Vllaznia triumfon kundër Teutës, që në 13 javë nuk kishte pësuar asnjë humbje. Tre pikë të arta për shkodranët, që e çojnë në 9 pikë diferencën me skuadrën e Edit Martinit falë një goli të Ardit Hoxhajt. Një fitore e merituar e kuqebluve, që dominuan dhe ishin më lart edhe me një lojtar më pak, pasi vlonjati goleador u ndëshkua me karton të kuq. Një sfidë spektakolare, që do kishte qenë edhe më e bukur të ishte luajtur me tifozë.
NDESHJA – Shkodranët dominuan pjesën e parë, duke e mbajtur ekipin durrsak në gjysmëfushën e vet dhe rrezikuan disa herë të shënonin. Ardit Hoxhaj dha sinjalin e parë, por Frashëri reagoi, sikurse ndodhi më pas edhe me një gjuajtje të Adilit nga distanca.
Teuta shpëtoi nga shtylla në 45 minutat e para, pas një gjuajtje të Haris Dilaver brenda zone. 0-0 dhe ekipet iu drejtuan dhomave të zhveshjes, madje me protesta nga vendasit për faktin se u pretendua se u mbyll pjesa e parë para kohe.
Një Teutë disi më ndryshe në minutat e parë të fraksionit të dytë, por ishte Vllaznia ajo që ia doli të shënonte pas një aksioni perfekt që u konkretizua me gol nga sulmuesi Ardit Hoxhaj, i cili shkon në kuotën e 7 gola në krye të listës së golashënuesve.
Vlonjati pak minuta më pas ishte sërish protagonist, por me një ndërhyrje që u ndëshkua me karton të kuq dhe e la Vllazninë me një lojtar më pak. Hebaj, Gruda, Kapllani dhe Avdyli ishin lëvizjet e Martinit nga stoli, për t’i dhënë skuadrës së tij diçka më shumë në sulm.
Asgjë e re, pasi Vllaznia edhe me një lojtar më pak ishte më e qartë në fushë dhe durrsakët nuk i vunë në vështirësi. Në këtë mënyrë edhe rezultati nuk mund të ndryshonte dhe Vllaznia pas vërshëllimës treshe të arbitrit Cjapi nisi festën për fitoren.