Skena tragji-komike: Pse po vuajnë krerët e PD e LSI për kthimin e fletës nga Trump te Biden

11 Nëntor 2020, 17:46Politika TEMA

“Kthimi i fletës” në mënyrë të menjëhershme nga qarqet e PD-së dhe LSI-së duke përshëndetur Joe Biden për fitoren e publikuar foto me të, ka tronditur masën e madhe të militantëve të opozitës, të cilëve u është bërë një lavazh truri disa vjeçar, me fjalor populist e sovranist.

Në rrjetet apo dhe mediat pranë opozitës shikon një sasi të madhe të militantëve të djathtë, që jo vetëm që nuk e pranojnë se ka humbur Donald Trump e që janë të bindur që ai do të fitojë (se ku s’dihet) por i janë vërsulur shefave të PD-së e LSI-së.

Nuk po e kuptojnë fare këtë lojë të tyre, ndërkohë që janë intoksikuar me propagandën që Biden, Clinton, Obama e demokratët, nuk janë gjë tjetër vetëm komunistë të kuq dhe njerëz të lidhur me Sorosin e Edi Ramën.

I ka gjetur belaja Bashën e shokët e tij, pasi tani edhe sikur ta heqin Trump nga mendja e gjuha politike, nuk i lejnë njerëzit e bazës, pasi aq shumë u kanë bombarduar trutë e kokës 4 vjet më pare, në prag të zgjedhjeve elektorale të 2017-s.

Po si nisi kjo dalldi trumpiste

Të entuziasmuar nga fitorja e Donald Trump në nëntorin e 2016-s, Meta dhe Berisha, si dhe enturazhi i tyre mediatik, u ngazëllyen ngaqë ju referuan deklaratës së Edi Ramës ndaj miliarderit njujorkez gjatë fushatës.

Për më shumë se 1 vit pati një bombardim aq intensiv dhe aq të tmershëm propagande dhe lajmesh të rreme, sa nëse nuk i vërtetoje atëherë, vërtet që duket se jetohej në një realitet tjetër.

Vetëm pak ditë pas betimit të Donald Trump si president, pra në janarin 2017, disa media pranë Sali Berishës, si ajo e të birit, apo TV Klan, shkruan se Trump ka shkarkuar nga detyra ambasadorin Donald Lu-në, njeriun e SHBA në Tiranë.

Duke përfituar nga një hyrje e vonë nga pushimet të Lu-së, i cili natyrisht që do të bënte edhe breefing me administratën e re, lëshuan fake news-in, i cili më pas rezultoi një boomerang i vërtetë.

Kjo, pasi ka qenë Uashingtoni zyrtar që ka reaguar në mënyrën e tij, si fillim duke hetuar çështjen e më pas ndëshkuar fajtorët, ku Berisha, familja e tij e shumë të tjerë nuk ju është dhënë viza amerikane.

Por kjo është çështje tjetër.

Me fake news për Donald Lu-në, i cili qëndroi edhe 2 vjet në Shqipëri, u krijua kështu jo thjesht legjenda e Donald Trump-it, i cili në grafikat e propagandistëve vizual të opozitës, paraqitej si një vigan që shtyp Sorosin e është i rrethuar nga armiq të shumtë.

E kështu erdhëm tek çadra e shkurtit 2017, që ishte një agoni 4 mujore deri tek nata e 17 majit, kur Rama dhe Basha bënë marrëveshjen e famshme.

Në këtë periudhë të çadrës u ngjizën edhe më shumë legjendat e pritshmëritë, sikur Trump do të vinte të rikthente Berishën në pushtet, duke e bashkuar me LSI-në, që ishte me Ramën atëherë.

Por gjithçka doli jashtë pritshmërive. Trump jo vetëm që nuk bëri asgjë nga këto, por edhe shpalli non grata njeriun që ata besonin që do të arrestonte Ramën dhe nga një ministër të tij çdo shtator-Adriatik Llallën, si dhe nxorri nga çadra PD-në, duke u bërë të ditur se nuk mund të mbahet peng sistemi e të bllokohet.

Dhe pikërisht kur SHBA kërkoi largimin e Llallës pa ja rinovuar mandatin, shkaktoi dhe zhgënjimin e madh ndaj Uashingtonit, i cili u angazhua fort në emërimin e një kryeprokurori të përkohshëm, deri në ngritjen e strukturave të reja.

Pastaj ndodhi stina e gjatë e molotovëve, djegia e mandateve, ku SHBA u angazhua fort në zëvendësimin e deputetëve e më pas në denoncimin e dhunës dhe parlajmërimin pas qëndrimeve se do të ketë trazira në 30 qershorin 2019 etj, ngjarje që dihen.

Por më e keqja është se Donald Trump u miqësua shpejt me Edi Ramën, sa takoheshin në çdo samit NATO-je që bëhet, një në vit

E të xhindosur nga gjithë ky iluzion i kotë, ku harxhuan para lumë për lobim e propagandë, nisën të dalin “dallëndyshet” opozitare që filluan të kritikonin Trump si “autoritar”, “njësoj si Rama e Erdogani”, e gjëra të tilla që shastisën fare militantët e thekur, si një dezinjator në mërgim i PD-së, që pikturon Ilir Metën me tank para Kryeministrisë duke qëlluar me top e që Trump i shkel syrin duke i thënë “jepi Like”!

Me një fjalë ata të thekurit aq janë dashuruar me Trump, sa ndjekin vetëm mediat konservatorë të SHBA ku pastorë të ndryshëm bëjnë ligjërata që të krijojnë varësi tek audienca dhe janë kthyer në robotë që nuk i besojnë asnjë organi apo media në botë, por vetëm asaj të Trump.

Nga idhtarë të rrjeteve sociale dhe Fox Nevvs, tani urrejnë Facebook e Twitter dhe Fox Nevvs.

Pra aq keq është ngërthyer kjo panoramë te opozita, sa po përdoren metoda të ndryshme për ta çaktivizuar këtë torollepsje në masë: në mediat e familjes Berisha njëri bën “policin e mirë” e tjetri të keqin, pra njëri me Trump e tjetri me Biden, që të krijojnë kështu përshtypjen që duhet të ndryshojë dhe baza.

Por baza e PD e LSI më parë janë gati të braktisin Lulin e Monikën, madje edhe doktorin e Ilir Metën, se sa Donald Trump.

Ai është kthyer në atunë e tyre fituese, ku të paktën një njeri të zemrës e kanë në pushtet, madje si Berisha i dikurshëm, dhe nuk bie nga kali dhe kur duan ta rrëzojnë….

3 komente në “Skena tragji-komike: Pse po vuajnë krerët e PD e LSI për kthimin e fletës nga Trump te Biden”

  1. Kete bejne “TRIMAT” , nuk pyesin per Amerike , Europe .
    Bile luani i Skraparit kercenon Sorosin , pastaj te birit i fshin kepucet .

  2. Didi says:

    Nuk e can bythen njeri ne kete dynja as per PS as per PD dhe as per LSI. I gjenjen mendja militantet e te gjitha partive se qendren e botes e dine ne Tirane.Edhe gazetaret qe ju pjerrdhin trute militanteve te partive duke i bere te gjithe si Spiropali qe njeriun me te nencem ne kete bote di Edin e Rilindjes.

  3. Konjak says:

    Mirpo ju flisni per shefat e djathte se kishin nostalgji per Trump , por ne foton e me siperme , me zoterine Trump , shohim liderin e majt . Te flitet per nostalgjine e te djathteve , per Trump , dhe nene shoqerin e tij te jen te majtet , sigurisht keni lajthitur disi , apo e keni nga halli , per tju servilosur Beut te radhes !?. Mase jua do puna te thoni dicka , ne interes te Beut tuaj , por nukse duhet dalur nga arsyeja . Propaganta , qoft majtas qoft djathtas le te behen , por nuk duhet te dilet nga e verteta . Per gjithsecilen politike apo politikan te bejme propagant , por brenda saj duhet te mbizoteroje e verteta dhe e drejta ; vetem keshtu mundet te vendosim ne pushtet njerez qe do punojne per vete , por edhe per ne . Institucionet jane te popullit dhe duhet te punojne per popullit , ngjer me sot , ato jane futur ne xhepin e qeveritareve dhe politikaneve .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje