Durrësi: Kujtesa e shkurtër e qytetit antik

13 Korrik 2020, 17:32Sociale TEMA

Durrësi ka një histori 3.000-vjeçare dhe qyteti jeton mbi objektet e shumta arkeologjike – mjaft prej të cilave ende të pazbuluara. Ndërkaq, kujtesa e tij mbetet gjithnjë e më e afatshkurtër.

Nga Gëzim Kabashi

Shtatë vjet më parë, kur fabrika 87-vjeçare e Cigareve në Durrës filloi të shkatërrohej për t’ia lënë vendin një institucioni arsimor privat, disa artistë dhe artdashës  i kërkuan investitorëve të rinj, që të ruanin të paktën basorelievin në faqen ballore të godinës.

Sipas tyre, përveçse dëshmonte një nga momentet e veçanta të historisë së kësaj fabrike, vepra artistike mund të shërbente si një kujtesë qytetare për ndërmarrjen më të vjetër të qytetit ku punuan mijëra bashkëqytetarë.

Në vend të godinës së amortizuar tashmë është ngritur një strukturë e re me elemente klasikë, por askund nuk ka asnjë shenjë të STAMLES-it (Shoqata Tregtare Anonime Monopol i Letrës dhe Shkrepësve) e krijuar në vitin 1926, ndërmarrje që duket sikur e ka përpirë harresa.

Asnjë shenjë që ta kujtojë kontributin e saj në jetën ekonomike dhe sociale të qytetit bregdetar nuk ka mbetur në faqet impozante të godinës së re.

Gjergj Vlashi, regjisor, shkrimtar dhe përkthyes, e konsideron të mangët kujtesën e qytetit pa shenjat e kësaj fabrike, një nga të parat e këtij lloji të ngritura në Ballkan.

Mjeshtri Vlashi, i cili ka lindur në Durrës në vitin 1928 dhe nuk është larguar nga qyteti i lindjes, e quan tepër të rëndësishëm rikthimin e vëmendjes së bashkëqytetarëve në institucionet dhe veprat e së kaluarës.

“Këto janë pjesë të historisë së qytetit,” vlerëson shkrimtari, duke shtuar se veç bashkëqytetarëve më të rinj duhet t’ia tregojmë këto edhe vizitorëve vendas dhe të huaj. Dhe tabelat në disa gjuhë janë mjaft të përshtatshme.

“Disa ditë më parë diskutonim se cilat janë Shkallët e Armenit, dëshmon Gjergj Vlashi, duke rikujtuar  dyqanet dhe vilat e ngritura në vitet 1930 në bulevardin kryesor nga të ardhurit armenë, që u vendosën në qytetin bregdetar.

Duket e çuditshme, që kishim mendime të ndryshme dhe i ngatërronim vendndodhjen e shkallëve, e bashkë me to edhe historinë e 80-90 viteve më parë – shprehet intelektuali I njohur.

“Duhet të pranojmë që ne dijmë pikërisht ato që mbajmë mend mire, të tjerat harrohen – shprehet gati në formën e një sentence Gjergj Vlashi, i cili më 13 korrik do të festojë 92-vjetorin e lindjes.

Tani që në Durrës nuk ka asnjë kinema megjithëse qyteti ka më shumë se 200 mijë banorë, të moshuarit kujtojnë periudhën kur në qytet funksiononin 5 salla projeksioni.

Në vendet ku ndodheshin kinematë e dikurshme aktualisht nuk gjen asnjë tabelë treguese, njëlloj si tabela e munguar në Shkallët e Armenëve, një nga komunitetet më interesante dhe me shumë kontribute në jetën qytetare.

Durrësi ka një histori 3.000-vjeçare dhe qyteti jeton mbi objektet e shumta arkeologjike, mjaft prej të cilave ende të pazbuluara. Ndërkaq, kujtesa e tij mbetet gjithnjë e më e afatshkurtër.

Qendra e qytetit vazhdon të ndërtohet pikërisht aty ku janë gjetur elementet e qendrës antike dhe mesjetare të Durrësit: amfiteatri, termat, rotonda mesjetare, etj.

Në lagjen 11, arkeologët në marrëveshje me ndërtuesit kanë lejuar bashkëjetesën e disa monumenteve me pallatet e rinj. Mozaiku me Rozetë  ndodhet i paprekur në bodrumin e një godine të re, por krejtësisht i paimitueshëm.

Po ashtu edhe një furrë mesjetare për prodhimin e qeramikës.

Nga lagjja e periudhës romake që u zbulua gjatë hapjes së themeleve të një godine masive në lulishten “1 Maji” ka mbetur e paprekur vetëm një sipërfaqe prej disa dhjetëra metrash katrore.

E ruajtur në bodrumet e pallatit që u ngrit mbi të, kjo pjesë e historisë së qytetit nuk është bërë ende e vizitueshme për shkak të burokracisë vendore dhe shtetërore.

Gjergj Vlashi ishte 19 vjeç, kur bashkë me një grup bashkëmoshatarësh kanë ndihmuar arkeologun Vangjel Toçi në zbulimin e Mozaikut dyngjyrësh me Kalë deti.

Nga viti 1947 mozaiku është hapur edhe dy herë të tjera, por arkeologët kanë vendosur që ajo të mbesë nën dhe’, ku mund të konservohet më mirë.

“Por kjo nuk e justifikon mungesën e një tabele që dëshmon të dhënat e monumentit me rëndësi të veçantë –vlerëson 92-vjeçari durrsak Gjergj Vlashi.

3 komente në “Durrësi: Kujtesa e shkurtër e qytetit antik”

  1. Bbb says:

    O Gëzim mos u lodh …jo partive tona te dashiura po as shqiptareve nuk i intereson për Durrësin….e duan vetëm sa për të ardhur në verë e për të shurruar në det
    Durrës ska mo….me vullnet të gjithë shqiptarëve!

  2. pi=3.141... says:

    Gezim, pergezime per shkrimin – te inkurajoj te shkruash perseri. Mbase sensibilizohet masa qytetare e durresit
    dhe mbase i veme fre marrezise se ndertimeve ne qytetin tone.
    Fatkeqesisht, durresi eshte shembulli i turpit kolektiv sesi mund te shkaterrohet nje qytet. Shihni pallatet
    anash bashkise – nje turp! Pallatet pergjate vollges – nje turp! Pallatet kudo – nje turp qe te nxin faqen.

    1. Bbb says:

      Ti pi-ja greke e sigurt qe nuk rron ne Durres….edhe mos me hedh me asnje pike beton Durresi eshte groposur!
      Edhe perveçse i groposur nën beton skadent ….përveçse i groposur nën rrënoja…tani Rilindja me rastin e fushates e groposi edhe nën borxhe
      Mua qe më eshte shakterruar shteoia nga termeti nga 1 miliard euro borxhe mu dhane 1500 euro ….pjesa tjeter do te perdore per….Kombinatin me fame botërore
      Edhe une qe mezi po nxjerr qerane tani duhet tu le amanet nja 3-4 brezave pas meje qe te paguajne borxhin e fushates te Lali Eri pushtit ne Kombinat

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje