Përballë rishfaqjes së pandemisë së COVID-19, vendet europiane kanë vijuar me ashpërsimin e masave kufizuese, veçanërisht në Francë ku disa qytete, përfshirë Parisin, rreth 20 milionë banirë do t’i nënshtrohen një shtetrrethimi.
Kufizime të forta janë vendosur në Irlandën e Veriut, në Irlandë, në Katalonjë, në Holande dhe në Gjermani, ku është regjistruar një numër rekord rastesh ditore.
“Duhet të reagojmë përballë COVID-19 sepse situata është shumë shqetësuese me valën e dytë të kontaminimeve që ka mbërritur”, deklaroi presidenti francez, Emmanuel Macron në një intervistë televizive.
Gjithashtu, duke nisur nga e shtuna në orën 00:00, banorët e Parisit dhe rajonit, si dhe tetë metropole të tjera të mëdha duke përfshirë Aix-Marseille (në jug) dhe Lyon (qendër-lindje), do të duhet të qëndrojnë në shtëpi nga ora 21:00 deri në orën 06:00.
Restorantet, baret, teatrot dhe kinemaja do të duhet të mbyllen.
“Ne nuk do të dalim më në restorant pas orës 21:00, nuk do të shkojmë më në shtëpitë e miqve për të festuar, sepse e mund të kontaminohemi”, deklaroi Macron, duke shtuar se qeveria do të kërkojë në Parlament zgjatjen e shtetrrethimit, i vendosur fillimisht për katër javë, deri më 1 dhjetor.
Treguesit e COVID-19 vazhdojnë të përkeqësohen në Francë me më shumë se 100 të vdekur në 24 orë duke çuar bilancin që prej fillimit të epidemisë në të paktën, 33 037 persona.
“Presioni spitalor sa vjen dhe rritet. Personeli shëndetësor është shumë i lodhur dhe nuk ka shtretër rezervë në reanimacion”, deklaroi Macron.
– Kufizime në Europë –
Gjetkë në Europë, Irlanda e Veriut ka njoftuar për një muaj masat më shtrënguese në Britaninë e Madhe dhe presioni rritet mbi kryeministrin britanik, Boris Johnson për të marrë vendime të ngjashme në Angli.
Pub-et dhe restorantet do të mbyllen duke nisur nga nesër, pushimet shkollore do të zgjaten për dy javë, tregjet nuk do të mund të shesin alkool pas orës 20:00 dhe grumbullimet me më shumë se 15 persona do të ndalohen.
“Irlanda e Veriut po përballet me një rritje shumë shqetësuese të numrit të rasteve dhe shtrimeve në spital”, deklaroi kryeministrja Arlene Foster, me 6 286 raste të reja këto shtatë ditët e fundit.
Baret dhe restorantet do të mbyllen gjithashtu për 15 ditë në Katalonjë. Njoftimi i kësaj mase drastike në këtë rajon të Spanjës verilindore vjen pas mbylljes së pjesshme të Madridit dhe kufizimeve të tjera të marra në Andaluzi, Navarre ose Galicia për të luftuar rritjen e kontaminimeve në Spanjë, ku pandemia ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 33 000 personave.
Në Gjermani, një numër rekord rastesh ditore (6 638, kundër një maksimumi të mëparshëm prej 6 294 raste më 28 mars) u njoftua sot dhe kancelarja, Angela Merkel urdhëroi kufizime të reja në përfundim të një takimi me drejtuesit e 16 shteteve rajonale.
Numri i pjesëmarrësve në ngjarjet e private do të jetë i kufizuar në rajonet që regjistrojnë më shumë se 35 kontaminime për 100 000 banorë në shtatë ditë.
Në këto rajone, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme kudo ku njerëzit janë pranë njëri tjetrit për një kohë të caktuar.
Grumbullimet do të kufizohen në 25 persona në ndërtesat publike dhe në 15 në sallat private.
“Jam e bindur se ajo që do të bëjmë tashmë do të përcaktojë mënyrën si si ne do ta kalojmë këtë pandemi”, theksoi kancelarja.