Osmani: E turpshme që qeveria "Hoti" nuk miratoi projektligjin kundër koronavirusit

10 Korrik 2020, 13:31Rajoni TEMA

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cilësoi “të turpshëm” mosmiratimin nga ana e qeverisë të një projektligji për luftimin e pandemisë së koronavirusit.

Përmes një postimi në Twitter, Osmani tha se një nismë e tillë ligjore do të mundësonte që masat kundër COVID-19, sëmundjes që e shkakton koronavirusi, të ishin të ligjshme.

“Vetëm dje kanë vdekur tetë persona për shkak të COVID-19. Megjithatë, Qeveria e Kosovës dhe shumica e partive të koalicionit po e bllokojnë kalimin e një ligji kundër koronavirusit, që do të mundësonte zbatimin e ligjshëm të masave kundër koronavirusit. E turpshme!”, shkroi Osmani në llogarinë e saj në Twitter.

Në mbledhjen e së enjtes, Qeveria e Kosovës nuk miratoi një nismë ligjore të dërguar në ekzekutiv nga legjislativi, por tha se çështjet që adresohen aty do të përfshihen në një projektligj të sponsorizuar nga qeveria, që ka të bëjë me rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë së koronavirusit.

Nisma për miratimin e një ligji për luftimin e pandemisë ka qenë e kryeparlamentares Vjosa Osmani, të cilën ajo e dërgoi në qeveri për opinion.

Legjislacioni i propozuar nga Osmani, që është hartuar në muajin prill, ishte i bazuar në nenin 65, pika 1 e Kushtetutës së Kosovës, që ua lejon deputetëve inicimin e nismave legjislative.

Ky projektligj, që nuk u mbështet nga qeveria, mëtonte që të ndihmonte në zbatimin e kufizimit të të drejtave kushtetuese, vetëm gjatë kohës së përballjes me pandeminë.

Pas rritjes së numrit të rasteve të vdekjeve dhe të të infektuarve me koronavirus, më 6 korrik, në Kosovë hynë në fuqi masat e reja të miratuara nga Qeveria e Kosovës.

Në masat e reja përfshihet edhe ndalimi i qarkullimit të qytetarëve në komunat që kanë numër të madh të rasteve me COVID-19, si: Prishtina, Prizreni, Ferizaj dhe Vushtrria.

Po ashtu në katër komunat veriore, të banuara me shumicë serbe, po aplikohet e njëjta masë, ku qytetarët nuk lejohen të lëvizin nga ora 21:00 deri në orën 05:00.

Që prej 13 marsit kur janë paraqitur rastet e para e deri më 9 korrik, në Kosovë janë regjistruar 4,307 raste me koronavirus. Prej tyre, 94 pacientë kanë vdekur dhe 2,095 janë shëruar.

1 komente në “Osmani: E turpshme që qeveria “Hoti” nuk miratoi projektligjin kundër koronavirusit”

  1. Fatosi-kosove says:

    Edhe me i turpshem eshte lehja e osmankes ne twitter apo para mediave,ku ishe ti e “nderuar” sa ishte Kurti kryeminister,pse nuk e dergove kete ligj per miratim,pastaj kishte edhe kerkesa nga PDK psh per nje pako qe ti e kundershtove me urrejtje sepse vinte nga PDK, ti nuk e ke hallin e atyre qe kane vdekur e aq me pak te te gjalleve qe mund te preken nga virusi, i vetmi qellim yti eshte te mbetesh ne media kinse po ban diqka, qe ne te vertet je turpi i kohes,ti vertet ke disa “mbeshtetes” por nese hulumtojme ata Jane ish perkrahes te millosheviqit 100% ,qe sot ne kosove mbeshtesin apo votojne qiftin tend apo secilin qe del kunder atyre qe dikur serbia i ka denuar,e mjerisht te tille kemi akoma ne kosove qe tash ti po orvatesh ta marresh bajrakun kinse te tjeret frigoheshin,ti je turpi i kohes qe bashke me ish proserbet e dikurshem jeni futur ne LDK qe me me deshire do te ishe e ishin ne SPS sesa ne LDK sepse zemra ju qane per tashme te ngordhuren jugosllavi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje