Kosova dhe BE-ja "pajtohen" për zgjatjen e mandatit të EULEX-it

12 Korrik 2020, 08:50Rajoni TEMA

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha të shtunën se është pajtuar për “zgjatjen teknike njëvjeçare të mandatit të misionit të EULEX-it” nëpërmjet një letërkëmbimi me shefin e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

“Zgjatja teknike po bëhet pasi që pandemia ka pamundësuar negociatat për të ardhmen e mandatit të EULEX-it”, thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentit në të cilën theksohet se në letërkëmbimin e tij, presidenti Thaçi ka shprehur gatishmërinë që “në mënyrë që të sigurojmë vazhdimësinë e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë gjatë këtyre rrethanave të jashtëzakonshme, Kosova pajtohet për një zgjatje teknike të EULEX KOSOVA, më së voni deri më datën 14 qershor 2021”.

EULEX-i u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008.

Ndonëse ishte shkurtuar dhe ndryshuar nëpër vite, ai ruante fuqi ekzekutive dhe trajtonte krimet e luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësoheshin me të ndejshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.

Aktualisht ky mision vëzhgon procese gjyqësore të caktuara në sistemin e drejtësisë të Kosovës, dhe ka mandat të kufizuar si “reagues dytë në fushën e sigurisë”, pas policisë së Kosovës.

EULEX-i ndihmon Gjykatën e Posaçme për Kosovë me seli në Hagë, që njihet me emrin Dhomat e Specializuara me mbështetje logjistike dhe operacionale, në përputhje me ligjet e Kosovës. /VOA/

1 komente në “Kosova dhe BE-ja “pajtohen” për zgjatjen e mandatit të EULEX-it”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje