“O unë, ose ajo/ai!” Tepër vonë nëse nuk ndryshojmë sot!

2 Tetor 2020, 22:28Blog TEMA

Nga Alba Malltezi

Nuk kemi lindur në Japoni dhe as në zemër të Europës, në Zvicër apo në Kanada a në Shtetet e Bashkuara. Jemi shqiptarë gjak e kokë nxehtë që lindëm këtu në Ballkan, në një tokë të bukur e të begatë; tepër krenarë për të dalluar problemet që ende nuk i kemi përmirësuar. Mes nesh mund të flasim hapur dhe qartë, pa qejfmbetje dhe pa dorashka. Duhet të jemi të sinqertë e të tregojmë gjërat që nuk shkojnë, pa u grindur, çjerrë e ofenduar. Nuk duhet të kalojnë akoma shumë vite pa kuptuar se po gabojmë e po humbim shanset për t’u qytetëruar.

Heroi ynë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu u përpoq të na bashkonte e të na linte mesazhin se mund të ecim përpara vetëm të bashkuar; Rilindësit tanë na përcollën bukurinë e fjalës, bukurinë e punës, të dashurisë dhe natyrës për të na ndryshuar; Progresistët e të ndriçuarit e viteve ‘30 e më pas, u mërzitën me ne, (besoj të gjithë i njohim shprehjet e dëshpëruara të Faik Konicës, Gjergj Fishtës, të Mit’hat Frashërit).

Në ato kohë nuk ishte faji as i Enverit, as i Edi Ramës dhe as i Berishës. Cfarë e shtrëngoi aq shumë Konicën të shkruante e shkruante perla të përkufizimeve të problemeve të shqiptarëve, që qëndrojnë kaq reale sot e kësaj dite? Cfarë mund të bëjmë të gjithë bashkë që edhe fëmijët të cilët nuk njohën dhe nuk kanë justifikimin e diktaturës, të mos bëhen viktima të një lloj “shqiptarie” që nuk na shkon më për shtat?

Shumë bashkëatdhetarë përshtaten kaq mirë në Itali, Francë, Gjermani, Austri, e kudo kanë emigruar. Nëpër rrjete sociale i lexon të shprehen se si iu përgjigjën një gjermani gjermançe, një austriaku austriakçe, një italiani italiançe e kështu me radhë, pra dalin nga situata të sikletshme me mirësjellje dhe norma të ndryshme nga ato shqiptaret. Kudo, veç në Shqipëri jo! Veç me shqiptarët jo! Të cilëve edhe pse jetojnë në Kanada, Francë, Angli, Itali apo Austri do iu përgjigjen vënçe, plot mllef, urrejtje e kërcënime: shqiptarçe! Pse duhet të jemi gjithnjë të vrazhdë e kërcënues me njëri-tjetrin, asgjësues, ofendues e lëndues deri në të paimagjinueshmen njerëzore pa llogaritur se çdo gjë lë gjurmë dhe është një zinxhir që herët a vonë do të na prekë të gjithëve. “O unë ose ai! O unë ose ajo!” Sa herë e kemi dëgjuar në mjediset ku punojmë dhe jetojmë. Fatkeqësisht edhe mes të rinjve, që në të parën situatë konfliktuale në punë a familje përjashtojnë në vend që të dialogojnë, shkatërrojnë në vend që të ndërtojnë, zhdukin në vend që të krijojnë.

A janë këto mendime negative dhe të vrazhda që krijojnë një atmosferë mungese mirëqënie dhe bashkëjetese, përqëndrimi dhe fokusimi në çështje të mira? Shqiptarët janë larguar, largohen e do të largohen nga Shqipëria apo nga njëri-tjetri? E meqë gjërat nuk po ndryshohen me vullnet nga lart, nëse sot, që sot, secili prej nesh, në botën e brendshme, magjike, aty ku merr gjithë vendimet e veprimet me mendje dhe zemër nuk vendos të ndryshojë, nesër do të jetë tepër vonë.

Nuk kemi sot një shqiptar në lartësinë e Konicës, Fishtës, Migjenit, Nolit që të na kujtojë, të na bërtasë e ulërasë që të ndryshojmë. Nuk është prurje e mirë në këtë kohë për elitat shqiptare. Kë të dëgjojmë, kë të shohim e kush do të na frymëzojë? Atëherë ndoshta është ky momenti që të bëjmë më të mirën. Vetë. Secili prej nesh të vendosë të bëjë të tijat mendimet e veprimet pozitive. A e keni ndjerë se ç’atmosferë është në vendet e mira? Në Shna Ndue, në Baba Tomorr, në Sari Salltik e kudo? Aty janë me mijëra shqiptarë të mbledhur bashkë, por ndjehet një atmosferë e lehtë, e paqtë e shëndetshme. Shqiptarët shërohen në këto vende se të gjithë bashkë shkojnë me mendime dhe dëshira pozitive. Të gjithë shkojnë në vendet e mira duke lënë në qytet mendimet se kë do të shajnë, denigrojnë, zhdukin, rrahin, vrasin….

Do të shpëtojmë nëse në përditshmërinë tonë në shtëpi, shkollë, punë, spital, rrugë, bar, dyqan, teatër e kinema, lëvizim me të njëjtat qëllime e mendime të mira. Unë them sot, se nesër, kam frikë, do të jetë vonë.

7 komente në ““O unë, ose ajo/ai!” Tepër vonë nëse nuk ndryshojmë sot!”

  1. Doktoresha says:

    Shume mire e ke por nuk e di , me sakte nuk kam besim se shqipetaret ndryshojne pa dhune, vendos te denosh me ligj disa gjera dhe direkt zbythen. E pra nuk gdhendet ky popull! Me konkretisht mund ta shohim tek femijet, psh, administratori i pallatit e lyen pallatin, perbindeshat e vegjel (sigurisht te rritur dhe frymezuar nga perbindeshat qe kane per prinder) e ndotin me bojera, shenja kepucesh, shkrime neper mure qe te vjen turp ti lexosh etj…. ky eshte nje shembull i vockel qe ne demokracine e kemi kuptuar mbrapsht!

    1. !!!! says:

      Mund te kapesh ne gjera te tjera doktoreshe, dhe jo ne veprimet e pa kontrolluara te femijeve.
      Keto gjera ndodhin ne te gjithe boten e qyteteruar, dhe jo nga femijet, por nga te rriturit.
      Zhgarravitja e mureve, eshte gjeja qe na shqeteson me pak se cdo gje tjeter.

      1. Marina says:

        Pa tjeter qe ti do jesh ndonje prind i paafte qe nuk ke nen kontroll asgje! Se nuk mbaj mend si femije te shaja te fyeja te tallja njerez te pamundur aq me keq te shgarravisja muret me fjalet me te pista! Nga ketu fillon dhe me sa duket ti nuk e paske talentin e prinderimit!

  2. Pordhe me rigone.... says:

    Arabi nuk behet njeri dhe si pasoj nuk ben as shtet….lloji i kafshes.
    Te tjerat jane pordhe me rigone……gezuar baba Mondin.

  3. Lili says:

    Ka nje mundesi: edukimi!
    Problemi eshte se nuk kemi me Normalen e Elbasanit me formuar pedagoge!

  4. viçidoli says:

    Ajo e vogla që ju zotri e quani normale,dhe që bëhet kudo,nuk duhet të harrojmë se nesër bëhet e madhe,pasi ajo çka shkruejmë apo zhgarravisim në mure apo hyrje të pallatit,brënda saj ka sharjen,fyerjen,racizmin,amoralen mllefin e cila pason grindjen dhe pasoja të tjera që realisht i shohim e vuajmë si shoqëri të gjithë,prandaj të keqen e “vogël”lipset e duhet t’a vlerësojmë si burim të së keqes së madhe e cila mbart pasojat .

  5. Nina says:

    Mos u mundoni shume, shkoni ne shkollat nentevjecare te Tiranes, te shikoni cfare brez i pa edukate po rritet sot!
    Faji eshte i te gjithe neve qe nuk punojme sa duhet, prinderit rrine neper kafene dhe ne vend te merren me femijet merren me thashetheme ose me celularin gjithe kohen. Kush ka para femijet i dergojne ne qendra te ndryshme pas mesimit dhe nuk harrxhojne kohe me edukimin e femijeve dhe kerkojne qe shkolla ti edukoje.
    Shkolla eshte shkaterruar ne ate fare niveli ku nuk ke ku e kap, mes mesuesve ka mesues pa edukate, pa niveli dhe shume arogante.
    Peandaj zonja Malltezi, nuk shpresoj per asnje gje te mire.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje