Beratasit martohen në Fier, Vlorë e Tiranë jo në qytetin e tyre. Bllokohen lokalet, urdhëri i qeverisë zbatohet vetëm në këtë qark. Reagon biznesi

21 Korrik 2020, 08:08Sociale TEMA

Nëse të rinjtë beratas kërkojnë të martohen dhe të bëjnë ndonjë dasmë të vogël sa për adet dhe për të mbledhur njerëzit më të afërt, janë të detyruar të shkojnë në Fier, Vlorë e deri në Tiranë.

Kjo ndodh jo se nuk ka lokale me ambiente të hapura dhe moderne e shërbim cilësor në Berat që të organizohen këto dasma.

Fakti është se vendimet e qeverisë dhe aktet normative gjejnë zbatim të rreptë vetëm në Berat, ndërsa në Fier, Vlorë, Gjirokastër, Durrës dhe Tiranë ahengu nuk ndalet jo vetëm për dasma por dhe për qejf çdo natë.

Ndërsa mbështetja për lejimin e dasmave nuk ka munguar në këto qytete e rrethe që përmendëm, biznesit beratas i qëndron te dera polici me fletën e gjobës në dorë, gati për ta firmosur.

Më datë 16 korrik, me firmë, me vulë dhe numër protokolli, Drejtoria e policisë së Beratit bazuar në urdhërin dhe protokollet e majit të këtij viti të nxjerrë nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes së Qytetarit për të përballuar situatën nga COVID 19, nxjerr urdhërin për bllokimin e aktiviteteve në shërbim të qytetarëve.

Mes këtyre aktiviteteve të bllokuara sipas urdhërit të policisë së Beratit, është dhe ai për ndalimin e ceremonive martesore e ceremonive mortore. Asnjë konsultim me këto biznese, të cilat janë në prag të falimentimit. Urdhëri ka mbërritur në adresën e të gjitha bizneseve, të cilat janë ankuar se se taksat i paguajnë një më një.

“Taksat i paguajmë, se burgun e morëm vesh. Tatimet do na i kthejnë, ndonjë kompensim do na japin për bllokimin total të punës? Ketë nuk ju pergjigjemi dot, -na thotë policia.

Nuk na kanë therritur asnjë nga institucionet për problemet që kemi, as na kanë pyetur për vështirësitë që na kanë çuar në prag të falimentit. Pasi kemi mbyllur lokalet, klientët kanë “gjetur” siguri për të zhvilluar dasmat në Fier, Vlorë dhe në Tiranë, pavarësisht se urdhërat e vendimet e qeverisë janë njëlloj për të gjithë.

Me përpara vinin nga Fieri e Lushnja në Berat për shkak të punës së mirë që bënim. Tani ata u japin siguri për dasmën dhe ua realizojnë, kurse Berati nuk guxon të hapë derën e lokalit se çdo 20 minuta e ka policin prezent, me urdhër të veçantë”, shprehen përfaqësues të këtyre bizneseve të bllokuara.

Ata kërkojnë që të paktën në periudhën e mbetur në korrik, dhe muaji gusht që janë për punë, edhe Berati të trajtohet njëlloj si Fieri, Tirana, Vlora, Durrësi dhe të shfrytëzojnë ambientet e hapura konform ruajtjes së distancës për të ngritur kokën sadopak në këtë situatë të rëndë krize.

Përfaqësuesit e këtyre bizneseve shprehen se Berati është një vend i qetë, pa vjedhje dhe vrasje, dhe e meriton të paktën të trajtohet si rrethet e tjera përsa i përket shërbimit për ceremonitë e dasmave dhe ato mortore. Për më tepër që dhe pandemia është më pak e përhapur në këtë qark se sa në ato qarqe ku dasmat nuk janë ndalur asnjëherë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje