Pas një periudhe të shkurtër pushimi për shkak të festave, ditën e nesërme rikthehet Kategoria Superiore.
Sfida e parë e këtij viti do të jetë ajo mes Vllaznisë dhe Teutës, takim që do luhet në stadiumin “Loro Boriçi”.
Trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdaric theksoi se skuadra e tij është gati për këtë duel të vështirë, ndërsa bëri një koment edhe për merkaton.
“Kemi filluar vitin e ri me prezantimin e një lojtari të mirë dhe po shikojmë në çdo kohë përpara me të njëjtin ritëm. Tani jemi në një pozitë ku çdokush dëshiron të na arrijë dhe të na mundë. Do stërvitemi fort dhe do jemi gati për çdo gjë.
Po e dimë se Teuta nuk është mundur asnjëherë. Nesër kemi një mundësi të mirë për të mundur Teutën, luajmë në shtëpinë tonë. Kanë shumë eksperiencë dhe kam shumë respekt për trajnerin Martini, që vjen si fitues i Kupës dhe Superkupës. Është ndeshje e vështirë dhe kërkon shumë fokus për ta fituar”.
Përballë Vllaznisë do të jetë tekniku shkodran Edi Martini që drejton Teutën që në konferencën e sotme për shtyp u shpreh:
Është e disata herë që përballem me Vllazninë si trajner i një ekipi tjetër. Këtë radhë emocionet janë edhe më të forta sepse po luajmë ndaj një Vllaznie, që kryeson klasifikimin që nga java e parë dhe normalisht është një ndeshje shumë e vështirë, prandaj edhe emocionet janë edhe më të mëdha.
E kam theksuar edhe më parë, ne hyjmë në fushë për të fituar, cilido qoftë kundërshtari. Normalisht kemi vështirësi. E njohim mjaft mirë ekipin kundërshtar, i dimë pikat e forta dhe të dobëta të tyre, gjithsesi fusha tregon gjithçka.Kam thënë se ekipi është i kompletuar. Kemi mbyllur vitin e shkuar me një fitore direkte ndaj Kukësit, nuk kemi problematika të mëdha. Të them të drejtën nuk e kam mendjen aty, jemi të fokusuar te ndeshjet dhe nuk kemi shumë kohë të pushojmë”, tha Martini.
Ky duel luhet nesër në orën 18:00.