Viti 1901: Përleshje me armë mes arnautëve të Vokshit dhe banorëve të Gjakovës

12 Shtator 2020, 11:33Dossier TEMA

Më 24 janar 1901 konsulli austro-hungarez Gerent Muthsam raportonte nga Prizreni:

“Këto ditë ndodhi një përleshje e përgjakshme mes disa arnautëve nga fshati Voksh dhe banorëve të Gjakovës.

Një bashkëpunëtor i konsullatës tregon si vijon këtë ngjarje: “Të dielën, më datën 20 të këtij muaji, tre arnautë të fshatit Voksh (në jug të Deçanit) erdhën në ditën e pazarit në Gjakovë.

Sapo hynë në qytet, ata u arrestuan me urdhër të lejtënantit të xhandarmërisë, Jahja Agës, (një arnaut nga Berisha afër Gjakovës, të cilit ata me gjasë i kishin borxh) dhe u futën në burg.

Kur në Voksh morën vesh për këtë masë, 50 arnautë të atjeshëm të armatosur u nisën për në Gjakovë për t’i nxjerrë nga burgu vëllezërit e fisit të tyre.

Kur arritën në Gjakovë në mëngjesin e datës 21 janar (1901), ata së pari depërtuan tinëz te burgu i qytetit, hodhën në ajër portën, i lidhën rojet e përgjumura, i liruan tre bashkëfshatarët dhe me atë rast u ndihmuan edhe të burgosurve të tjerë të ikin nga burgu, pastaj bashkë me shokët e liruar u përpoqën të ikin.

Ndërkohë për këtë rast u njoftuan Jahja Aga dhe pushtetari i këtushëm Myrteza Pasha, të cilët alarmuan disa xhandarë dhe banorët e këtushëm dhe së bashku filluan t’i ndjekin arnautët.

Gjatë këtyre përleshjeve nëpër rrugë u vra një arnaut nga Vokshi dhe u plagos rëndë një fan, shërbëtor i të përmendurit Jahja Aga (fan: katolik me prejardhje nga Mirdita).

Vokshianët e tjerë ia dolën të ikin përkundër ndjekjes. Nga të burgosurit e ikur deri më tani nuk është kapur asnjëri”.

Shkëlqesi, konsiderova se duhet t’ju njoftoj për këtë rast për shkak se mund të ketë pasoja të përgjakshme.

Po këtë raport konsulli ia dërgoi edhe ambasadorit austro-hungarez në Konstantinopojë (Stamboll).”

Përktheu dhe përgatiti: E.R.

3 komente në “Viti 1901: Përleshje me armë mes arnautëve të Vokshit dhe banorëve të Gjakovës”

  1. Kalec Dega says:

    Nuk e kuptoj perse i quan Arnaute dhe ‘ Banore’ te Gjakoves?
    Perse ben nje dallim kaq te madh midis popullates , autori?
    A do te thote shqiptaret kunder turqve te Gjakoves ose muslimaneve shqipfoles te Gjakoves?

  2. Lani says:

    Arnaut dhe banor i Gjakovës. Kush ma bën dallimin o kolegë komentues?!

    1. tourkalvanos.... says:

      Arrnaut -shqiptar(sipas turqeve)….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje