Whatsapp po “than” tregun e telefonatave ndërkombëtare

22 Shtator 2020, 14:20Bota TEMA

Përdorimi i aplikacioneve të lidhura me internetin po ul me ritëm të shpejtë përdorimin e thirrjeve ndërkombëtare nga rrjetet celulare.

Të dhënat nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) tregojnë se në tremujorin e dytë të vitit, trafiku total i thirrjeve ndërkombëtare ra në 6.6 milionë minuta, 43% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Vitin e kaluar volumi i thirrjeve ndërkombëtare pësoi tkurrje me 25% dhe ka arritur nivelet më të ulëta historike, megjithëse operatorët prej vitesh i kanë përfshirë në disa prej paketave mujore të komunikimit.

Rënia e trafikut të tthirrjeve ndërkombëtare është një shembull tipik sesi interneti dhe aplikacionet Over the Top, si Whatsupp, Viber, etj po e ndryshojnë mënyrën e komunikimit dhe të përdorimit të aparatit celular. Këto aplikacione po japin një efekt të ndjeshëm edhe në trafikun kombëtar të shërbimeve.

Për tremujorin e dytë, volumi i thirrjeve dalëse nga rrjetet celulare ra me 9.3%, ndërsa numri i mesazheve të shkruara pësoi një rënie edhe më të thellë, me 43%. Rënia e trafikut të komunikimit direkt përmes rrjeteve është kompensuar nga një rritje e ndjeshme e konsumit të internetit, me 20% më shumë krahasuar me një vit më parë.

Tendencat tregojnë se rrjetet celulare do të përdoren gjithnjë e më pak për marrjen e komunikimit direkt, sepse këto shërbime po zëvendësohen në një masë të madhe nga interneti. Tek telefonatat ndërkombëtare, që janë më të shtrenjta, kjo tendencë duket edhe më e shpejtë.

Tani sfida më e madhe për operatorët është përmirësimi i cilësisë së mbulimit të territorit me internet. Në fakt, mbulimi i territorit me rrjetin e gjeneratës së fundit 4G nuk është ende në nivele shumë të larta. Deri në fund të vitit 2018, mbulimi i territorit me 4G ishte vetëm 57%, ndërsa, sipas AKEP, për vitin 2019 shkalla e mbulimit u përmirësua në 73%.

Megjithatë, diferencat në shkallën e mbulimit të territorit me rrjet mes operatorëve janë të mëdha. Ndërsa jemi në pragun e kalimit në teknologjinë 5G, shifrat e mbulimit të territorit tregojnë se investimet në rrjetin 4G kanë qenë të pamjaftueshme. Shpeshherë, operatorët i përdorin gjeneratat e reja teknologjike si flamuj marketingu, por realiteti është se cilësia e ofrimit të shërbimit lë shumë për të dëshiruar, sidomos jashtë qendrave të mëdha urbane.(monitor)

2 komente në “Whatsapp po “than” tregun e telefonatave ndërkombëtare”

  1. Juristi says:

    E cfare pastaj?Nuk po fiton Vodafone me shoke?Problem e.

  2. Rrumpalla says:

    Krim të madh po bën populli ndaj firmave të mëdha të komunikacioneve, hajdutët më të mëdhenj të popullit. Po internetin kujt ja paguajmë ne? Po këtyre firmave që qahen se nuk po fitojnë deri në rrjepje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje