Një lajm i mirë vjen për emigrantët shqiptarë që jetojnë dhe punojnë në Greqi.
Nisur nga situata e pandemisë së COVID-19, Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë njofton se të gjitha pasaportat e shqiptarëve që kanë skaduar apo skadojnë, u shtyhet vlefshmëria deri më dt. 31/12/2020 dhe janë të pranueshme nga Qendrat e Shërbimit të Emigrantëve për të kryer çdo procedurë ligjore.
Me një qarkore të dates 5 gusht 2020, zyrat për shërbimin e emigrantëve udhëzohen të zhvillojnë normalisht procesin e legalizimit, të rinovimit të lejeve të qëndrimit apo pajisjes me vërtetimet e aplikimit, duke pranuar si dokument i vlefshëm udhëtimi pasaportat që skadojnë brenda vitit 2020.
Sipas qarkores, në vendim përfshihen shtetasit shqiptarë që janë pajisur me leje qëndrimi sipas dispozitave të ligjit 4251/2014.
Vendimi është një lehtësim shtesë për emigrantët shqiptarë në Greqi, pas shtyrjes së afatit të lejeve të qëndrimit dhe vërtetimeve të rinovimit, gjithashtu deri në fund të vitit.
Rinovimi i pasaportave është kthyer në një makth të vërtet, pas fluksit të lartë në konsullatat e Athinës e Selanikut, shkaktuar si nga numri i madh i aplikantëve, ashtu dhe nga lockdown thuajse dy-mujorë në vend.
Ndërkohë që vendimi i shtetit shqiptar për shtyrje të pasaportave biometrike deri në fund të 2020 nuk është adoptuar akoma në organet e tjera institucionale të Greqisë, duke penguar kryerjen e procedurave të tjera rutinë, si tatimore, transaksione bankare, madje edhe ato edukative e shkollore, për të rinjtë.
Në këtë aspekt, komuniteti shqiptar në Greqi është në pritje të një reagimi zyrtar unanim përkundrejt vendimit të qeverisë shqiptare, për shtyrjen e afatit të skadimit të pasaportave, deri në 31 dhjetor 2020.