Basha nuk bën dot as “vezën” e Berishës që iku më 2013, i mësuar keq me “dhurata”

9 Shtator 2020, 13:30Politika TEMA

Edhe Lulzim Basha kërkon që të vijë në pushtet, si të gjithë liderët e tjerë të forcave politike në Shqipëri.

Askush të mos mendojë se kreu i PD kërkon që partia që drejton të qëndrojë në opozitë dhe një mandat të tretë dhe të shohë Edi Ramën të thyejë rekord pas rekordi pushteti në Shqipëri.

Por problemi i Bashës fillon tek rruga e ndjekur dhe njerëzit e përzgjedhur për të bashkuar forcat që të kapë poltronin e kryeministrit. Të cilin ndoshta e sheh në ëndërr çdo natë.

Problemi kryesor tek Lulzim Basha fillon dhe mbaron tek vendimmarrja personale e tij.

Kreu i PD është mësuar gjithnjë që të marrin të tjerët vendimet për të, dhe ai vetëm të ketë komoditetin e shijimit të asaj që i kanë dhuruar.

Pra është mësuar që gjithçka ta marrë dhuratë, pa e përkulur “belin” për të punuar fort dhe për të arritur me forcat e veta, kuptohet dhe me mbështetje, atë që ëndërron apo synon.

E filloi që në shkollën e lartë, të cilën një zot e di nëse e ka përfunduar apo jo në Holandë.

Moshatarët e tij kanë punuar fort për të kapur një bursë studimi jashtë vendit, janë skrapatuar familjet e tyre dhe ata në mërgim për të paguar shkollën dhe një pjesë e kanë arritur përfundimin, pjesa tjetër është thyer.

Lulzim Basha i “këput” një bursë Sorosi bashkë me të dashurën, tashmë bashkëshortja e tij Aurela Isufi-Basha, dhe shkon në Holandë.

Përfiton dhe nga “lidhja e zgjuar”, pasi prindërit e Aurelës, njeri prej të cilëve kishte afri gjaku me njërin nga bossët e firmave mashtruese piramidale, punonin në këto firma. Fituan pa hesap.

Ndërsa Basha përfitonte pagesën qyl për shkollën, me ndihmën e pakursyer dhe të një holandezi të cilin  Basha pasi erdhi në pushtet e abandanoi, fati i ndriti duke shkuar dhe në Kosovë.

Vendosën sërish të tjerët për të dhe sërish të tjerët vendosen që të vijë në Shqipëri dhe të futet në politikë. Ishte Argita Berisha-Malltezi “kujdestarja” e Bashës. Dhe Sali Berisha u bë “ati” i tij!

Përmes babait të saj kryeministër, Argita i dhuroi postet më të larta që mund të kishte ky vend, nga ministër i Transporteve, ministër i Jashtëm, ministër i Brendshëm e deri kryetar bashkie i Tiranës. Këtë të fundit ia vodhi në tavolinë Edi Ramës, përmes ish kreut të KQZ Arben Ristani.

Tani do të thotë dikush që u bëri “naftën” të gjithave, kjo është më se e vërtetë.

Si ministër Transportesh, abuzoi me Rrugën e Kombit dhe zhduku 230 milionë euro nga arka e shtetit. E ka përcaktuar raporti i KLSH këtë shumë dhe jo ne.

Si ministër i Jashtëm nënshkruan marrëveshjen me homologen greke Dora Bakojani dhe i fal Greqisë kilometra të tërë nga territor shqiptar.

Ndërhyri Gjykata Kushtetuese, që u vu në lëvizje nga PS dhe Rama dhe e rrëzoi këtë marrëveshje, të cilën Sali Berisha vijon ta qajë dhe sot e kësaj dite.

Si ministër i Brendshëm mban përgjegjësinë e plotë për vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës së atëhershme me duar në xhepa para kryeministrisë më 21 janar 2011.

Ndërsa si kryetar bashkie qëndroi për katër vite pa bërë asnjë gjë në shërbim të qytetarëve, por mori një shtesë pallati pa leje për vete, pajisi dhëndërrin e Berishës, Jamarbër Malltezi me leje ndërtimi në Tiranë dhe sot ka një kompleks prej 20 milionë eurosh pallate. Ndërsa doroviti klientelën me leje ndërtimi që as gjykata nuk i anuloi dot më pas.

Dhe kur humbi pushtetin, Berisha sërish i bëri dhuratën e madhe: Partinë Demokratike. Të cilën e katandisi një thelë.

Nguli çadrën para kryeministrisë që në fillim të vitit 2017, duke i kërkuar kundërshtarit politik Edi Rama që t’i sillte të firmosur në dorë dorëheqjen.

