Ndryshimi i hierarkive, tashmë rinovimi i Strakoshës nuk është edhe aq i sigurt

11 Janar 2021, 13:28Sport TEMA

Tomas Strakosha po kalon nëpër shumë vështirësi në këtë sezon, teksa dëmtimet dhe COVID kanë ndryshuar statusin e tij si një titullar i padiskutueshëm te Lacio.

Para takimit të djeshëm ndaj Parmës, klubi bardhekaltër njoftoi se gardiani i kombëtares ka pësuar një tërheqje muskulore e cila do të vlerësohet ditë pas dite për të kuptuar më pas kohën e rikthimit në fushë.

Megjithatë, e sigurt është se Strakosha nuk do të jetë në derbin e kësaj jave ndaj Romës, ndërsa Reina do të vazhdojë të fitojë terren.

Në këtë sezon, spanjolli ka bërë 16 prezenca ndaj 7 të shqiptarit. Hierarkitë për trajnerin Inzagi duket se kanë ndryshuar dhe nga Italia theksojnë se tashmë edhe rinovimi i Strakoshës është në rrezik.

Kjo për arsye se kontrata e 25-vjeçarit skadon në vitin 2022, ndërsa në rast se portieri shihet si një zëvendësues, atëherë ky fakt nuk do të pranohej nga ai.

Mbetet për t’u kuptuar më shumë gjatë këtij sezoni nëse Strakosha do të kthehet të jetë ai i viteve të kaluara, por e sigurt është se balancat kanë ndryshuar.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje