Biznesi në kohë pandemie, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes: 15 miliardë lekë si ndihmë financiare, ja sektorët me potencial të lartë

6 Shtator 2020, 12:00Ekonomia TEMA

Janë 15 miliardë lekë të vëna në dispozicion nga qeveria shqiptare si ndihmë financiare për sektorin e turizmit dhe të industrisë fasone e asaj prodhuese. Në një intervistë për tirananews.al, ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, Eduard Shalsi nënvizon se nëpërmjet paketës së zgjeruar, për subjektet me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, u realizua shtyrja e pagesave të kësteve paraprake të tatim fitimit.

Ministri Shalsi thekson se qeveria shqiptare ka identifikuar disa sektorë të cilët kanë një potencial të lartë dhe u ofrojnë investitorëve mundësi më të mëdha për të investuar siç janë: investime në sektorin e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit, energjitikës dhe manifakturës.

Ndërkaq, qeveria shqiptare është në përfundim të procesit për krijimin e një kuadri ligjor për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve, tërheqjen e investitorëve ëngjëj të huaj, nëpërmjet politikave incentivuese si dhe forcimin e mëtejshëm të ekosistemit të startup-eve duke siguruar vetqëndrueshmërinë e tyre.

Intervista e plotë:

Për shkak të situatës së krijuar nga pandemia shumë biznese kanë shkurtuar vendet e punës dhe ndërkohë ndodhen në vështirësi. Nga takimet që keni pasur cilat janë kërkesat e tyre?

Gjatë kësaj periudhe dhe jo, vetëm kemi ndjekur hap pas hapi çdo problematikë apo shqetësim të ngritur nga sipërmarrja. Jemi të vetëdijshëm që kjo është një sfidë e re dhe aspak e zakonshme për të gjithë, dhe në veçanti për biznesin, i cili është detyruar të ndërmarrë masa për ndryshimin e proceseve të punës brenda një kohe shumë të shkurtër, për t’u përshtatur me këtë realitet të ri.
Në varësi të sektorit ku bizneset operojnë, kërkesat kanë qenë të tipologjive të ndryshme ku më kryesoret lidhen me lehtësirat tatimore (TVSH, tatim fitim, sigurime shëndetësore dhe shoqërore, etj.), subvencionet dhe mbështetjet financiare (për punonjësit, për shërbimet ose për qiranë), lehtësira në proçedurat administrative, problematika me qarkullimin për mallrat dhe punonjësit, si dhe shqetësime në lidhje me transportin ndërkombëtar dhe ndërqytetas.
Lehtësia e komunikimit me të gjithë grupet e interesit, falë urave të bashkëpunimit të ngritura në vazhdimësi, mundësoi adresimin e problematikave kryesore të lidhura me këtë krizë të papritur.

A ka qeveria një skenar në të ardhmen se çfarë mund të bëjë që bizneset të ngrihen sërish?

Kemi përpara nesh një sfidë globale aspak të lehtë. Megjithatë kjo nuk na ka ndaluar të vazhdojmë komunikimin online duke zhvilluar takime të shumtasi me biznesin ashtu dhe me dhomat dhe shoqatat e tregtisëpër konceptimin dhe hartimin e paketave të ndihmës ekonomike.Synimi ynë mbetet të gjallërojmë ekonominë e vendit e cila sigurisht u afektua, sikundër ndodhi në çdo vend të botës.
Qeveria iu erdhi në ndihmë bizneseve nëpërmjet dy paketave ekonomike të cilat kishin si qëllim lehtësimin e sipërmarrjes duke i dhënë biznesit frymëmarrje dhe shpresë për një rimëkëmbje sa më të shpejtë. Ashtu siç kemi bërë deri tani, përgjatë gjithë këtij rrugëtimi të mundimshëm dhe të pazakontë, do vazhdojmë të ecim krah biznesit duke punuar me disa skenarë për tejkalimin e kësaj situate. Patjetër që përballja jonë me Covid-19 është një sfidë që ende nuk është mbyllur dhe për pasojë jemi në mënyrë të vazhdueshme duke mbikqyrur situatën dhe zhvillimet më të fundit në vend dhe në botë për të përshtatur çdo masë apo mbështetje të nevojshme për të ardhmen.
Me fokus të veçantë në kompleksitetin e pandemisë, faza e rimëkëmbjes dhe rikuperimit do të shoqërohet me masa të tjera me qëllim minimizimin e dëmeve dhe rimëkëmbjen sa më të shpejtë të ekonomisë në vend.

Si paraqitet situata me investimet e huaja në Shqipëri në këtë situate pandemie? Janë larguar biznese?

Shqipëria ka qënë dhe mbetet një vend tërheqës për investitorët e huaj falë mikpritjes, politikave nxitëse dhe aksesit në tregjet ndërkombëtare.
Gjendur përballë një situate të paprecedente, patjetër që pandemia do të japë efekte edhe tek investimet e huaja për t’u përshtatur më tej me një realitet të ri dhe me kushte të reja në ekonomitë respektive të vendeve të ndryshme.Qeveria është e angazhuar të zvogëlojë efektet e pandemisë në prezencën e invetitorëve të huaj në vend për të garantuar një nivel mbi 1 miliard euro investime të huaja në Shqipëri për vitin e tretë rradhazi.
Jemi besimplotë se ndryshimet që priten të miratohen së shpejti në Ligjin e Investimeve Strategjike, do të përmbushin më së miri kuadrin ligjor i cili do të jetë në ndihmë të investitorëve të huaj, duke prarshikuar lehtesira proceduriale për të gjithë në mbështetje të parimeve të transparencës dhe barazisë, në të njëtën kohë duke garantuar përputhshmëri me legjislacionin e brendshëm dhe me marrëveshjet ndërkombëtare.

Turizmi si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë ka kërkuar mbështetje. Në këtë situatë mendoni se duhet akoma më shumë përkrahje nga qeveria për këtë sektor?

Shqipëria, për shkak të pozitës favorizuese gjeografike, ofron mundësi të pafundme si det, male, liqene e lumenj, kala, muze dhe site arkeologjike me bukuri mbreslënëse. Mbi të gjitha, kultura Shqiptare e mikëpritjes ka bërë jehonë që nga kohërat e Lord Byron dhe vazhdon të sjellë në vëndin tonë shumë shpirtra kuriozë që eksplorojnë natyrën unike Shqiptare.
Industria e turizmit zë një vend të rëndësishëm në ekonomi dhe është një burim thelbësor për zhvillimin ekonomik. Turizmi jep kontribut në tre dimensione të zhvillimit të qëndrueshëm: krijon vende pune, gjeneron mundësi tregtare për të njohur nevojat dhe mbështetur aktivitetet e turizmit, si dhe krijon kapacitete të rëndësishme që promovojnë përparësitë për ruajten mjedisore dhe larminë kulturore.
Në vitin 2017, qeveria vuri si prioritet sektorin e turizmit me qëllim diversifikimin e këtij sektori si dhepasjen e një turizmi më të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor.Në mbështetje të këtij sektori prioritar, qeveria Shqiptare ka ndërmarrë nisma nxitëse, siç është ulja e TVSH-së nga 20% në vlerën 6%, përjashtimi nga taksa e ndikimit në infrastrukturë për hotelet me 5 yje si dhe përjashtimi nga tatim fitimi për një periudhë 10 vjeçare për hotelet me 4 dhe 5 yje. Me anë të këtyre inciativave promovuese, kemi tërhequr pranë vendit tonë rrjete ndërkombëtare të sektorit të hotelerisë ku me krenari përmëndim emra si: Maritime,Hilton, Marriott International, Melia Group.
Situata e vështirë e krijuar nga virusi, padyshim preku shumë dhe turizmin. Mbyllja e qyteteve dhe vendeve të tëra, kufizimet e udhëtimit si dhe masat e tjera shtrënguese që erdhën si pasojë e parandalimit të përhapjes së virusit, ndikuan në mënyrë të drejtëpërdrejtë në këtë sektor.
Duke qënë përballë kësaj sfide, qeveria shqiptare vuri në dispozicion paketën e zgjeruar të ndihmës financiare prej 15 miliard lekësh në të cilën u përfshi jo vetëm sektori i turizmit por edhe industria fason dhe ajo prodhuese. Nëpërmjet paketës së zgjeruar, për subjektet me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, u realizua shtyrja e pagesave të kësteve paraprake të tatim fitimit.
Ndërkohë që bota po rikthehet ngadalë drejtë një normaliteti të ri, kufizimet e udhëtimeve ka të ngjarë të vazhdojnë dhe për pak kohë. Pavarësisht situatës, ne do të vazhdojmë të mbështesim dhe inkurajojmë investitorët vendas që të vijojnë të investojnë në turizëm, duke e kthyer këtë sektor akoma më atraktiv, dhe duke plotësuar standartet për një funksionim të ri konform rregullave të reja dhe ofrimit të shërbimeve të standarteve turistike.Jo vetëm kaq, por fushata e ndërmarrë në fillim të sezonit turistik #pushoshqip mbështeti jo vetëm bizneset në këtë sektor, por i mundësoi të gjithë shqiptarëve të njohin më mirë bukuritë e pafundme që vendi ynëofron.

Sipas studimeve që keni bërë ju në ekonomi, nëse dikush dëshiron që të hapë një biznes, cilat janë ato degë të cilat do t’i orientonit?

Ne jemi një vend i vogël në sipërfaqje por në të njëjtën kohë një vend i cili ofron mundësi të shumta për të zhvilluar një biznes. Bazuar në kapacitetet që Shqipëria ofron dhe mundësive për zhvillim, qeveria shqiptare ka identifikuar disa sektorë të cilët kanë një potencial të lartë dhe iu ofrojnë investitorëve mundësi më të mëdha për të investuar siç janë: investime në sektorin e infrastrukturës, bujqësisë, turizmit, energjitikës dhe manifakturës.
Nëpërmjet iniciativave në ndihmë të sipërmarrësve tashmë të afirmuar apo dhe atyre të rinj, të gjitha kompanitë janë të inkurajuara të zgjerojnë biznesin e tyre në vendin tonë dhe të përfitojnëjo vetëm nga skemat e ndryshme të subvencionimit të ofruara nga institucionet shtetërore, por edhe nga procedura më të lehtësuara të cilat tashmë kanë eleminuar ecejaket në dyer të shumta institucionesh.Regjistrimi i bizneseve brënda 24 orëve pranë QKB-së, eleminimi i dokumentave të panumërta për përfitimin e një shërbimi por edhe aksesimi në kohë reale iportalit e-albania dhe përfitimi i këtyre të fundit në mënyrë elektronike, janë dëshmi të një mjedisi më të favorshëm për hapjen apo zhvillimin e një biznesi. Puna e nisur nuk do të mbetet vetëm me kaq, duke qënë se digjitalizimi dhe riinxhinierimi i shërbimeve vazhdon me ritme të shpejta duke iu përshtatur në kohë reale kërkesave të biznesit.
Gjithashtu jemi në përfundim të një procesi shumë impenjativ dhe konstruktiv për krijimin e një kuadri ligjor për mbështetjen dhe zhvillimin e startup-eve, tërheqjen e investitorëve ëngjëj të huaj, nëpërmjet politikave incentivuese si dhe forcimin e mëtejshëm të ekosistemit të startup-eve duke siguruar vetqëndrueshmërinë e tyre.

Në fillim të marrjes së detyrës keni deklaruar “Ngjizja e kësaj ministrie synonte të krijonte një avokat për të mbrojtur biznesin, pasi ndeshet me procedura burokratikë dhe kohëzgjatjeje”. Sa mendoni se ia keni dalë?

Besoj se kemi hapur një kapitull të ri në mbështetje të sipërmarrjes së pari duke përmiresuar urat e komunikimit mes institucioneve shtetërore dhe përfaqësive të biznesit. Kemi ndërtuar një rrjet të koordinatorëve të dedikuar të biznesit pranë çdo ministrie dhe në institucionet kryesoreqë synon një komunikim efikas dhe transparent, për të eleminuar burokracitë që ndeshen rëndom në dyert e institucioneve publike.Kemi përmirësuar ndjeshëm sistemin e menaxhimit të ankesave që vijnë nga biznesi si dhe kemi bërë të mundur harmonizimin dhe bashkëpunimin më të mirë ndërinstitucional në përgjigje të kërkesave të biznesit.
Një rëndësi të veçantë i kemi kushtuar zhvillimit të vizitave dhe kontakteve të drejtpërdrejta me bizneset për të parë më nga afër problematikat që këta të fundit hasin në përditshmërinë e tyre.
Jemi të vetëdijshëm për sfidat e tjera që na presin në përmbushje të misionit tonë përkrahës ndaj biznesit dhe mbetemi gatshëm në avancimin e mëtejshëm të nismave konkrete të cilat do të përmirësojnë më tej klimën e të bërit biznes në vend.Është bërë një punë e kënaqshme e cila na motivon, duke na diktuar se kemi ende shumë për të bërë. / L. Tanushi

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje