga viti 1954- 1981 Mehmet Shehu ishte numri një i qeverisë shqiptare, pra kryeministër i Shqipërisë dhe në disa periudha (1974-1979) edhe ministër i Mbrojtjes Popullore. Në fund të dhjetorit 1979, ai zëvendësoi Hysni Kapon si sekretar i KQ të PPSH-së.
Por edhe pse dukej se tashmë Mehmet Shehu ishte më i fortë se kurrë, dy vite më pas ndodh krejt e kundërta. Fillimisht ai merr disa “goditje” të lehta, ndërsa më 17 dhjetor 1981, Mbledhja e Byrosë Politike ishte fatale për të.
Një ditë më pas, mediat shtetërore japin lajmin e thatë. Dy mjetet kryesore të komunikimit masiv të kohës, Televizioni Shqiptar dhe gazeta “Zëri i Popullit” morën udhëzimet përkatëse.
Ora 18.00. Në lajmet e para të mbrëmjes folësi i “Tiranës”, Kiço Fotiadhi shfaqet me fytyrë pak më serioze se netët e tjera. Kronikën kryesore padyshim e zinte vdekja e kryeministrit Mehmet Shehu, duke dhënë edhe shkaqet. Teksa lexoi komunikatën e përgatitur nga lart, Kiço Fotiadhi theksoi “vetëvrasje”, duke vijuar pastaj motivin “pas një krize nervore”.
E gjithë kronika nuk ka zgjatur më shumë se një lajm i zakonshëm 30-40 sekondësh, i cili është pasur menjëherë nga një varg kronikash që ishin në kuadër të diskutimeve dhe vendimeve të Byrosë Politike që ishin marrë gjatë punimeve të Kongresit të Tetë. Fotiadhi pasqyroi lajmet që kishin të bënin me realizimin e detyrave; u fol për arat, blegtorinë dhe angazhimet në shumë sektorë, por asnjë fjalë tjetër për detajet e vdekjes së kryeministrit më jetëgjatë në Shqipëri.
Edhe pse në edicionin kryesor të lajmeve, atë të orës 20.00 u prit diçka më tepër për humbjen e kreut të qeverisë komuniste, deklarata zyrtare vazhdonte të ishte e njëjta. Madje, çuditërisht, kur nga çasti në çast teleshikuesit prisnin ndërprerjen e programeve dhe futjen e muzikës funebër, atë mbrëmje u shfaq një komedi… “Ushtari i mirë Shvejk”.
Një ditë më pas…
19 dhjetor 1981. Ashtu si TVSH-ja, gazeta partiake “Zëri i Popullit” e jep shumë të zbehtë dhe të paplotë lajmin mbi ndërrimin e jetës së kryeministrit shqiptar, Mehmet Shehu. Në këtë datë, duke iu referuar arkivit, gazeta jep një njoftim të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe Këshillit të Ministrave të RPSSH-së, në lidhje me “vetëvrasjen” e Mehmet Shehut.
Njoftimi për vdekjen e njeriut të parë të qeverisë komuniste për rreth 28 vjet me radhë është dhënë në pjesën e djathtë të gazetës “ZP” dhe ishte një deklaratë shumë zyrtare, jo më shumë se ç’kishte deklaruar TVSH-ja 24 orë më parë.
Njoftimi
“Komiteti Qendror i Partisë së Punës së Shqipërisë, Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, njoftojnë se natën duke gdhirë data 18 dhjetor 1981, në një moment krize nervore, shoku Mehmet Shehu, anëtar i Byrosë Politike të Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë dhe kryetar i Këshillit të Ministrave të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, vrau veten”.
Asnjë lloj komenti të asnjërit prej udhëheqësve apo shokëve të tij. Shkrimi nuk kishte autor, nuk kishte detaje për ceremoninë e organizimit dhe mbi të gjitha nuk ngushëllohej familja.
Nekrologjia e Enverit
Pasi u deklarua “vetëvrasja” e Mehmet Shehut, Byroja Politike u mblodh urgjentisht për të dëgjuar fjalimin e Enver Hoxhës me këtë rast. Kreu i udhëheqjes lexon një fjalim të gjatë, duke shpjeguar para shokëve shkaqet që e çuan Mehmet Shehut drejt vetëvrasjes. Ja çfarë tha ai:
“Tani, edhe unë do të lexoj, ashtu siç e kisha përgatitur, kritikën që pata menduar t`i bëja punës së Mehmet Shehut, pavarësisht se kjo po zhvillohet në mungesë të tij, se ai u tregua armik i partisë deri në çastin e fundit, derisa vrau veten….
Në një vend të autokritikës së tij, Mehmeti thotë: “Në fillim mendova të veja te shoku Enver”. Pse mendoi të vinte? Kur krushqitë midis familjeve bëhen në vijën e partisë, nuk ka arsye kryesore që të kërkojnë aprovim… Mehmeti jo vetëm nuk u këshillua me asnjërin nga ne për këtë krushqi, por mendoi të bënte “fait accompli”…
Mehmeti prej kohësh e ka ditur kush janë Muzafer dhe Arshi Pipa, se ka qenë vetë ministër i Brendshëm. Gjithashtu, ai u përpoq të më impresiononte mua me atë që djali mund të vriste veten, prandaj i thashë tekstualisht: “Shiko Mehmet, të siguroj unë se djali nuk është nga ata që vrasin veten. Ai ka bërë shumë poshtërsi me gra, prandaj mos ki frikë nga kjo anë për të”.
Enver Hoxha shtoi se nëse Mehmeti do zgjidhte të bënte autokritikën që iu kërkua, gjërat do shkonin ndryshe. Por…
“Mehmeti nuk pati durim, vrau veten dhe nuk e dëgjoi diskutimin tim, që bashkohet dhe është në akord me vëretjet, ai nuk kishte më besim tek partia, e kishte humbur atë…” – shtoi Hoxha.(Dita)
Dikur ne rrugen ebarikadave,”broadway”,qe ish dhe qendra e disidences se heshtur te rinise tiranase,ish nje zoteri qe shiste gazeta dhe llotari diku aty ke hyrja e dyqanit te luluve.Ay me pamjen dhe fjalorin qe perdorte ish shpesh here objekt ngacmimi i te rinjve.
Ai perdorte shpesh shprehjen,qe i shkon plotesisht per shtat diktatorit tone,atij vagabondit te Gjirokastres. “PUSHT i SHKERDHYM”.
Me mire mos I germoni me keto llageme ju gazetare humbes. Skane me vlere.