Dhe në fund të herës, pas pesë orë bisedimesh kokë më kokë, arrin marrëveshjen me kreun e qeverisë Edi Rama.

Merr gjysmën e qeverisë, ministritë kryesore nga e Brendshmja e deri tek e Arsimit, Punës dhe Drejtësisë si dhe të gjitha drejtoritë e përgjithshme që bënin lekë. Nga OSHEE tek Hipotekat!

Dhe deklaron hyrjen në zgjedhjet parlamentar! Dhe këtu nuk vendos vetë. Eshtë Kunati ai që në bazë të përqindjes së lekëve të hedhura përcakton listën e kandidatëve për deputetë, duke lënë jashtë saj që nga Jozefina Topalli, Astrit Patozi e Majlinda Bregu e deri te Genc Ruli e Arben Imami. I zëvendësoi me Salianjin dhe çunin e Fahri Balliut dhe me anonimë të tjerë.

Rezultati dihet: Rama mori i vetëm 74 mandate deputeti në zgjedhjet e 25 qershorit, ndërsa Basha e lëshoi PD nën minimumin historik të vitit 1997 dhe me 200 mijë vota mangut nga viti 2013 kur Sali Berisha iku nga pushteti me lot në sy.

Tani po bën katër vite që Basha deklaron bashkimin e PD, thithjen e potencialeve të larguara nga kjo parti dhe krijimin e blloku të fortë politik përballë Ramës.

Por duke qënë se asnjëherë nuk vendos vetë, vendosin gjithnjë të tjerët për të, dhe këtë proces e fillon së prapthi, duke përjashtuar nga procesi i përzgjedhjes nga baza, të gjithë politikanëve kritikë por që mund të merrnin përsipëre barrën e fushatës elektorale për të risjellë PD në pushtet.

Salianji e Balliu i “kujtojnë” Topallit e Patozit se çfarë ka bërë PD ndër vite për ta, ndërsa këto figura potenciale vetëm kanë përfituar nga kjo parti.

Që këtu fillon absurdi, e deri tek kërkimi i formularëve për Topallin apo të tjerët. Basha nuk i afron dot njeri, pasi nuk vendos vetë për asgjë. Dëgjon dhe këshilltarët miozerabël siç i quan Berisha. Vetëm emrat kanë ndryshuar, por janë të njejtat forma “vemjesh”!

Ndonëse e paraqiti tërë lëvizjen e tij për thithjen e potencialeve politike të larguara ose të përjashtuara nga PD si diçka të ngjashme me atë që bëri Sali Berisha në vitin 2005, përfundoi në një komision ekstra-statutor që në fund të herës sërish tek Salianji e Balliu Junior do përfundojë.

Berisha e zgjidhi vetë hallin, vuri veton dhe deklaroi se aty do të jetë, deputet deri sa të dojë vetë, pra deri në fund të jetës.

Ndërsa ish kreu i PD Sali Berisha në vitin 2005 afroi që nga Neritan Ceka e Arben Imami të ikur në vitin 1992 nga PD e deri tek Genc Ruli e Genc Pollo, Lulzim Basha nuk arriti të rikthejë as Jozefina Topallin për të cilën ka aq shumë nevojë në Shkodrën e lënë pa përfaqësim apo me përfaqësim aspak dinjitoz për kryeqendrën e Veriut. Kjo i paraprin dhe rezultatit të pritshëm.

PD e sinjalizoi humbjen me 25 prill që një natë më parë, ku përmes nënkryetarit Edi Paloka përgatiti alibinë: Rama po përgatitet për vjedhjen e zgjedhjeve. Një “film” i parë pas vitit 2017, ndonëse i kishte vetë të gjitha pushtet ditën e zgjedhjeve.

E thënë shkurt dhe qartë, Lulzim Basha nuk e bën dot as “vezën” e Sali Berishës së vitit 2013 që të rikuperojë sëpaku ato 200 mijë votat neto demokrate që humbi më 2017.

Jo më të përballet me Ramën dhe t’i marrë pushtetin. Fundja Basha është mësuar vetëm me “dhurata”.

Por tani Berisha është tepër i plakur që t’ia bëjë, Argita ka vënë goxha “dhjamë” gjatë pushtetit të babait dhe më vonë dhe kërkon ta konsumojë në qetësi. Ndërsa plaku holandez ka vdekur i dëshpëruar nga refuzimi i Bashës që kur u bë ministër./M.Nikaj-TemA

2 komente në “Basha nuk bën dot as “vezën” e Berishës që iku më 2013, i mësuar keq me “dhurata””

  1. 001 says:

    Ajo historia e sponsorit hollandez nuk eshte histori lgbt-je pra qirje me interes apo jo lulqim?

  2. qytetar says:

    Kamarieret me bakshishe bejne Villa !!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje