Me rastin e festave të fundvitit dhe në kushtet e jashtëzakonshme që po jetojmë, shoqata e gruas “Shqiponjat e Mëndafshta”, në bashkëpunim dhe me përkrahjen e Konsullatës së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë në Bari të Italisë, organizuan një takim me më të vegjëlit.
Konsullja e Përgjithshme, Genta Mburimi, e cila është në detyrë prej shtatorit të kaluar, po kryen një punë të shkëlqyer me komunitetin shqiptar në Bari. Në përkrahje të çdo iniciative që ofron më tepër istitucionin pranë qytetarëve shqiptarë, të cilët jetojnë në Pulia dhe e pranishme në çdo rast që paraqitet për tu ulur pranë bashkëkombësve.
Për këtë arsye Konsullata e Barit hapi dyert e saj dhe mirëpriti shqiponjat e vogla. Ky brez i ri i lindur jashtë Shqipërisë, shpeshherë mbartës i dy nënshtetësive, ka nevoje për t’u afruar dhe prezantuar me gjuhën, historinë, kulturën dhe traditën shqiptare, elementë këta që ju përkasin që në lindje. Fëmijët u pritën me buzëqeshje dhe krahe hapur nga i gjithë trupi konsullor si edhe grupi drejtues i shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta”.
Së pari qëllimi i këtij takimi ishte të përqëndronte vëmendjen tek shtresa më delikate dhe prekëse në këtë vit të vështirë, siç janë fëmijët. Së dyti, krijimi i mundësive per t’i afruar me njohjen e origjinës së tyre. Fëmijëve u dhuruan tekste në gjuhën shqipe nga trupi konsullor dhe dhurata të tjera të vogla nga vajzat e shoqatës “Shqiponjat e Mëndafshta”.
Përgjatë takimit atmosfera e dhomës së pritjes ishte e zbukuruar me rast festash dhe ambienti, akoma më i ngrohur, nga tingujt e violinistes Anila Bodini, e cila luajti për fëmijët këngën e famshme shqiptare “Ja na erdhi viti ri”.
Shoqata e Gruas “Shqiponjat e mëndafshta” po bëhet gjithmonë e më tepër një pikë referimi e rëndësishme për komunitetin shqiptar në Bari. Nëpërmjet punës dhe angazhimit të kësaj shoqate, si dhe falë ideve dhe angazhimit të tyre, bashkëatdhetarët e Barit marrin pjesë ne aktivitete te ndryshme.