Në rrugë pas 40 vitesh, familja nga Durrësi: Shtëpinë po na e merr një person që s'ka lidhje me pronarin izraelit Rafael Jakoeli, fitoi gjyqin

12 Gusht 2020, 16:06Sociale TEMA

Një familje nga Durrësi po përballet me presionin e nxjerrjes në rrugë, pasi pronari i banesës, ku ajo jeton prej afro 4 dekadash, ka qenë një shtetas izraelit, pronat e të cilit u shtetëzuan pas vitit 1945.

Pas shumë vitesh heshtje për këtë pronë, në vitin 2019 me një vendim gjykate të formës së prerë, kjo banesë në Rrugën Tregtare të Durrësit kthehet te një trashëgimtare e shtetasit izraelit, ndërsa familja rrezikon të përfundojë në rrugë.

“Quhem Lulzim Osmani. Jam 70 vjeç dhe familja ime përbëhet nga 7 veta. Njëra nga mbesat është paraplegjike. Jetoj këtu që nga viti 1983, por pas kthimit të sistemit kur prona nisi të kthehej tek i zoti, askush nuk na trokiti në derë për banesën. Deri në vitin 1997, qiranë ma ka marrë shteti.”

Për të kundërshtuar vendimin, familja ka ngritur një padi në gjykatë duke kërkuar dhe pezullimin e ekzekutimit të vendimit për njohjen e pronësisë së banesës. Megjithatë këtë të mërkurë zyra e përmbarimit jo-publik kishte vendosur nxjerrjen forcërisht të Osmanëve nga banesa.

Bërja publike e çështjes, shtyu deri më 1 shtator ekzekutimin e vendimit, ndërsa familja kërkon ndihmë për strehimin në pritje të gjykimit të mëtejshëm të rastit.

“E kërkoj të drejtën e strehimit si çdo qytetar. Këtë të drejtë ma jep kushtetuta. Këta nuk janë pronarët e vërtetë. Nuk provojnë as çfarë lidhjeje familjare kanë me Rafael Jakoelin.”

Një urdhër ministror i fundvitit 2013 për lirimin e banesave të ish-pronarëve nga qiramarrësit, u kërkon autoriteteve përgjegjëse shtetërore të sigurojnë strehimin në banesa sociale ose ndihmën me bonuse strehimi, kur në përbërje të familjes që duhet larguar nga banesa ka të moshuar mbi 70 vjeç dhe fëmijë, apo persona të sëmurë, si në rastin e kësaj familjeje në Durrës./tch

2 komente në “Në rrugë pas 40 vitesh, familja nga Durrësi: Shtëpinë po na e merr një person që s’ka lidhje me pronarin izraelit Rafael Jakoeli, fitoi gjyqin”

  1. Krio says:

    prona tjetrit eshte e tjetrit. thu shyqyr qe t kalon edhe aq.
    mos e zgjat
    shko gje shpi.
    me qerra ka sa dush
    n fshat ka me pak lek
    po n Durres dhe te shpia tjetrit s ka vlla
    nqs beson n Zot kjo eshte e verteta

  2. Ksenia Jakoel Efimovski says:

    E nderuar redaksi e gazetes Tema,
    Me quajne Ksenia Jakoel Efimovski, jam nje pjestare e familjes Jakoel dhe nje nga trashegimtaret e Rafael Jakoelit.
    Pronat e familjes tone jane marre nga rregjimi komunist qe ne 1945. Qe mbas vitit 1992 kemi filluar procedurat per te rrimare keto prona.
    Zoti Osmani pretendon se personi qe ka fituar gjyqin nuk ka lidhje me ne POR kjo eshte genjeshter. Ai eshte anetar i familjes tone dhe mbi te gjitha eshte i pajisur me prokure dhe dokumenta, me te cilat u paraqit ne gjyq ne emrin e familjes, gjyq te cilin e fituam. Zoti Osmani eshte lajmeruar disa here per hapat qe po beheshin dhe jemi informuar qe eshte paisur me kredi te bute nga Bashkia e Durresit dhe Enti Kombetar i banesave ne Durres.
    Ka ardhur koha ,pas 30 vjetesh, qe kjo ceshtje, me ne fund te mbyllet. Me vjen shume keq qe nje gazete e nderuat si kjo e juaja, duke shkelur gjithe rregullat e gazetarise, te botoje nje shkrim te tille pa bere asnje verifikim. Me miresjellje ku kerkoj qe te botoni nje korrigjim.
    Ksenia Jakoel Efimovski

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje