Mësimi me turne deri në 8 të darkës: Tre skenarët si do të hapen shkollat

26 Gusht 2020, 13:18Bota TEMA

Ministria e Arsimit ka përgatitur 3 skenarë për nisjen e vitit të ri shkollor, për mënyrën se si do të zhvillohet, mësimi në kohë pandemie.

Mediat kanë bërë me dije se skenari i parë është që mësimi të zhvillohet në ambientet e shkollës, por në zonat rurale për shkak se numri i nxënësve në klasa është deri në 20 veta. Ndërsa për shkollat e tjera ku është i mundur distancomi fizik mësimi do të zhvillohet normalisht si përpara pandemisë. Por kjo nuk vlen për shkollat ku ka shumë fëmijë. Në këto shkolla mësimi do të bëhet me turne dhe ora e mësimit do të jetë 30 minuta. Siç shkruhet në draftin e Ministrisë mësimi do të nisë në orën 08:00 në mëngjes dhe do të mbyllet po në këtë orë në darkë, për shkollat që kanë shumë fluks nxënësish.

Në draft përcaktohet se qëndrimi në klasa i nxënësve do të jetë në largësinë dy metra dhe në bankë do qëndrojnë vetëm 1 nxënës. Për shkollat që do të bëjnë mësimin me turne, paradite do të zhvillohet mësimi për klasat fillore.
Ashtu si është thënë edhe më herët nga Ministrja e Arsimit Besa Shahini apo edhe përfaqësues të tjerë të Ministrisë, ka edhe një skenar që mësimi mund të zhvillohet i kombinuar, në klasë dhe online. Por nxënësit që bëjnë mësim online nuk do të vlerësohen me nota.

Në skenarët e paraqitur nga Ministria e Arsimit është edhe mësimi online, por ashtu si përcaktohet në draft, ky skenar do të aplikohet vetëm nëse shifrat e virusit Covid-19 do të përkeqësohen.

Gjithashtu në skenarë përcaktohet se temat që do të zhvillohen në klasë i përmbahen programit lëndor dhe klasat gjatë dy javëve të para të shkollës do të jenë një përsëritje e njohurive kryesore të zhvilluara gjatë periudhës së mësimit në kushtet e shtëpisë

“Temat e përsëritjes mund të ndryshojnë në varësi të specifikave që ka secili mësues lidhur me nevojat e nxënësve. Megjithëse temat e listuara do të përdoren nga të gjithë mësuesit, ata janë të lirë të bëjnë ndryshime apo spostime në lidhje me orët e projekteve, orët e testeve, orët e vlerësimeve të portofolit etj., hap pas hapi në varësi të specifikave të lëndës së tyre dhe të nevojave të nxënësve. Procedura për hartimin dhe për dorëzimin e planeve vjetore dhe të periudhave do të jetë njësoj siç është parashikuar në udhëzuesit kurrikularë lëndorë, duke ruajtur radhitjen e temave mësimore,” përcaktohet më tej në draft projektin e hartuar nga Ministria.

Diçka tjetër e rëndësishme që theksohet në projekt është se në fillim të vitit shkollor mësuesi do të dorëzojë pranë drejtorisë së shkollës planin vjetor të lëndës ose të modulit, jo vetëm atë për të gjithë vitin por edhe atë të periudhës shtator-dhjetor.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje