DETAJET: Si u ekzekutua Bujar Çela teksa futej në lokal për kafenë e mëngjesit

17 Shtator 2020, 09:17Politika TEMA

Të tjera detaje dalin në dritë nga atentati që ndodhi mëngjesin e sotëm në Elbasan, ku është ekzekutuar me armë zjarri 50-vjeçari Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës.

50-vjeçari Çela, i cili punonte si taksist pa licencë, shkonte çdo mëngjes herët te lokali, ku u ekzekutua, që rrinte i hapur 24 orë, dhe priste pasagjerët që vinin nga autobusët e Greqisë.

Lokali gjendet afër një lavazhi, para rrethrrotullimit në të djathtë të rrugës që të çon drejt Peqinit.

Çela është ndjekur nga 2 atentatorë profesionistë dhe është qëlluar gati në të hyrë të lokalit, ku po futej për të pirë kafen e mëngjesit.

Policia ka sekuestruar pamjet filmike nga bizneset e zonës ndërsa janë ngritur disa pika kontrolli. Po në mëngjes, një automjet i djegur u zbulua në një rrugicë në fshatin Murras, përgjatë aksit Elbasan-Peqin. Mjeti dyshohet se është përdorur nga autorët.

Bujar Çela është vëllai i një personazhi të njohur të botës së krimit në Elbasan, Talo Çelës.

Ky i fundit u shpall në kërkim për grabitjen e Rinasit të ndodhur në prill të 2019, ndërsa dyshohet si i përfshirë edhe në vrasjen e vëllezërve Haxhiaj në Durrës.

Kjo vrasje dyshohet se është ngjarje seri pas grabitjes së 4.6 milionë eurove në aeroport.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje