Pse demokracia është ende e largët në Shqipëri?!

30 Dhjetor 2020, 17:07Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Në 30 vitet e fundit, Shqipëria, ka bërë hapa të jashtëzakonshëm në shndërrimin prej një shoqërie gjysmake të sistemit socialist në një shoqëri konfuze të sistemit kapitalist. E përcaktojmë kështu, pasi Shqipëria edhe Socializmin e bëri në një udhë të paparë dhe krejt ndryshe nga gjithë vendet e Lindjes, ose e thënë ndryshe e pa të dytë në manualet filozofikë të Socializmit. Mund të thuhen shumë gjëra për tranzicionin, por fillimi ishte katastrofal. Një artikull i vitit 2009 të DW, i  autorëve Fabian Schmidt dhe Angelina Verbica, duke cituar ish-ministrin e tyre Carl-Dieter Spranger, atëherë kreu gjerman për Bashkëpunimin Ekonomik, për përshtypjet e para nga një vizitë në Shqipëri në vitin 1992, e zbërthente vendin tonë me një dritë të saktë: “Situatat katastrofale, me të cilat ne u ndeshëm janë të pashembullta. Kjo relativizon shumëçka, që mund të hasësh, kur viziton vendet klasike në zhvillim, Afrikën dhe Amerikën Latine. Unë do t’i rekomandoja secilit qytetar gjerman të një shoqërie me mirëqenie, që mendon se duhet të kritikojë kushtet e jetesës në Gjermani, të vijë një herë në Shqipëri“.

Megjithë zhvillimin e pamohueshëm njëkohësisht edhe të debatueshëm të vendit tonë, rruga që bëmë ne shqiptarët është e pakrahasueshme, ndërsa afrimi drejt Demokracisë së vërtetë duket se do ende shumë e shumë punë. Kjo për shkak të politikës, modeleve dhe njerëzve që zgjedhim të na përfaqësojnë, administratës që kemi ngritur, nga ndryshimi i ngadaltë i mentalitetit, por mbi të gjitha nga predispozita për demokracinë e vërtetë, e cila kërkon detyrime dhe sakrifica. Çfarë nuk bëmë mirë? Çfarë duhej bërë? Ka pafund teori dhe kompetentë të fushave të ndryshme të cilët kanë parashtruar ide për zhvillimin e vendit, por një gjë duket qartë në procesin e integrimit të Shqipërisë: ne vazhdojmë për shkak të kaosit të madh të brendshëm të shkojmë në drejtime jo të mira. Ose më saktë duke penguar, zhvlerësuar shumë gjëra politikisht, ekonomikisht, që kulmojnë me zvetënimin tonë moral, ku shpërdorimi i madh e “normal” i fondeve publike raportohet sistematikisht nga KLSH-ja. Në një farë mënyre, demokracia tek ne kuptohet që kur PD-ja të jetë në fuqi, PS-ja me të gjithë mekanizmat e saj t’ja pengojë arritjet dhe punën; ashtu si PD-ja tashmë në çdo hap që ka bërë PS-ja e ka sabotuar me të gjitha mënyrat, shpesh edhe palogjikë. Për fat të keq, vijat e kuqe tek ne nuk luajnë rol. Dhe, kjo ndodh qysh me procesin e integrimit, ku të gjithë palët duhet të ishin të dakordësuara për strategjinë e integrimit në BE; ashtu si edhe për Kosovën, ku arrihet deri në akuzat e ashpra për tradhti kombëtare; për të mos përmendur marrëdhënien me Greqinë, ku çdo akt i një pale konsiderohet si shitje e atdheut nga pala tjetër.

Gjendjen e rëndë demokratike të vendit e ka theksuar më së shumti batërdia e përgjithshme që pasoi dy tërmetet e 2019-ës dhe sidomos situata e tmerrshme e pandemisë në vend, me mungesën e kapaciteteve të nevojshme shëndetësore dhe përfoljet e vazhdueshme. Por, a është ky vetëm një fenomen shqiptar?! Jo. Në Shqipëri të mjafton të shikosh përballjet e autoriteteve ardhur nga qeveria e PS-së me institucionet e pavarura, reformat dhe akuzat e sotme të PD-së për t’i zhbërë kur të vi në pushtet, përpjekjet për t’i përfolur të gjitha arritjet nga Lulzim Basha, mosrespektimi i asnjë dokumenti, apo përqeshja e kundërshtarëve nga qeveria Rama në fuqi… që të kuptosh sesa e respektojmë demokracinë. “Në politikën shqiptare të fundit të shekullit njëzet dhe të fillimit të shekullit njëzet e një, përpos një numri të vogël individësh, do të gjenden shumë mendje të ngushta me pak a aspak kulturë politike, me pak a aspak mendje historike, me pak a aspak dije për organizim shtetëror, me pak a aspak qartë-pamje për sfidat e së ardhmes, kurse disa prej tyre edhe me jetëshkrime politike pothuaj të komprometuara për gjendjen, qëllimet dhe vlerat e kohës së re. Liria me të cilën na ndriçoi fillimshekulli premtues, prej pushtetarëve të ndryshëm do të kuptohet në mënyra shumë të ndryshme, duke e dëshmuar atë mençurinë e të urtëve evropianë se lirinë më lehtë e fitojmë se ç’dimë ta përdorim. Në këtë fillimshekulli për shumëçka nuk kemi menduar kur do të duhej të kishim menduar, prandaj shumëçka nuk do të dimë, që do të duhej tashmë ta dinim”, shkruan Rexhep Qosja, në një nga botimet e tij të fundit.

Fjalë të sintetizuara edhe për historinë tonë dhe për të parë se deri ku ka arritur makutëria e të zgjedhurve tanë në dy anët e kufirit. Ne, në Shqipëri, e kemi fituar demokracinë si një inerci e zhvillimeve së të gjithë kontinentit, por po tregojmë se po e mbajmë ose po e zhvillojmë me shumë vështirësi. Të kujtosh se çfarë është bërë me pronat, viktimat që ka prodhuar ajo, mënyra sesi ndahet prona publike, arroganca e pushtetarëve të djeshëm dhe të sotëm për çdo vendim që drithëron njerëzit me cinizmin e tyre, PPP-të e pafundme aq të përfolura, përballja e administratës, mosrespektimi i institucione të pavarura dhe përpjekja për t’i kapur ato të kuptosh se  demokracia ka ende shumë udhë. Drejtori i kërkimeve të të dhënave për Evropën dhe Euroazinë në “Freedom House”, Zselyke Csaky e ndriçon kështu këtë fenomen të gjithëpërhapur në vende si ne në artikullin “Dropping the democratic facade“Një numër në rritje i udhëheqësve në Evropën Qendrore dhe Lindore kanë shmangur madje edhe pretendimin për të luajtur sipas rregullave të demokracisë. Ndërsa konsensusi demokratik i rendit pas Luftës së Ftohtë i ka lënë vendin konkurrencës së fuqisë të madhe dhe ndjekjes së interesit vetjak, ku këta politikanë po fshihen pas një fasade. Ata po sulmojnë hapur institucionet demokratike dhe po përpiqen të heqin çdo kontroll të mbetur nën juridiksionin e këtyre të fundit. Në rajonin që shtrihet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore, ky ndryshim ka përshpejtuar sulmet ndaj pavarësisë gjyqësore, kërcënimet ndaj shoqërisë civile dhe medias, manipulimin e kornizave elektorale dhe zbrazjen e parlamenteve, të cilat sot nuk e përmbushin më dot rolin e tyre si qendra të debatit politik dhe mbikëqyrjen e duhur të ekzekutivit. Udhëheqësit antidemokratë në rajon…duke pretenduar se ata veprojnë në përputhje me vullnetin e popullit – në fakt, ata e bëjnë këtë vetëm për të justifikuar përqendrimin e tyre të pushtetit dhe shkeljen e vazhdueshme së të drejtave politike dhe civile të lirive. Këto zhvillime kanë kontribuar në një ndarje të jashtëzakonshme demokratike në 29 vendet e mbuluara nga “Kombet në Tranzit”. Sot ka më pak demokraci në rajon sesa në çdo moment tjetër që nga fillimi i raportit tonë vjetor të institucionit prej vitit 1995. Kjo lloj gërryerje i ka lënë qytetarët veçanërisht të prekshëm ndaj abuzimeve të mëtejshme të të drejtave dhe të marrjes së pushtetit të lidhur edhe me pandeminë e koronavirusit”.

Ballkani me të gjithë liderët e tij, qysh nga Milo Gjukanoviç në Mal të Zi; Aleksandar Vuçiç në Serbi; Berisha dhe Rama në Shqipëri; Thaçi, Mustafa e Haradinaj në Kosovë i kanë shtyrë vendet tona në zgrip. Dhe, i gjithë ky paradoks, vjen në një kohë kur procesi i anëtarësimit në BE është i zhytur në mosmarrëveshje dhe vendeve tona, nga ana tjetër, nuk u mbarojnë telashet (jo vetëm prej tyre), duke e kthyer Ballkanin në një tabelë gjeostrategjike shahu. Kështu e cilëson specialisti i kërkimeve, në artikullin e mëparshëm, por duke i rënë fort kambanës, që popujt tanë prej topitjes së madhe, që krijuan të zgjedhurit e tyre, nuk po arrijnë ta dëgjojnë ende si duhet…tingullin e demokracisë së vërtetë.

9 komente në “Pse demokracia është ende e largët në Shqipëri?!”

  1. Lanabregesi says:

    Si gjithmon Ben Andoni bene shkrime te merzitshme, ve shenjen e barazimit midis nje krimineli si Sali Berisha dhe te tjereve. Saliu o Andoni eshte soji me i ndyre qe ka udhehequr shqiptaret ne gjithe historine e tyre, nuk ka nje te dyte manjak pushteti deri ne krim si ai.

    1. Bureto says:

      ?Mos e luj më se e prish.
      Por, duhen kuptuar dhe këta analistë si Andoni, edhe pse nga më të pranushmit në tregun mediatik, sepse i druhen opinionit të egër të kolegëve militantë apo simahorë, se mund t’i stigmatizojnë me lloj-lloj epitetesh, si i paguar nga X apo Y politikan, oligark; si bythlëpirës, servilë etj që me të drejtë cilido që ka karakter nuk do që të lëndohet kësisoj. Dhe këta të llojit të Andonit me sa kuptohet nuk janë gati të përballen me vulgun mediatik, pse jo edhe me opinionin publik, ndaj dhe shkruajnë si të thuash me gjuhë të drunjtë dhe sigurisht e kanë gabim kur vënë shenjën e barazimit midis të gjithëve, ose i fusin të gjithë në një thes. Po mesa duket edhe ky fenomen është pasojë e mungesës apo moskuptimit të demokracisë, çka reket të shphegojë dhe Ben Andoni në shkrimin e tij.

    2. Z says:

      Shqiperia eshte keshtu sepse ka njerez medioker si ky,Andoni!

  2. spata says:

    Shume je lodhur o Beni te na tregosh se kur vjen demokracija ne Shqiperi. Koncepti demokraci ka egzistuar qysh ne lashtesi.Fillozofet e dijetaret e lashte Pellazge dolen ne nje perfundim se kjo shoqeri kafezore duhet te ndryshoje .Njeru qe te dallohej nga kafshet nuk duhej te shqyente e te skllaveronin kete qenje njerzore dhurate e Zotit . E qysh athere e deri me sot ,o Beni ,bota dhe majmuni shqiptare kane kaluar ne disa shkalle dhune per te arritur ato qe injicuan konceptin e demokracise ne nje shtet solid e njerzor .
    Shtrohet pyetja jote se kur shqiptaret dote rrojne ne demokraci .Eshte disi ironike kjo pyetje . Demokracija do te vonoje dhe do te duken elementet e pare te saj kur kapitali te kete arritur pikene e ngopjes.Mepas do te kemi furtunen e protestave qe do ta detyroje kete klase kapitaliste te ngopur te leshoje element te demokracise . Se sa dote leshoje kjo klasa jone politiko-kapitakiste do te varet nga aftesija e popullit per ti kundershtuar jo me llogje kavaje por me perplasje te fuqishme .Deri me sot protestat rekomandohen te mos jene te dhunshme .Kjo nuk qendron me filozofine e demokracise .Ajo nuk vjen pa perplasje te fuqishme e permanente .Nuk vjen pa thyer monopalet qe operojne kur aplikojne politika qe te marrin nje fitim maksimal ne kurrize te popullit .Nuk vjen kur hajduti dhe krimineli eshte ne pushtet dheDrejtesine e emrojne po ata .
    Pra i dashur Beni kot i je futur kesaj teme.Lerua brezave qe dote pergatisin kundervenjen ndaj kapitalit qe dote identifikohen nga firmat e medhaja si psh. Salolavicin sanduic-argi .Guro-meta- tomor .Rruga drejt arberit hale-lulja . Surrel menegjer Zao e shume e shume te tjera si keto . korrporata te fuqishme kapitaliste.

  3. SON says:

    Beni besoj e ke lexuar amb tone ne Britani se si Edi kishte lobuar kunder antaresimit ne BE dhe kur? Ne nentor 2013 kur ishte vete sepse meriten do ja merte Saliu….pra skandal se cbejne per pak merita personale….

  4. Mendoj që çdo shoqëri vuan pasojat e sjelljes së sajë.Ka shumë për tu thënë se pse jemi në këtë gjendje të mjeruar.Nga një mpleksje faktorësh të cilët bëjnë që ne të sillemi pandalshëm në rrethin vicioz të mjerimit është sjellja foshnjarake kolektive ndaj veprimeve ose sjelljeve të politikanëve të cilëve u besojmë jetën dhë të ardhmen tonë.Eshtë shumë normale që një herë populli të mashtrohet nga ndonjë politikan,ka shumë shembuj në botë që i ka ndodhur kjo gjë edhe popujve më të emancipuar,por është e pa imagjinueshme që një popull të votoj për së dyti herë politikanin i cili i ka bërë gjëmën.Shembuj tek ne ka sa të duash por rasti më i pashembullt është ai i Berishës,nuk kanë faj shqiptarët që ja kanë falur besimin për t’i udhëhequr herën e parë,por herën e dytë kurë i besuan kjo ka qenë jo vetëm zhgënjyese por për dhimbje.Njeriu që me vetëdije e ka sjellur vendin në zhbërje totale me piramidat,politikani që i hapi vendit tremijë varre në “97 ,të e marrë besimin e shqiptarëve pas tetë vitesh ,kjo ka qenë njollë emancipuese .Nëse ka ndodhur që një politikan me të kaluar politike të tillë të rehabilitohet dhe të votohet përsëri nga shqiptarët atëherë përse të tjerët mos të vjedhin e mos të vrasin.Përse politikanët shqiptarë të mos keqëpërdorin pushtetin kur e dijnë që më e pakta që mundë ti ndodhë është që në zgjedhjet e ardhshme të bëhet deputet.Sjellja e politikanëve duhet të gjykohet me kujdes qoftë edhe me bojkot total të zgjedhjeve nëse listat zgjedhore vendosen ata që kanë vjedhur e vrarë.Në funksion të së ardhmes duhet që të DISTANCOHEMI nga HAJNAT dhe VRASESIT.

  5. Mesuesi says:

    ?! Thembra e Akilit është emancipimi demokratik i popullit, në tërë diapazonin e tij, që të mundësohet një shoqëri demokratike dhe një shtet i së drejtës. Sa më shumë të zgjasë i pari, aq më shumë largohen këto të dytat.

  6. Andoni says:

    Demokracia eshte ende large ketu ne Shqiperi sepse je Ju me ze te nendheshem brenda or Ben Andoni qe tjeter eshte realiteti dhe tjeter pasqyroni ju çakenjte e ketij pylli!

  7. Igor says:

    Ne Shqiperi kur zdo te arihet nji demokraci pse?Shqiperija esht si ai bariu qe i rihte delet dhe delet e kuptuan dhe filluan te hikin kur bariut i erdhen ment por ishte vone pse i kishin hikur dhent,edhe Shqiperija kur politikanet dote zgjohen nga gjumi dhe te mendojne per popullin por esht vone pse Shqiperija dote boshadiset dhe popullit nuk doti interesoj demokracija e hajduteve dhe te koruptuarve,dhe keshtu Shqipetaret dote zavendesohen nga Fqinjet dhe lamtumire Shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje