Emanuel Egbo duke fituar titullin kampion në sezonin e kaluar me Tiranën, është shndërruar në një personazh jo vetëm brenda vendit tonë, por edhe jashtë saj. Fakti që është trajneri i parë afrikan që shpall kampion një klub europian, ka bërë që vëmendja për nigerianin të vazhdojë të jetë e lartë.
Së fundmi, për Kick and Follow në PUNCH Online TV, Egbo ka dhënë një intervistë ku ka folur për shumë tema, ndërsa shpreson të përmbushë profecinë e legjendës braziliane, Pele, për të fituar Kupën e Botës për Afrikën.
-Bëre histori si trajneri i parë afrikan që udhëhoqe një klub europian si Tirana drejt titullit kampion. Sa e vështirë ishte?
Mund të them se ishte përmbushja e një ëndrre, sepse unë jam dikush që ka luftuar prej vitesh që trajnerët afrikanë të njihet, veçanërisht në Europë. Kjo ishte ëndrra ime kur përfundova së luajturi futboll dhe u drejtova për nga trajningu sepse doja t’i ktheja shoqërisë atë çfarë kisha mësuar nga më të mirët. Jam trajnuar nga trajnerë të mrekullueshëm nga Nigeria ku kisha Kristian Çukvu, Xhoe Eriko, Laurenc Akpokona dhe shumë të tjerë. Më pas shkova në Egjipt dhe jam trajnuar nga trajnerë të klasit botëror, por edhe në Shqipëri kam pasur trajnerë shumë të mirë.
-Po e mendoje të fitoje titullin me Tiranën kur filloi sezoni 2019-2020?
Askush nuk e priste, por Tirana është klubi më i madh në vend dhe është një klub që do të luftojë gjithmonë për të fituar titullin. Klubi nuk e fitonte titullin prej 11 vitesh, presidenti u mundua të bënte një skuadër të fortë për të fituar titullin duke qenë se ishte edhe 100-vjetori i krijimit dhe një trofe në vitin special do të ishte qershia mbi tortë. Ne e nisëm sezonin në një mënyrë të mirë, por më pas filluan rezultate negative dhe u gjendëm në vend të tetë, që ishte edhe zona e rënies nga kategoria sepse është një kampionat me 10 ekipe.
-Në çfarë pike ju dhe futbollistët nisët të ëndërronit titullin?
Kur unë mora drejtimin, ndeshja e parë ishte ndaj Partizanit, rivalëve tanë historikë. Dhe, ishte ndeshja më e madhe në qytet sepse nuk fitonim ndaj tyre prej gjashtë viteve. Maksimumi kemi marrë barazime dhe kishim humbur në pjesën më të madhe. Por, ishte ndeshja e parë e imja dhe ne fituam. Kur fituam atë ndeshje, pata ndjesinë se diçka e madhe mund të ndodhte dhe vendosa besimin në Zot që të kurorëzonte përpjekjet tona. Atmosfera pas fitores ishte shumë e mirë dhe ne ia dolëm të fitonim shtatë ndeshje radhazi që ishte diçka e cila nuk ndodhte në klub prej shumë vitesh. Ne ia dolëm të ishim 16 ndeshje të pamposhtur, diçka që klubi nuk e kishte arritur prej më shumë se 30 vitesh. Thyem shumë rekorde vjet, shënuam shumë gola, fituam në fusha ku të tjerët nuk kishin fituar më parë. Vjet nuk kishte asgjë që nuk e bëmë, kështu fituam kampionatin.
-Pse mendon se trajnerët afrikanë nuk janë të vlerësuar në Europë, pavarëisht kualifikimeve të tyre?
Ky është një problem i madh që afrikanët e kanë pasur për më shumë se 400-vjet. Është një koncept që është “mbjellë” në mentalitetin e afrikanëve. Ne na kanë mësuar se të bardhët janë më të mirë dhe se ne nuk ishim të mirë për asgjë. Na kanë bërë të besojmë se të zinjtë nuk mund të ishin afër të bardhëve dhe ne i pranonim nocione të tilla. E kam thënë gjithmonë se nuk i fajësoj më të bardhët, sepse ne të zinjtë jemi problemi jonë. Ne vendosëm të pranonim atë që të tjerët thonin për ne dhe kjo do të thotë se jemi të mbaruar. Unë fitova titullin në Shqipëri, por nëse do të flisja për të gjithë sfidat që kam kaluar, as të bardhët nuk ia dalin nëpër aq vështirësi. Ngjyra është një problem i madh për ne dhe derisa të fillojmë të largojmë këtë mentalitet nga mendja jonë, nuk do të përmirësohemi asnjëherë. Ne themi se asnjëherë nuk na jepet mundësia, por duhet të kuptojmë se shumica e klubeve drejtohen nga të bardhë dhe ky është një problem sepse punësojnë një të bardhë sepse i besojnë më shumë. Është koha që milionerët afrikanë apo njerëzit që blejnë klube futbolli t’i japin mundësi të zinjve të shpalosin aftësitë. Çelsi i Frenk Lampard ka humbur shumë ndeshje, por ai është ende aty. Por, nëse do të ishte një person me ngjyrë dhe do të kishte humbur maksimumi dy ndeshje, ashtu si unë që u largova nga ekipi që fitoi kampionatin pas 11-viteve dhe 100-vjetorin e tij. Kam parë një grua nigeriane të blej një klub në Nigeri, kjo është pikënisje. Duhet të fillojmë t’iu japim trajnerëve tanë mundësinë të provojnë talentin, por edhe kohën pasi në fillime bëhen gabime. Ashtu si po i japin kohë Gernot Rohr te Nigeria, ai pas pesë viteve nuk ka fituar asnjë trofe dhe prapë është aty. Por, Amnuel Anuke dhe Sunday Oliseh nuk iu dha koha e duhur.
-Si ishte atmofera te Tirana pasi fituat në raundin e parë të Champions League ndaj Dinamo Tbilis?
Dinamo Tbilis është një skuadër më e madhe se ajo e jona dhe askush nuk besonte se do t’i mundnim edhe për arsye se ato kishin luajtur 10 ndeshje në kampionat, ndërsa ne jo. Ne nuk ishim favoritë dhe fituam kur askush në Shqipëri, apo edhe drejtuesit nuk besonin pasi luanim në transfertë. Pas ndeshjes, dhoma e zhveshjes ishte në festë sepse nuk e besonim. Por, unë kisha besim se mund t’ia dilnim dhe të fitonim.
-Më pas erdhi disfata ndaj Cërvena Zvezda, si e pritët?
Edhe pse e humbëm atë ndeshje, vendi akoma flet për atë sfidë. Edhe kundërshtarët u befasuan si luajtëm ne, sepse nuk ka shans që të krahasohen dy ekipet. Edhe pse humbëm, kishim më shumë raste, por fatkeqësisht lojtarët tanë nuk arritën t’i shfrytëzonin dhe dolëm jashtë kompeticionit me kokën lartë sepse dhuruam një performancë të mrekullueshme.
-Çfarë mësuat nga këto eksperienca në këtë kompeticion?
Nuk mund të them se mësova shumë, por mësova se nëse beson atëherë gjithçka është e mundur. Nëse do të përgatiteshim më shumë, atëherë do të fitonim më shumë ndeshje. Edhe drejtuesve jua thashë se në ndeshje me një takim, gjithçka është e mundur, sepse kur janë me dy takime, zakonisht favoritët fitojnë. Mësuam sit ë luanim kundër ekipeve të mëdha dhe të përdornim kundërsulmin dhe djemtë besuan se po të luanin me konfidencë, mund t’ia dilnin.
-U shkarkove nga Tirana si pasojë e rezultateve të dobta?
Mund të them se i përdorën rezultatet si justifikim dhe në Shqipëri akoma shumë njerëz janë të habitur për shkarkimin tim. Tani që flasim, ekipi është në vend të gjashtë sepse kanë marrë shumë barazime por edhe kanë humbur. Shumë kanë thënë pse shkarkuan një trajner që ka bërë shumë për klubin, ka edhe shumë gjëra që nuk dua të flas. Unë gjithsesi do të dorëhiqesha pasi fitova kampionatin. Unë nuk jam frikacak, por fitues. Kishte shumë që thonin se Egbo nuk kishte eksperiencë, ndërkohë i provuam të gjithëve se e kishin gabim duke fituar kampionatin dhe u kualifikuar në Champions League. Ata mendonin se unë do të humbisja. Kishin planifikuar të më shkarkonin por duke qenë se ekipi po ecte mirë, pritën momentin e duhur. Ka shumë gjëra për të cilat njerëzit nuk janë në dijeni. Shumë njerëz janë të surprizuar për mënyrën si u sollën me mua, edhe në televizion unë gjithnjë mundohem të tregohem i qetë. Siç e thashë, kam mësuar me top menaxherë dhe unë kam besim te vetja ime, në atë çfarë mund të bëjë. Unë kam mësuar prej tyre, prej gabimeve të tyre e fuqive të tyre. I kam përdorur këto për të trajnuar djemtë, u sigurova që gabimet e trajnerëve të tjerë të mos i bëja unë, solla harmoninë. Përdorja vetëm lojtarë që e meritonin të ishin në fushë dhe i vendosja në pozicionin e duhur dhe gjithçka shkonte mirë si me magji. Njerëzit habiteshin me çfarë ndryshova, por nuk ndryshova asgjë, thjesht bëra gjërat e thjeshta. Këto ndodhën dhe prandaj jam duke folur tani, arsyet se pse nuk jam në skuadër.
-Marrëdhënia me lojtarët?
Shumë prej tyre nuk janë të kënaqur sepse unë sërish marrë informacione nga njerëz që punojnë në skuadër dhe më thonë se lojtarët ankohen se kur isha unë gjërat nuk janë siç janë tani, kur gjenden në vendin e gjashtë.
-Ke qenë viktimë e racizimit?
Më kanë pyetur edhe më parë për këtë. Ndoshta, pas kësaj interviste në Shqipëri do thonë se “Egbo ka thënë se shqiptarët janë racist”. Kam qenë shumë i respektuar në Shqipëri, shqiptarët janë njerëz shumë të mirë. Ky vend është si shtëpia ime e dytë. Po, ashtu si në Nigeri, ka njerëz të këqinj dhe të të mirë . Kështu, që ka edhe racist në Shqipëri, mund të shkoni e të lexoni çfarë shkruajnë njerëzit në komente te faqja ime. Vetëm shikoni çfarë shkruhet. Nuk kam nevojë ta them. Nëse racizimi është në Angli, në Amerikë, atëherë edhe në Shqipëri ka njerëz me atë mentalitet. Ka njerëz në Nigeri që nuk pëlqejnë njerëzit e bardhë. Ka fshatra në Shqipëri që nuk kanë parë më parë njerëz me ngjyrë. Kur shkova në Shqipëri në vitin 2001 më shikonin sikur kisha rënë nga qielli. Ishin kuriozë, por tani gjërat po ndryshojnë. Tani mund të dal dhe nuk iu intereson të tjerve për ngjyrën e lëkurës. Por, racizimi është prezent.
-Nëse do të jepnin drejtimin e kombëtares së Nigerisë, do ta pranoje?
E kam thënë edhe më parë, është si një shërbim ushtarak që duhet bërë për vendin tënd. Kurt ë thërrasin, nuk ke zgjidhje, vetëm nëse jam në kontratë me ndonjë klub tjetër dhe është e vështirë që të shkojë. Jam gjithnjë i hapur të ndihmoj vendin tim, sepse unë jam një ëndërrimtar dhe gjithnjë dua të arrij diçka që të përmbush ëndrrat që kam. E mbaj mend atë çcfarë Pele ka thënë, se ëndërronte që një ditë një vend nga Afrika të fitonte Kupën e Botës. Unë e shikoj Nigerinë duke fituar Kupën e Botës. Kjo është një nga ëndrrat që dua të arrij për Kontinentin tim. Në çdo rast kur mund të thirrem, e kam në kokën time që nëse do të më jepet maksimumi do të bëj më të mirën jo vetëm për Nigerinë, por edhe për përmirësimin e futbollit afrikan. Ashtu si Pitso nga Afrika e Jugut që fitoi Champions League me Al Ahli. Al Ahli është klubi i shekullit dhe është diçka që vjen nga Afrika. Kam fituar një Kupë në Kontinent dhe pse të mos fitoj Kupën e Botës, ose të paktën të shkoj në finale.