ANALIZA: Pse ky qëndrim ndaj punonjësve të instituteve shkencore të naftës dhe pse shteti hesht për kompaninë Bankers Petroleum z. Kryeministër?

27 Nëntor 2020, 13:05Sociale TEMA

Nga Isuf Tushe*

Ne shkencëtarët e arit të zi, punonjës të Instituteve të Naftës dhe Gazit, kemi vite që i kërkojmë qeverive, kryesisht atyre socialiste sepse ato demokrate nuk pranojnë fare diskutim, një të drejtë legjitime që nuk është luks dhe as na bënë të pasur, por është një detyrim më tepër moral se material, i shtetit për njerëzit e punës, punonjësit e tij, që i shërbyen dhe kontribuan denjësisht për ekonominë e vendit, në një nga sektorët më të vështirë të saj, me shumë probleme që her pas here krijonte politika dhe sidomos në situata të rënda konjukturale. Nuk bëhem xheloz pse na keni veçuar vetëm ne nga skema e trajtimit të punonjësve të naftës sepse nga natyra nuk jamë i tillë, por si shumë koleg të mi, ndjehem i fyer me sjelljen dhe keqtrajtimin që na bënë shteti, ne inteligjencës që punoi në këtë sektor shumë fitimprurës për ekonominë.

Me ardhjen e të ashtuquajturës “demokraci”, që e tillë nuk u bë asnjëherë, dhe rrugën e ekonomisë tregut ku do shkonte vendi ynë, ne shkencëtarët e naftës në atë kohë, bëmë shumë konsultime dhe propozime të argumentuara me shembuj konkret nga bota e përparuar, në mënyrë që organizimi dhe zhvillimi industrisë naftës ti përshtatej zhvillimit ekonomik, si dhe për të orientuar pozicionin e instituteve shkencore në këtë industri, të cilët që në krijimin e saj kanë qenë koka drejtuese shkencore e saj. Shumë premtime dhe miratime me tundje koke na janë bërë, nga politikan dhe drejtues shtetëror të niveleve të ndryshëm deri të rangut ministror, të cilët vinin për tu konsultuar me ne dhe më në fund nuk bënë asgjë, por e futen industrinë e naftës në rrugë pa krye dhe në korrupsion. Pra, prevaluan interesat e tyre personale korruptive mbi interesat tona progresive kombëtare.

Ata nuk ishin specialist nafte, nuk i njihnin fare problemet e saj, por ato nuk ishin të vështira për tu kuptuar, gjërat ishin shumë të qarta dhe të thjeshta për të vepruar, megjithëse bëhej fjalë për një industri me pasuri natyrore shumë fitimprurëse, miliarda dollarëshe, që ishte e mirë organizuar dhe tërësisht e kompletuar me pajisjet dhe teknologjinë e nevojshme, si dhe me punonjës të talentuar,

ku pronar ishte shteti. Vendi ynë nuk ishte i pari që po kalonte në rrugën e ekonomisë tregut dhe se do bëhej hataja, mbasi vetëm ne po shkelnim në fusha të panjohura të mbushura plote me mina. Shumë vende kaluan në këtë rrugë para nesh, shumica e orientuan në drejtimin e duhur industrinë e naftës dhe mbajtën pronësinë shtetërore, por pati edhe ndonjë shtet që drejtohej nga njerëz pa tru, si puna jonë, që e orientoi atë në rrugën e gabuar dhe e shkatërroj plotësisht. Po ashtu, dihej se kishte dhe eksperienca të tjera në ndonjë vend të rrallë demokratik, si p.sh SHBA, ku industria e naftës është tërësisht private, sepse ajo e tillë lindi në maternitet, por shumica e shteteve në botë, me ose pa resurse natyrore të mjaftueshme dhe ku çdo gjë tjetër është private, industrinë e naftës apo veprat strategjike fitimprurëse nuk i kanë privatizuar kurrë, ato janë pronë shtetërore dhe zhvillimin ekonomik e kanë mbështetur kryesisht në to. Pse ne kaluam në një ekstrem me pasoja shkatërrimtare dhe shumë të rënda për ekonominë dhe kush e mban përgjegjësinë? Këtë shkatërrim masiv të industrisë naftës t’jua lemë për zgjidhje organeve të reja të drejtësisë, por përgjegjëse për ketë është politika me qeveritë përkatëse grabitqare që vepruan me dëshirë të plotë dhe qëllime të caktuara në favor të interesave të tyre personale. Demokracia e një vendi nuk përcaktohet nga shkalla e privatizimit të ekonomisë apo falja e pasurive kombëtare, shitja e tyre apo bërja e reformave për të shkurtuar vendet e punës dhe njerëzit të hidhen në rrugë me lëmosha sociale. Përkundrazi reformat, në çdo sektor bëhen për të përmirësuar organizimin, ku të drejtojnë njerëzit më të përgatitur dhe specialistët, pavarësisht bindjeve politike, të cilët kanë aftësi të gjejnë vet rrugët me efektive dhe teknologjitë më të mira, ku të investohet në mënyrë që të rritet prodhimi dhe të ardhurat, të hapen vende të reja pune, të zhvillohet ekonomia dhe të rritet niveli jetik i popullsisë. Dhënia me konçension apo shitja e pasurive natyrore dhe veprave publike fitimprurëse do të thotë që merri ti se unë nuk i dua, përbën vepër penale dhe duhet hetuar.

Reformat tek ne u sabotuan keq që në zanafillën e tyre. Qëllimisht u abuzua aq shumë me to sa kur punonjësit, pavarësisht kualifikimit, eksperiencës, pozicionit apo edukimit, kur dëgjonin fjalën reformë nga organet drejtuese shtetërore, nuk mendonin më për asgjë por vetëm si të largoheshin jashtë vendit sa më parë për të siguruar bukën e gojës dhe jetën e familjes. Çdo gjë ishte e qartë se ato nuk ishin reforma ekonomike por politike dhe korruptive, ku hiqeshin nga puna njerëzit e aftë dhe zëvendësoheshin me militant pa eksperiencë. Pra, nuk ndodhi ajo që pritej me dashamirësi dhe PPSH u zëvendësua nga partiçka me emra pompoz, me programe dhe premtime boshe, por me objektiv kryesor e në garë kush të vidhte sa më shumë e shpejtë pasuritë publike. Janë pikërisht këto “reforma ekonomike” të mbrapshta, me qëllime të pasterta korruptive, që çdo ditë në këto 30 vjet, vetëm shkatërrojnë ekonominë, pasuritë natyrore, apo institucionet shkencore dhe dëbojnë inteligjencën dhe rininë rrugëve të botës.

Zbulimi i vendburimit Cakran me pusin Ca-12, ishte në radhë të parë një sukses i përbashkët i instituteve të naftës që hartuan projektin gjeologjik dhe atë teknologjik, i punëtorëve që shpuan pusin deri në projekt dhe ndërmarrjeve të shërbimit. Në fund të vitit 1979, fatkeqësisht, shpërtheu fontana e hapur në pusin Ca-37, ishte një lubi e vërtetë që mahniti shumë shtete të zhvilluara të Europës dhe në gjithë globin tokësor. Fontana e tij zgjati rreth 3 vjet, grifonet e saj me flakë përfshinë luginat dhe kodrat midis tyre në një sipërfaqe të konsiderueshme rreth grykës pusit. Atje u mblodhën të gjithë bashk, punëtorë dhe specialist nga gjithë ndërmarrjet e industrisë naftës duke përfshirë dhe institutet, njëlloj si në kohë lufte, për të dhënë mendim dhe kontribut gjithsecili sipas profesionit dhe eksperiencës së tij. Shpërthimi shkaktoi viktima, dëme të mëdha materiale, financiare, la pasoja të rënda në shëndetin e njerëzve nga gazet helmues ku pati dhe specialist të instituteve që rrezikuan jetën, siç ishte inxhinieri i talentuar, Tuni Lena, i cili mbeti me pasoja të renda dhe u nda nga jeta para ca muajsh.

Ecuria e fontanës dhe tentativat për ta mbyllur atë ishin një punë kolosale heroike, atje punohej ditë dhe natë, me turne, në shi dhe ftohtë, në vapë dhe midis flakëve, të veshur me rroba kundra zjarrit dhe me kundra gaz në kokë, punëtor, inxhinier, specialist, drejtor, k/inxhinier, të gjithë bashkë. Shumë afër fontanës, punonte një brigadë e përberë nga punëtorët dhe inxhinierët më të mirë për shpimin e një pusi të shtrembër, Ca-37/b, që do përdorej për mbylljen e saj, projekti i të cilit u hartua dhe ndiqej hap pas hapi nga specialist të instituteve dhe ndërmarrjeve. Meqenëse ky pus donte një kohë të gjatë për tu shpuar deri në projekt, dikush dha një mendim që të shpohej një pus i cekët dhe i shtrembër pranë grykës së pusit të fontanës, Ca-37, i cili të takonte trungun e tij në një thellësi relativisht më të vogël dhe nga ky pus të injektohej solucion argjile për t’a mbytur atë. Projektimin e tij ja dhanë Institutit Gjeologjik, konkretisht kabinetit vendburimeve. Në atë kohë, unë sapo kisha filluar punë në Institutin Gjeologjik, në këtë kabinet. Një ditë më thotë shefi kabinetit që do shkojmë te fontana e pusit Ca-37 për vrojtime gjeologjike dhe për të shikuar mundësinë e një shpimi të cekët dhe të shtrembër. Pasi e diskutuam midis nesh dhe ishim në një mendim të prer, se një pus i tillë nuk e luante dot atë rol siç kërkohej nga larte, por kujt t’jua thoshe këtë gjë në atë situatë kaq të rënduar, sepse mund të quanin sabotator. Megjithatë, në mëngjesin e asaj dite të nxehtë, me kundra gaz në kokë, blloqet e shënimeve, lapsat, çekanin, dhe busullën në dorë, u futëm me shumë kujdes dhe frikë në një luginë të thellë që të çonte tek gryka e fontanës, midis flakëve dhe daljeve të gazit, ujit që hidhej mbi flakët e fontanës, dhe rrjedhjeve masive të kondensatit që ndahej nga gazi, ku një pjesë digjej, një pjesë grumbullohej në disa prita artificiale dheu dhe prej andej pompohej në Rafinerinë e Ballshit, ndërsa pjesa tjetër derdhej drejtë lumit Vjosë bashkë me ujerat. Të dy ne, shefi im me probleme shëndetësore, por dhe unë sapo isha operuar, u kacavirrëm dhe punuam gjithë ditën deri vonë, të pangrënë, në kushte tepër të vështira dhe të rrezikshme për jetën, bëmë hartografimin e situacionit, matëm këndet e rënies shtresave, trashësitë dhe përshkruam prerjen gjeologjike me hollësi deri pranë grykës pusit. Të nesërmen punuam gjithë ditën në institut dhe përgatitëm studimin me rekomandimet përkatëse, por dikush mori guximin dhe i bindi ata lartë që urdhëruan, se shpimi i një pusi të tillë nuk ishte efektiv. Në këtë fontanë, si dhe në fontanat e tjera, naftëtarët gjithmonë punonin bashkë.

Çdo vit hartohej plani i prodhimit nga ndërmarrjet e nxjerrjes naftës për vendburimet ekzistuese, të rinjë, dhe për puset në kërkim, i cili diskutohej në gjithë instancat nga sektorët e prodhimit, në Drejtorinë e Përgjithshme dhe deri lartë në Ministri. Në këtë proces gjithmonë ishin të perfshir edhe specialist të instituteve, ku mbi ne binin jo vetëm çekanët e fort të drejtueseve dhe politikës për të rritur planin, por dhe ato të sektorëve e ndërmarrjeve, mbasi plani që vinte nga lartë ishte tepër i fryrë dhe i parealizueshëm, sepse një pjesë e tij lidhej me puset e rinjë, kohën e shpimit të tyre dhe debitet e pritshme, zgjerimin dhe zhvillimin e vendburimeve, futjen e metodave të reja për të rritur prodhimin, etj. Po përmend vetëm një nga momentet tepër të vështira, ku ne shefat e kabineteve të vendburimeve nga dy institutet e naftës na dërguan në vendburimin Cakran-Mollaj për të diskutuar planin e prodhimit. Situata ishte shumë e rëndë dhe dramatike, sepse vendburimi e kishte humbur freskinë e tij pas fontanës, kondensati nga pritat e dheut ishte ndërprer, puset nuk jepnin debitet e planifikuara, plani ishte shumë i lartë, i parealizueshëm dhe punëtorët me të drejtë ishin të acaruar, sepse ata paguheshin sipas realizimit të planit të prodhimit. Meqenëse në këtë fazë që ishte vendburimi, problemet lidheshin më pak me gjeologjinë, shumica e vërejtjeve ju drejtuan kolegut tim, por nuk munguan as fjalët fyese deri në banalitet, ku një punëtor i revoltuar na tha se kamë fëmijët pa bukë, bile ngriti këmbën dhe i tregoj atij opingat e grisura. Keqardhje, por ndërkohë ishte një ofendim i rëndë dhe përgjegjësi e madhe për punonjësit e instituteve të naftës.

Kur binte ekonomia e vendit, që kishte shumë arsye, por duke përfshirë këtu edhe gërvëret në politikën e brendshme apo të jashtme, aq më shumë rritej grykësia dhe pangopësia e politikës për të rritur planin e prodhimit naftës dhe gazit. Për mosrealizimet e tij, në aktivet e çdo 3 mujori, përgjegjësia kryesore binte mbi institutet shkencore dhe zbutej gradualisht deri tek sektorët e prodhimit. Fatkeqësisht, Instituti Gjeologjik ndodhej pranë rrugës Fier-Patos, ku sa her aty qarkullonin politikanët dhe nuk shikonin dritat ndezur në zyrat tona, të nesërmen që në mëngjes mblidhej kolektivi dhe drejtori institutit bashk me sekretarin e byrosë partisë transmetonin konkluzionet dhe vërejtjet që dërgoheshin nga udhëheqja e lartë se ne nuk punonim sa duhej, prandaj nafta ndodhej në këtë gjendje kaq të rëndë, etj. Filozofira të kësaj natyre që na shoqëruan ne punonjësit e instituteve në gjithë ato vite pune, tepër të vështira dhe plotë me strese deri në vitin 90’, ishin shumë të rrezikshme, por me ardhjen e “demokracisë” menduam se u lehtësuam pak nga goditjet e politikës. Por kjo e shkreta demokraci, që në gjithë zinxhirin drejtues të saj, na solli në krye ca dallkauk dhe injorant partie, që për eksperiencë kishin vetëm vjedhjen, i prishën fare këto “çerdhe shkencore komuniste” dhe na nxorën të gjithë jashtë, në qiell të hapur, kështu që ne shpëtuam nga shiu por ramë në breshër dhe streset na u shtuan akoma me tepër.

Institutet naftës ishin krenaria e saj në kërkim-shfrytëzimin, drejtimin, dhe në zbatimin direkt të shkencës në prodhim. Aty proceset kërkimore-shkencore dhe studimore ishin tepër mahnitëse në shumëllojshmërinë e tyre. Atje puna fillonte me vrojtimet dhe hartografimet sipërfaqësore të formacioneve gjeologjike shkëmbore, vazhdonte me studimet komplekse gjeologo-gjeofizike, analizimin e të dhënave dhe modelimin e rezultateve, konkretizohej me projekte gjeologjike dhe teknologjike për shpimin e puseve të kërkim-zbulimit, zhvillim-shfrytëzimit, studime mbi metodat e reja teknologjike të përpunimit të vendburimeve që ishte stadi final prodhues i naftës dhe gazit, etj., ku gjithçka analizohej dhe modelohej në laboratorët modern përpara zbatimit pilot në kantier dhe rezultatet interpretoheshin nga specialistët më me përvojë. Hartimi dhe zbatimi i tyre realizohej nga ne, specialistët e instituteve në bashkëpunim të ngushtë me stafet teknike të ndërmarrjeve të sizmikës, gjeofizikës kantierale, shpim-kërkimit, prodhimit, rafinerisë dhe ato të shërbimit. Pra, të gjithë bashkë punonin për një qëllim të vetëm, zbulimin dhe shfrytëzimin e naftës dhe gazit në territorin shqiptar. Gjithë rezervat e naftës dhe gazit të zbuluara në vendburimet ekzistuese ranore dhe gëlqerore deri në vitin 1990, janë kontribut i punës së specialistëve të instituteve të naftës në bashkëpunim me ndërmarrjet e tjera të kësaj industrie. Ato ishin të konturuara dhe plotësisht në shfrytëzim me puse në gjithë sipërfaqen dhe thellësinë e përhapjes së tyre, por dhe me fitim shumë të lartë për ekonominë. Në këtë periudhë tranzicioni, në këto vendburime është aplikuar vetëm shfrytëzimi barbar i rezervave të njohura dhe nuk ka asnjë ton naftë ose m3 gaz shtesë rezervash të reja të zbuluara nga kompanitë konçensionare që operojnë këto vendburime. Pretendimet e Bankers Petroleum se gjoja ka zbuluar rezerva të reja në pellgun Patos-Marinës janë vetëm mashtrime dhe një gënjeshtër e madhe për të mbuluar vjedhjen marramendëse dhe shkatërrimin total që po i bëjnë kësaj pasurie natyrore. Pra, “kompanitë konçensionare” operatore, bashkë me klanet mafioze që janë pas tyre, vetëm shfrytëzojnë dhe vjedhin rezervat e naftës dhe gazit të zbuluara me parat e popullit dhe me mundin dhe punën e gjeologëve dhe punëtorëve tanë deri në vitin 90’. Kjo është një e vërtetë e pamohueshme që tregon për qeverisjet e korruptuara dhe papërgjegjshmëri të klasës politike që i dha këto vendburime me konçension.

Për pensionin shtesë të punonjësve në industrinë e naftës dhe gazit, ku ka 2-3 vjet që diskutohet duke miratuar edhe ligje, Ju i ndatë naftëtarët në grupe: në punëtor dhe inxhinier, në drejtor dhe k/inxhinier, në shkencëtar, laborant dhe ekonomist, në administratën e ndërmarrjes apo sektorit, punonjës instituti apo Albpetroli, me mbi 20 apo/mbi 15 vjet pune në naftë, ndryshe për burrat e ndryshe për gratë, me 30 vjet kontribut ose jo, dhe sa e sa sofizma të tjera të shpikura nga njerëz mediokër. Pastaj bashkuat shumicën në një grup dhe miratuat ligjin nr. 29/2019 ku marrin shtesën 0.6% në vit vetëm ata që kanë mbi 6 vite pune në naftë, por mbi 20/apo mbi 15 vjet në nafte dhe kanë derdh kontribut në Shqipëri mbi 30 vjet, dhe përjashtuat punonjësit e instituteve, Albpetrolit dhe ekonomistët e naftës. Ku e gjetët Ju të drejtën morale të ndani armatën e naftëtarëve në grupe të tilla? Ata që në krijimin e industrisë naftës, pas luftës dytë botërore, gjithmonë kanë punuar dhe jetuar bashkë në ato barakat e puseve, kanë ndarë bashkë sukseset, dështimet dhe fatkeqësitë në punën e tyre. Mirëpo ca nga ata që morën shtesën dualën më të fituar sepse morën dhe një letër bakalli me titull “Statusi Naftëtar”, por edhe ca nga të përjashtuarit nuk dualën keq sepse të paktën e morën letrën e bakallit, por ç‘faj kemi ne të tjerët që nuk fituam as të parën dhe as të dytën. Tentativat e qëllimshme deri në absurditet, për të përjashtuar sa më shumë naftëtar nga shtesa e pensionit, tregojnë qartë fytyrën e vërtetë të shtetit tonë, nivelin e ulët të njohjes dhe menaxhimit të industrisë naftës, i cili ka humbur orientimin në këtë kohë të “demokracisë modern” shqiptare.

Prandaj z. K/ministër të gjithë ata që kanë punuar dhe sakrifikuar në këto punë tepër të vështira dhe me përgjegjësi të lartë, ku shumica e njerëzve në atë kohë përbuznin punën në naftë, bile nuk preferonin të shkolloheshin për naftën mbasi nuk donin të punonin larg familjeve dhe në kushte shumë të vështira pune dhe jetese, sepse çdo minutë ishe në kontakt me rrezikun dhe në sytë e politikës, pavarësisht nga edukimi, profesioni apo pozicioni, në këtë industri, ne jemi krenar që kemi një emër të nderuar dhe populli na quan naftëtar, kurse qeveria nuk e pranon, prandaj duhet të shpërblehemi njëlloj moralisht dhe financiarisht për aq vite pune apo kontributi të derdhur në këtë industri. Në ligjin nr. 29/2019 që keni miratuar për shtesë pensioni të punonjësve të industrisë naftës dhe gazit, përfshirja edhe e 1000 apo 1500 punonjëseve të instituteve, Albpetrolit apo ekonomistët, nuk e rrënon ekonomikisht shtetin. Shteti dhe ekonomia po rrënohet çdo ditë nga vjedhja dhe korrupsioni i pasurive natyrore. Nafta që prodhohet sot e kaq vite dhe të ardhurat e majme që nxirren prej saj, padrejtësisht, po pasurojnë firmat konçensionare, klanet mafioze politike dhe oligarkët, që nuk kanë idenë se ç’është nafta dhe ku janë vendburimet, ndërsa ne shkencëtarët e saj që punuam dhe sakrifikuam aq shumë për ta zbuluar dhe vënë atë në shërbim të ekonomisë dhe popullit, qeveria nuk na jep një shpërblim kaq minimal. Atëherë cili është statusi jonë dhe në cilin sektor të ekonomisë ne bëjmë pjese?, në bujqësi, blegtori, tregti, arsim, industrinë mekanike, elektrike apo… Jo z. K/ministër ne jemi naftëtar dhe pjesë e armatës së madhe dhe ju keni detyrimin të na trajtoni dhe ne si gjithë pjesën tjetër të naftëtarëve, sepse ne kemi qënë dhe jemi bashkë, profesionalisht të lidhur ngushtë dhe nuk bënim dot pa njeri tjetrin.

Qeveria Juaj ka miratuar plotë ligje për shtesë pensioni të punonjëseve shkencor dhe mirë ka bërë, sepse shkenca vlerësohet në gjithë botën. Problemi që unë shtroj këtu është se edhe punonjësit e institucioneve shkencore në industrinë e naftës me titull: Doktor i Shkencave, duhet të marrin një përqindje shtesë sikurse ato të Akademisë Shkencave apo Institucioneve Shkencore Publike. Për punonjësit e naftës, nuk ishte e lehtë të fitoje këtë titull shkencor, për arsye të vështirësive në punë që nuk të krijonin kohën dhe qetësinë e mjaftueshme, por është tregues për një punë kërkimore-shkencore në aplikimin e të rejave të shkencës për rritjen e prodhimit naftës dhe gazit, si dhe ishte

një nga kriteret bazë për të punuar specialist në institutet e naftës. Në atë kohë, ky titull shpërblehej financiarisht dhe me siguri është mbajtur kontribut. Parat për të paguar këto lëmosha janë këtu z. K/ministër, po i vjedhin hapur para syve tanë, po ke dëshirë, vullnet dhe guxim sikurse na premtove në zgjedhjet elektorale të vitit 2013, denoncoj hajdutët, rishikoji kontratat mafioze, kaloj vendburimet ekzistuese të naftës dhe gazit nën administrimin e Albpetrolit, forcoje atë dhe zhduke AKBN, krijo Institutin Shkencor të Naftës. Mos u mashtro nga ata që thonë se naftat tona janë viskoze dhe kërkojnë metoda speciale dhe eksperiencë për ti shfrytëzuar. Specialistët shqiptar i zbuluan ato vendburime dhe kanë eksperiencë, sepse i kanë përpunuar ato që nga viti 1945 dhe për rafinimin e saj u ndërtua Uzina e Ballshit, e cila është një teknologji e re. Këto probleme le ti zgjidhin ata që janë specialistë të fushës. Vëre industrinë e naftës në shërbim të ekonomisë dhe popullit fukara. Nuk dëgjojmë të flisni ndonjëherë për ketë pasuri natyrore, rolin e saj në ekonominë tonë, apo janë mbyllur hesapet me të dhe ju është hedhur ujqërve për t’a shqyer.

Menjëherë sa erdhi në pushtet PD në 92’, filloi batërdia edhe në industrinë e naftës ku ideatorët e shkatërrimeve dhe korrupsionit, Sali Berisha dhe Genc Ruli, me babëzinë e tyre ju vërsulën edhe pasurive natyrore hidrokarbure dhe minerare. Filloi shkatërrimi ndërmarrjeve të nxjerrjes naftës dhe gazit, ku bandat politike vidhnin pajisjet sipërfaqësore të puseve dhe pak vite më vonë u erdhi radha edhe sondave të shpimit që dërgoheshin për skrap. Të gjitha këto kishin për qëllim që prodhimi naftës dhe gazit të ulej dhe kjo industri të bëhej jo fitimprurëse për ekonominë, ç’ka do të ishte më e lehtë për t’a dhënë me konçension ose shitur. Me urdhër nga lartë, Albpetrolit, ndërmarrjet e nxjerrjes naftës në Patos-Marinës, kalonin në fondin e ndalur puset me prodhimin më të lartë në vendburim dhe pas ca ditësh këto i merrte falas kompania private Premier Oil, e cila i vinte direkt në punë pa shpenzuar asnjë lek dhe kështu loja vazhdoj derisa ajo mori gjithë puset e vendburimit dhe Albpetrolit i ngelën vetëm ca puse të vdekur rreth qytetit të Patosit. Asnjeri nuk dinte ç’farë bëhej, kush ishin termat e kontratës dhe investimet, çdo gjë ishte top sekret. Ne nuk shikonim asnjë investim por vetëm çdo gjë hiqej nga inventari i Albpetrolit dhe e merrte Premier Oil. Ç’farë ishte kjo kompani?, ç’farë dinte të bënte ajo më mirë se ne në këtë vendburim? Pasi vodhi mirë naftën tonë disa vite, pa bërë asnjë investim, dëgjuam që u larguan dhe vendburimin ja dhanë (apo ja shitën) një hajduti tjetër më të madh, kompanisë Bankers Petroleum.

Nën kujdesin direkt të tij, Sali Berisha në vitin 2006 formoi Axhensinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe pak muaj më vonë, në 2007, mbylli përfundimisht Institutin e Naftës. Kjo axhensi famëkeqe, ku SPAKU para ca ditësh arrestoi ca hajdut, por jo të gjithë se atje ka dhe të tjerë, dhe tani po i nxjerr ata nga burgu një nga një, u krijua qëllimisht për të vjedhur pasuritë natyrore kombëtare. Dihet nga të gjithë se prapa çdo konçensioni në vendburimet e naftës, që punojnë dhe raportojnë “vetëm me humbje” dhe nuk paguajnë asnjë qindarkë në shtet, qëndrojnë pikërisht drejtues shtetëror, politikan të të gjitha ngjyrave, dhe oligark të qeverive, ku marrin pjesën e tyre të fitimit dhe kjo i atribuohet kësaj axhensie. Në media u fol shumë se kompania pasardhëse që bleu Bankers Petroleum ka kapur hajdutin që vidhte parat e saj, “peshkun e madh”, Leonidha Çobo, përfaqësuesin e saj në Shqipëri. Ajo ka mbi 15 vjet që shfrytëzon barbarisht dhe shkatërron çdo ditë vendburimet Patos-Marinës-Kuçovë, ndot ambientin, dhe nuk paguan asgjë në shtet.

N.q.se Loni ka vjedhur kompaninë e tij, Bankers Petroleum, ai nuk e filloi sot këtë profesion, por duhet të ketë kohë dhe njëkohësisht ai ka vjedhur edhe shtetin shqiptar, i cili nuk ka marrë taksat dhe fitimin mbi të ardhurat, por këtë gjë ajo nuk e deklaron, por ankohet vetëm për hallin e saj sepse nuk ka marrë fitimin që duhet të merrte. Pse nuk e thotë Bankers Petroleum dëmin që i është shkaktuar asaj dhe shtetit shqiptar nga kjo vjedhje e madhe? Po qeveria dhe Albpetroli, a po e mbikëqyrin këtë dëm të shkaktuar nga kjo vjedhje, dhe pse heshtin?

Lind pyetja, kush e vuri Lonin aty?, kjo dihet fare mirë se pas tij qëndron presidenti, Ilir Meta, i cili ka insistuar dhe negociuar shumë në atë kohë me kompaninë dhe vuri Lonin në krye të saj sepse ai ishte anëtar besnik i LSI, siç janë dhe shumë hajdut në AKBN. Pra, Bankers Petroleum bashkë me Lonin në krye, Ilir Metën, drejtues shtetëror dhe deputet që fshihen pas saj si “aksioner”, kanë mbi 15 vite që vjedhin dhe ndajnë midis tyre gjithë fitimin. Pse nuk e ka denoncuar këtë vjedhje që në fillim Bankers Petroleum, por e denoncon sot pasardhësja e saj Kineze, nuk e dinte apo e kishte të vështirë ta zbulonte? E ka ditur shumë mirë dhe e ka lejuar Lonin të merrte pjesën e tij të fitimit në atë formë abuzimi, sepse ai artificialisht rriste edhe shpenzimet e kompanisë dhe asaj i interesonte se raportonte me humbje, pra bashkë kanë vjedhur dhe nuk e denoncoi Lonin. Kjo puna e faturave falco me duket se është kapur dhe denoncuar më përpara nga Kontrolli Larte i Shtetit (KLSH). Me kujtohet që kompania i mbrojti me fanatizëm këto falsifikime, është gjobitur dhe më duket se hapi gjyq për këtë problem. Pra, Bankers Petroleum ka qënë tërësisht në dijeni dhe e përfshirë në këtë skemë grabitje. Nuk po futem në detaje sepse është detyrë e SPAK të hetoj vjedhjen marramendëse të kësaj pasurie natyrore gjigande nga Bankers Petroleum në Patos-Marinës, duke e shtrirë atë deri në Kuçovë.

Vuajtjet e punëtorëve të Rafinerisë Ballshit lidhen pikërisht me klanin e hajdutëve që janë pas Bankers Petroleum. Ky klan nuk e furnizon rafinerinë me naftë bruto, sepse ka më shumë interes ta eksportoj atë nëpërmjet doganave të korruptuara me çmimin që duan ata, kështu pagesat depozitohen direkt në llogaritë bankare jashtë shtetit dhe fitimin nuk e deklarojnë, ndërsa po t’jua shesin rafinerisë pak a shumë dihet kapaciteti përpunues i saj dhe gjërat janë relativisht më të kontrolluara. Kështu duke emëruar Lonin prej vërteti dhe jo atë prej betoni në krye të saj, Ilir Meta bashkë me këtë klan kanë vite që vjedhin naftën. Ata bëjnë politikën financiare të kompanisë për gjithë kohën që ajo operon me konçension këtë pellg naftë mbajtës. Pra, Bankers Petroleum nuk ka pasur asnjëherë pushtet si konçensionar në këto vendburime, ai gjithmonë ka qenë dhe është fallco sepse urdhëratë i jep ky klan hajdutesh.

Pra, lidhja e Lonit me Metën nuk është e sotme dhe e rastësishme, kjo ka zanafillë të hershme dhe lidhje politike, sepse Loni pas shkarkimit, sipas mediave, po manovronte të futej në politikë dhe të shkonte në parlament, në tribunën e popullit. Tani Loni u hoq nga drejtimi kompanisë, por Ilir

Meta me klanin e hajdutëve janë akoma atje, vazhdojnë vjedhjen bashkë me Bankers Petroleum. Kjo bëri një letër, fallco do ta quaj, ku vinte në dijeni SPAKUN, QEVERINË dhe disa AMBASADOR se kapën hajdutin Loni dhe i kërkojnë këtyre që të ndërhyjnë për ta dënuar dhe sekuestruar pasurinë marramendëse që ai ka vjedhur. Nuk jamë kundër, Loni duhet të shkoj para drejtësisë se ka vjedhur dhe shkatërruar pasurinë natyrore kombëtare, por Bankers Petroleum nuk është i sinqert dhe korrekt në këtë denoncim. A e njeh Bankers Petroleum historinë e tij (paraardhëses) në shfrytëzimin e këtij pellgu naftë-gaz mbajtës që nga viti 2004, ku gjithmonë ka raportuar me humbje dhe asnjëherë nuk ka shpallur falimentim sipas ligjit dhe pse kjo vazhdon në rrugën e saj? Po qeveritë pse kanë heshtur dhe nuk i kanë pezulluar asaj liçencën dhe të drejtën për të operuar këtë pasuri kombëtare?

Kompania ka vite që ka të “ligjëruar” vjedhjen dhe i ka sjell dëme kolosale ekonomisë. Tani që ajo operohet nga kinezët, e denoncoj Lonin dhe shumë mirë bëri, por pse nuk denoncon dhe gjithë klanin e hajdutëve që janë gjoja “aksioner/investitor” që ka fshehur paraardhësja e saj në këtë konçension? E di ajo historinë e tyre apo jo? Me sa duket ajo kështu është këshilluar prej tyre që të mbuloj të gjitha vjedhjet vetëm me Lonin, por Ky është vetëm maja e Ajsbergut. Kjo i intereson dhe gjithë partive politike sepse secila ka përfaqësuesit e saj në atë kompani. Jo, Bankers

Petroleum, AKBN, Albpetroli, drejtues të qeverive dhe klani “investitor” i hajduteve, duhet të hetohen bashkë me Lonin nga SPAK dhe GJYKATA FIERIT për këtë vjedhje dhe shkatërrim që i kanë bërë kësaj pasurie natyrore. Është pikërisht ky klan hajdutësh politikë me emrin Loni që kanë hartuar gjithë skemën e vjedhjes së pasurive natyrore të naftës në Patos-Marinës-Kuçovë, natyrisht nën mbrojtjen e qeverive. Kjo kërkon një hetim të plotë dhe të hollësishëm që në lindjen e këtij konçensioni, lidhjen e kontratave dhe kalimin e tyre nga njëra tek tjetra, deri në ditët e sotme. Në këtë pellg notojnë peshqit e mëdhenj që kërkon SHBA dhe BE. Kjo është vjedhja dhe shkatërrimi më i madh që po i bëhet pasurive natyrore kombëtare në këto 30 vite tranzicioni, bile më e madhe se ç’mund ti bënte një pushtues i huaj, dhe që populli ynë do ta vuaj për breza të tërë. Një hetim të tillë, sugjeroj që SPAK të aplikoj në gjithë vendburimet e naftës dhe ato minerare, sepse pas tyre ka vetëm klane hajdutësh politik dhe oligark që maskohen pas konçensionarëve. Këtë kërkon populli dhe Shqipëria sot. Lindin disa pyetje, ç’farë do bëjë shteti me këta “aksioner” hajdut që janë pas kompanive konçensionare kur atyre ti mbaroj kontrata? kujt do ti mbetet pasuria?, shtetit apo këtyre “aksionerëve” që po marrin fitimet bashkë me kompanitë?, apo ata shpresojnë të blejnë aksionet e tyre dhe të bëhen pronar të ligjshëm të pasurive natyrore? Kompanitë konçensionare nuk i kanë blerë vendburimet, por i kanë marrë falas me kontratë nga shteti për ti operuar dhe kur kontrata mbaron ato i kalojnë në pronësi shtetit. Prandaj, kjo është një tjetër arsye që SPAK të hetoj këto kontrata dhe dënojë korrupsionin në këto pasuri natyrore.

Është vërtetë për tu habitur që edhe kur ndonjë rast korrupsioni, në industrinë e naftës apo atë minerare, etj., shpërthen sheshit dhe gjoja është në hetim, krijohet një heshtje varri, dhe asnjë nga partitë politike nuk prononcohet për të inkurajuar dhe ndihmuar drejtësinë që ajo të bëjë normalisht punën, por i vërsulen dhe bëjnë presion asaj në rrugë të ndryshme dhe përpiqen që si e si ta pengojnë atë. Por edhe drejtësia, kur ka ndonjë denoncim ose investigim mediatik, këto vetëm konsumohen në ajër, ajo nuk fillon procedurat ligjore për të çuar hajdutët para ligjit, por presin urdhër, nga kush? Të njëjtën iso në mbrojtje të korrupsionit mban dhe presidenti republikës. Ky fakir hajdut, që vërtitet në gjithë Shqipërinë, bashkë me zagarët e tij nga pas, duke bërë shenja dhe xheste si një i çmendur dhe re-dekoron heronjtë, nuk gjeti ky ndonjë hero në industrinë e naftës apo atë minerare për t’a dekoruar?, apo ashtu ja do puna që të qëndroj larg vendit të krimit. Industria e naftës dhe ajo minerare ka patur plotë heronj të vërtetë, njerëz të përkushtuar në ato punë tepër të vështira, që kanë dhënë edhe jetën ose janë dënuar dhe pushkatuar padrejtësisht nga regjimi i kohës. Bile ai ka detyrim të dyfisht, si president dhe si “aksioner apo bashkëpronar” në disa konçensione ku ai është strukur dhe vjedh, sepse në to është djersa dhe gjaku i tyre. Megjithatë, heronjtë e naftës ofendohen dhe s’kanë nevojë të dekorohen nga një president hajdut. Kjo heshtje tregon mjaftë se gjithë politika, pa përjashtim, është bërë bashkë në mbrojtje të korrupsionit, sepse janë pjesë e tij në çdo degë të ekonomisë. Gazetat më prestigjioze në botë shkruajnë se Shqipëria është një vend ballkanik shumë i pasur me naftë, prodhon sasira të mëdha dhe shteti nuk merr asnjë fitim prej saj, ndërsa populli është shumë fukara. Kjo është reale dhe shumë e vërtetë. Pra, vendi ynë është bërë objekt diskutimi në skenën botërore, ata na quajnë ne popull budalla, injorant dhe qorra. Me këto skema korrupsioni ne po vërtetojmë para gjithë botës se Shqipëria nuk e ka vendin në Europë, por në ca komunitete Afrikane ku pasuritë natyrore kombëtare komandohen nga bandat e krimit dhe hajdutëve.

*Inxh. Gjeolog Nafte, Doktor i Shkencave Gjeologjike Specialist dhe ish-shef i kabinetit të vendburimeve në Institutin Gjeologjik të Naftës, Fier

4 komente në “ANALIZA: Pse ky qëndrim ndaj punonjësve të instituteve shkencore të naftës dhe pse shteti hesht për kompaninë Bankers Petroleum z. Kryeministër?”

  1. Vangjel says:

    Një analizë me fakte. Një akuzë e bazuar ndaj hajdutve. Më në fund, doli zotnia i ndershëm dhe trim, haptas kundër hajdutve të përmasave të mëdha të pasurisë kombëtare.
    Vazhdimisht kam shkruar: Të nacionalizohet (kombëtarizohet, shtetëzohet) nafta dhe gazi i gjithë Shqipërisë, sikurse edhe minierat. Të rihapet Instituti i Kërkimit të Naftës dhe Gazit (me Sektorin e Gjeofizikës), Instituti Teknologjik i Naftës, Ndërmarrjet e shpimit të Naftës etj., që u mbyllën padrejtësisht më 2007. Atyre t’u hiqet dryni!!! Të krijohet Kompania Shtetërore (kombëtare) e Naftës Shqiptare etj. Kompanive të huaja të naftës, që kanë marrë licensat për disa Blloqe për kërkimin e naftës, por gjatë shumë viteve nuk kanë kryer asnjë punim kërkimi, t’u anulohen marreveshjet hidrokarbure. Naftën dhe gazin t’i kërkojnë, zbulojnë dhe shfrytëzojnë vet shqiptarët. Vetting-u dhe spak të kontrollojnë imtësisht sektorin e naftës dhe atë të minierave, sepse aty janë hajdutët e mëdhenj ose”peshqit e mëdhenj”. Kjo punë e shëmtuar nuk mund të fshihet më tej. Respekt për Ju i nderuar patriot Isuf Tushe!

  2. Thank you says:

    Eh, mo Isuf. Cte lexosh?! Nga nje ane nuk ju ve dot faj por nga ana tjeter ku ishit ju kur te tjeret i fusnin shkelmin? Ne fakt te njejtne gje duhet te themi edhe per vetem, ku jemi ne kur po na vjedhin gjithandej?! Pak e veshtire te ngrihesh kunder ketyre mafiozve

  3. Naftetari says:

    Pershkrim i sakte i sakrificave te armates se gjere to punonjesve dhe specialisteve to industrise se naftes ne vite, por eshte per te ardhur keq se si jane “shperblyer dhe trajtuar” per kete mund dhe sakrifice.
    Heshtja e qeverisjes aktuale tregon paaftesi per menaxhimin e gjendjes aktuale te situates ne industrine e naftes dhe shume me keq nese kjo qeverisje eshte pale me ata “grabites” te kesaj pasurie kombetare.

  4. Naftetari says:

    Peshkrim i sakte dhe kurajoz i situates ne industrine e naftes.
    Heshtja e qeverisjes aktuale per te marre nen kontroll situaten tregon paaftesi dhe shume me keq nese jane pale me “grabitesit” e kesaj pasurie kombetare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje