Ajo cilësohet si një nga portieret më të talentuara dhe sezonin që kaloi u shpall portierja më e mirë në Shqipëri. Është vetëm 17- vjeçe dhe pasionin e saj për futbollin e ushtron në qytetin e Fierit ku është pjese e skuadrës së Apolonisë dhe një nga pikat më të forta të këtij ekipi.
Bëhet fjalë për talenten Antigoni Hyska, që përveçse pjesë e skuadrës së parë të Apolonisë për femra, është pjesë e kombëtares shqiptare të femrave, ku për pak kohë ka qenë dhe kapitene e përfaqësues shqiptare U-17.
Në një rrëfim për Gazetën TemA, ajo tregon hapat e parë të nisjes së karrierës si futbolliste, njeriu që e mbështeti të vazhdojë këtë ëndërr dhe si ka qenë reagimi i familjes.
Ajo është kthyer në një shembull në Fier për talentin që ka, ndërkohë që këshillon çdo vajzë që të mos ngurojë për asnjë moment të ndjek ëndrrën që ka.
Antigoni Hyska në intervistën e më poshtme tregon emocionet në kombëtare, idhullin dhe skuadrën e saj të zemrës, si dhe synimin që ka për të ardhmen.
INTERVISTA E PLOTË.
Hyska, ne vendin tonë ndodh rralle që femrat të luajnë futboll dhe pse vitet e fundit ka pasur një rritje të futbollit të femrave. Si lindi dëshira për tu marrë me këtë sport?
Në shkollë, edhe pse shpesh mërzitemi, kalojmë momente mjaft të bukura dhe thurim ëndrra për të ardhmen. Pikërisht, në ambientet e shkollës, unë krijova lidhjet e para me futbollin. Luaja me djemtë dhe kuptova që kjo lojë më përket dhe njëkohësisht i përkas. Më pas, në mënyrë profesionale u regjistrova në ekipin e moshave të Apolonisë për femra dhe tashmë jam pjesë e ekipit të parë.
Si ka qenë reagimi i familjes kur ju vendosët të zgjidhnit për tu marrë me futboll?
Reagimi i familjes ka qenë pak i çuditur por babi me ka mbeshtetur ne cdo hap te karrjeres time .Ai ka qenë për cdo gjë pranë dhe e falenderoj nga zemra po ashtu dhe familjaret e tjerë qe me japin kurajo per te ecur ne hapat e duhura.
Kush ishte personi i parë që të afroi me këtë sport dhe besoi tek ju?
Personi i parë qe besoj tek un ishte vajza e tezes time ajo shihte tek unë se me sa pasion se me sa dëshirë luaja futboll. E falënderoj sepse, duke parë dëshirën time të madhe që kisha të isha pjesë e një ekipi futbolli, kërkoi dhe më prezantoi me drejtuesen e ekipeve të moshave të ekipit të Apolonisë, kur unë u bëra pjesë e tyre. Më pas, klubi më ofroi të bëhem pjesë e ekipit të parë, ku edhe ndodhem aktualisht.
Ju jeni pjesë dhe e kombëtares shqiptare dhe kapitene e ekipit. Si është marrëdhënia jote me grupin dhe trajnerin?
Kam qenë per pak kohë kapitene e Kombetares U-17 aktualisht nuk jam me aty sepse luaj ne kombetaren u-19 dhe kombetaren e madhe. Ai ka qenë nje privilegj shum i madh per mua dhe nje motiv per te hedhur hapa me lart.Kam një marrëdhënie shumë të mirë edhe me grupin edhe me trajnerin, si në Kombëtare ashtu edhe në klubin ku luaj. Duke qenë vajza, merremi vesh mirë dhe jemi një grup i mirë. Nuk ka xhelozi mes nesh, pasi kemi si qëllim të rritemi dhe të mbështesim njëra-tjetrën.
Çfarë synoni në ardhmen?
Vjet jam shpallur si portjerja me e mir ne Shqiperi por nuk synoj kaq nga vetja.Synim kryesor është që bashkë me ekipin të arrijmë të shpallemi kampione të Shqipërisë. Po punoj shumë dhe po stërvitem jo vetëm në seancat stërvitore me ekipin, por edhe individualisht. Uroj që një ditë të jem pjesë e ekipeve europiane.
Kush është idhulli juaj në futboll dhe për kë skuadër bëni tifozëllëk?
Idhulli im në Kombëtare është Etrit Berisha. I qartë në pozicion, i përqendruar dhe të jep siguri në çdo ndeshje.Skuadra ime e zemres eshte Juventus sepse ka dhe nje gjigand ne porten e tyre Gianluigi Buffon.
Keni një mesazh për vajzat që duan të merren me këtë sport?
Mesazhi im per vajzat është të ndjekin ëndrrën. Fundja, jeta është e tyre dhe jo e të tjerëve. Futbolli është sporti më i bukur në botë. Është me fat çdo vajzë që ka talent dhe di të luajë. (Fatjon Baze – TemA)