Albin Kurti nderon Adem Demaçin: Ky njeri shpirtmadh e mendjefortë. Kurrë nuk u step prej frikës e nuk u mposht prej dhimbjes, gjithnjë thoshte të vërteta therëse

26 Korrik 2020, 12:23Rajoni TEMA

Sot bëhen dy vite që është ndarë nga jeta Adem Demaçi, heroi i qëndresës shqiptare, i cilësuar edhe si Mandela i Kosovës dhe Europës.

Ish-kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me anë të një postimi në rrjetet sociale e kujton Demaçin si një vigan që i ra për hise popullit shqiptar

Ai thotë se Adem Demaçi ishte një njeri shpirtmadh e mendjendritur, që kurrë nuk u step prej frikës e kurrë nuk u mposht prej dimbjes, por tha gjithmonë të vërtetën universale të lirisë.

Kurti shkruan se Demaçi u përball me Rankoviqët, Titoistët dhe Millosheviqët, por kurrë nu u tremb prej tyre, ndërsa thotë se edhe sot mendohet dhe veprohet sikur Adem Demaçi të ishte mes nesh.

“Sot u bënë dy vjet pa Bacën Adem. Ai është ndër personat më frymëzues e formësues për mua e për Lëvizjen tonë.

Adem Demaçi i përjetoi tri jugosllavitë dhe hyri tre herë në burg. 28 vjet gjithsej i kaloi si i burgosur politik. Kur e liruan në prill 1990, tha se po del nga burgu i vogël në burgun e madh. Vazhdoi veprimtarinë politike pa pushim e kursim për veten.

Kurrë nuk u step prej frikës, kurrë nuk u mposht prej dhimbjes, kurrë nuk u ligështua prej trysnisë. Me thjeshtësi e qartësi të madhe intelektuale, me lakonizmin karakteristik, ai gjithnjë thoshte të vërteta therëse. Kjo cilësi iu njoh e iu vlerësua edhe nga Parlamenti Evropian, që i akordoi Adem Demaçit çmimin prestigjioz «Saharov» për lirinë e të menduarit.

Shkroi, tha e bëri aq shumë gjëra me peshë të rëndë politike, shoqërore e letrare, ndonëse tentativat për ta kufizuar, penguar e censuruar kurrë nuk munguan. Përballë Rankoviqëve, Titoistëve e Millosheviqëve, ky njeri shpirtmadh e mendjefortë, foli e tha të vërtetën universale të lirisë. E tha për popullin shqiptar, sepse këtij populli i ra për hise, falë zotit, një vigan i tillë.

Sot, kur mendojmë, mendojmë edhe a thua çka do të mendonte ai. Prandaj, kur veprojmë, veprojmë sikur edhe ai të ishte me neve”, shkruan Kurti

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje