Konteksti aktual shqiptar i mbetjeve

3 Nëntor 2020, 13:48Sociale TEMA

Nga Ornela Çuçi*

“Tani e kemi rastin ta bëjmë tokën, shtëpinë e përkryer për ne dhe ta rindërtojmë botën e pasur, të shëndetshme dhe mrekullueshme, ashtu siç e kemi trashëguar. Vetëm imagjinojeni këtë gjë”. Me këto fjali mbyllet dokumentari më i fundit i një prej kolosëve të historisë së natyrës, Sir David Attenborough: A Life on Our Planet. Dhe, me po këto fjali mund dhe duhet të nisë secila fushatë, çdo angazhim dhe të gjitha betejat për ta ruajtur dhe ndërtuar jetën në ekuilibër me natyrën.

Degradimi i mjedisit natyror, fragmentimi i habitateve dhe ekosistemeve rezultoi me një rritje të bashkëveprimit dhe ekspozimit të njeriut dhe specieve të tjera në një mënyrë të paparashikuar, rezultat i të cilit është edhe gjendja e njerëzimit “me duart lart” përpara një virusi si coronavirusi dhe gjallesat e tjerë që do të kenë mundësinë të “sulmojnë” popullsinë njerëzore vazhdimisht.

Deti Mesdhe, i konsideruar gjerësisht si një nga më të kërcënuarit mjedise në botë, i nënshtrohet një katastrofe të kudondodhur, të krijuar nga njeriu e që e gjen atë më në rrezik se asnjëherë më parë, ndotjen plastike. Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ka raportuar, vetëm pak ditë më parë, rezultatet e studimit për ndotjen plastike, ku si rezultat i dendësisë së lartë të popullsisë, mungesës për skemat e qëndrueshme të menaxhimit të mbetjeve, dhe dyndjeve të mëdha të turistëve dhe tregjeve strategjikë portuale, ky mjedis detar rezulton ndër më të rrezikuarit nga ndotja.

Rreth 230,000 ton mbetje plastike përfundojnë në Mesdhe çdo vit, një numër që mund të dyfishohet deri në vitin 2040 nëse nuk merren masa “ambicioze”, paralajmëron IUCN, nga të cilat Egjipti është përgjegjës për 74,000 ton/vit, Italia për 34,000 ton/vit dhe Turqia për 24,000 ton/vit. Këto tre vende mund të kontribuojnë mbi 50% të rrjedhjeve totale, dhe direkt pas tyre radhitet Shqipëria (e katërta).

Nga ana tjetër, duket se ujëmbledhësit e mëdhenj si Nili, Po dhe Rhone, paraqesin rrjedhjen më të lartë dhe janë përgjegjës për eksportin e makroplastikës në Mesdhe, që varion nga 900 ton/vit (Rhone) në 55,000 ton/vit (Nili). Por vendet me një dendësi më të ulët të popullsisë paraqesin një rrjedhje shumë të lartë se normat për frymë, dmth emetohen nga secili banor i vendit. Në këtë parametër, në tre vendet e para janë Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, nga 3-8 kg mbetje në vit për person.

Studimi gjithashtu tregon se 94% e sasisë së plastikës që përfundon në det i atribuohet administrimit të dobët të mbetjeve. Le ta sjellim në kontekstin shqiptar këtë studim për të analizuar rrjedhën historike të manaxhimit të mbetjeve.

Duke hedhur një vështrim të shpejtë tek të dhënat e INSTAT në vitet e fundit, rezulton se në vitin 2013, 50.7% e popullsisë në vend mbulohej me shërbimin grumbullim mbetjesh dhe për më tepër, 15.9% nga një shërbim me pikë fundore me kushtet optimale sanitare.

Sipas studimit të vitit 2017, u gjet se në vend funksiononin aktivisht 199 venddepozitime, 130 nga të cilat vendosur në shtratet e lumenjve. Venddepozitimi i Otllakut në Berat, mban një vendim të Ish-Këshillit të Rrethit të viteve 90’, pra pothuaj të gjitha mbetjet në vend depozitoheshin në lumenj miratuar kjo nga institucionet shtetërore.
Referuar të njëjtit burim, INSTAT, sot në vend 87.9% e popullsisë mbulohet me shërbim grumbullimi të mbetjeve dhe 68% e popullsisë me shërbim të menaxhimit të mbetjeve me pikë fundore sanitare. Sot 68% e mbetjeve në vend nuk depozitohen në lumenj, por në një infrastrukturë nga më të mirat në rajon dhe investimet ne këtë sector kanë sjellë diferencën.

“Pa ndërhyrje të rëndësishme, kjo ndotje nuk do të ndalet së rrituri derisa të dyfishohet në 500,000 ton deri në 2040,” thotë IUCN, duke shtuar se masat ambicioze janë të nevojshme përveç angazhimeve në legjislacion të bëra nga vendet.

A kanë qenë investimet e qeverisë Rama, investime të cilat duhen gjykuar në kontekstin mjedisor?

Menaxhimi i mbetjeve në vend është një problem historik, i mbartur nga një mungesë mentaliteti, ekspertize, por problemi më i madh qëndron në mospasjen e një pike fundore të menaxhimit. Sigurisht që strategjia e mbetjeve fokusohet tërësisht tek ekonomia qarkulluese dhe tek riciklimi, por do të duhet të jemi korrektë me përqasjen e situatës aktuale ku gjendemi dhe shpjegimin e hierarkisë si menaxhohen mbetjet në BE (parandalim, ripërdorim, riciklim, rikuperim energjie, asgjësim).

Në këtë kuadër, debati mbi efiçencën e energjisë prej mbetjeve është i pavend dhe jashtë respektimit të hierarkisë së mbetjeve. Në vend opozita flet për varrosje mbetjesh (landfillin), kur në BE aktualisht është rreth 25% dhe synimi për vitin 2025 është vetëm 10%. Nga ana tjetër do të duhet të definojmë saktë incenerimin/djegien për sa i përket mbetjeve, i cili definohet si asgjësim në hierarki. Ne kemi impjantë të prodhimit të energjisë, e pranueshme nga BE, madje rreth 30% në lidhje me vëllimin e menaxhimit të mbetjeve në të gjithë Evropën. Impjante për rikuperim për energji po përdoren sot në qendër të Vjenës, Kopenhagen. Ka më shumë se 400 njësi të tilla në pothuajse të gjitha vendet e BE-së, me përjashtim të Greqisë (ku sapo ka filluar iniciativa për rikuperim energjie nga mbetjet) dhe Rumanisë.

Pra, sipas opozitës, zgjidhja që mbetet për të respektuar normat e BE është të vrapojmë nga riciklimi i plotë tek varrosja e mbetjeve. Kjo nuk ndodh, as në BE, as jashtë saj.

Dhe, nuk do të ndodhë as në Shqipëri. Sepse, për dallim nga riciklimi politikanëve dhe narrativave politike, riciklimi i mbetjeve e ndikon pozitivisht jetën e shqiptarëve. Të gjitha studimet tregojnë se zgjedhja e bërë është e duhura. Ndërsa, zgjidhjet brenda saj janë dëshmi të punës për t’i ndrequr gabimet e së shkuarës dhe ndërtuar të ardhmen – në ekuilibër me natyrën.

*Zv.ministre e Mjedisit 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje