Shqiptarët kanë qënë kuriozë në 10 vjetorin e vrasjes së 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar nga Garda e Republikës se ku do të kalonin ditën tre aktorët e këtij krimi shtetëror.
Të akuzuar si shkaktarë dhe urdhërdhënës për goditjen pa dallim ndaj turmës së protestuesve që po shpërndaheshin, në sheshin para kryeministrisë, Ilir Meta, Sali Berisha e Lulzim Basha kanë pasur një qasje të ndryshme ndaj kësaj dite të zezë në historinë e politikës dhe të shtetit shqiptar.
Po e fillojmë nga Ilir Meta, “blloku” i të cilit bashkë me ryshfetin 700 mijë euro të dalë nga videopërgjimi i Dritan Priftit, shkaktoi dhe acarimin e shqiptarëve të cilët iu bashkuan masivisht opozitës së atëhershme të drejtuar nga Edi Rama, në disa protesta.
Kulmi i tyre arriti në pasditen e 21 janarit, kur duke kërkuar dorëheqjen e zv.kryeministrit të asaj kohe Ilir Meta me thirrjen “Sali dorëzo bllokun”, ku protestuesit u pozicionuan përballë Kryeministrisë.
Kishte përplasje mes protestuesve dhe policisë, teksa Sali Berisha jo vetëm që nuk e ‘lëshoi’ Ilir Metën, jo vetëm që nuk doli nga kryeministria kur ia kërkuan organet e sigurisë evakuimin e tij, por sipas dyshimeve urdhëroi Gardën të qëllonte mbi turmën, kur ajo po shpërndahej.
Rezultati dihet: U vranë me duar në xhepa Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. U plagosën shumë prej të tjerëve, mes të cilëve dhe një gazetar, Fatos Mahmutaj.
Vit pas viti Ilir Meta sa herë vinte 21 janari, megjithëse në pushtet me socialistët si kryetar Kuvendi dhe më pas si President i vendit, “sajonte” ndonjë vizitë, sidomos në një land në Gjermani, vetëm e vetëm që në këtë ditë të mos ndodhej në Shqipëri.
E ka bërë për 9 vite me radhë këtë gjë. Vetëm këtë vit, për shkak të mbylljes së kufijve nga pandemia, por dhe pamundësisë për të siguruar ndonjë ftesë jashtë vendit, e kanë izoluar ‘sovranistin’ ndërkombëtarët, qëndroi në Tiranë.
Sa herë vjen 21 janari, kërcënimi i tij se “protestuesit kokëpalarë donin të merrin shtetin me dhunë”, shkakton revoltë tek qytetarët dhe nuk dëshiron ta dëgjojë live në TV-të e Tiranës.
Por këtë 21 janar, Meta ka gjetur me çfarë të merret! Ka thirrur në raport Avokaten e Popullit Erinda Ballanca dhe ka shfaqur merakun e thellë për pronat në bregdet!
Pra takimi nuk ishte për 21 janarin e krimin shtetëror si dhe faktin se policia dhe prokuroria kishte deklaruar rihapjen e hetimeve për 4 vrasjet e protestuesve nga Garda, por për pronat në bregdetin e jugut.
Të paktën zyrtarisht Presidenca njoftoi se Meta me kërkesën e tij, priti në një takim Avokatin e Popullit, pa përjashtuar dhe faktin se në takimin ‘tet a tet’ mund të jetë folur dhe për 21 janarin.
I ‘shqetësuar’, Meta i bëri me dije Ballancës peticionin nga banorët e Radhimës, Orikumit, Tragjasit dhe Dukatit, për rehabilitimit e rrugës Vlorë-Orikum, pasi ata pretendojnë se u janë shkelur të drejtat dhe nuk u është trajtuar prona si duhet.
Kreu i shtetit ka theksuar se “nëse Qeveria dhe pushteti vendor, shmangin respektimin e të drejtave të qytetarëve, është detyra e institucioneve të pavarura dhe e Gjykatës, të kryejnë vlerësimin e çdo pretendimi sipas fushave të tyre të përgjegjësisë”.
Bëri fushatë me një fjalë kundër qeverisë dhe Edi Ramës, pa përmendur në asnjë rresht 21 janarin, qoftë dhe për të ngushëlluar pas 10 vitesh familjet e “kokëpalarëve” protestues që u vranë në mes të bulevardit.
Ndërsa Lulzim Basha, kryetari i PD, si gjithnjë ka bërë sikur nuk e ka mendjen. Në ditën e 10-vjetorit të vrasjes së 4 qytetarëve që protesonin para Kryeministrisë, ish-ministri i Brendshëm i asaj kohe, Lulzim Basha, ka zgjedhur të heshtë.
Ai ka bërë vetëm disa akuza ndaj Ramës për varfërinë, por çështjes së 21 janarit i është shmangur. Nuk e ka përmendur, duke bërë shqiptarët që të mendojnë se ka ikur në Holandë në shtëpinë e tij.
Por ka qënë bashkëshortja e tij ajo që që ka zbardhur axhendën e Bashës ditën e 21 janarit, kur po organizohej aktiviteti i përvitshëm përkujtimor në kryeministri dhe në venndgjarje ku u vranë 4 protestuesit. Dhe kur familjarët morën titullin “Dëshmorë të Atdheut” për familjarët e tyre të vrarë.
Aurela Isufi Basha ka dërguar fotot për pjesëmarrjen bashkë me bashkëshortin Lulzim Basha në një ekspozitë pikture kundër dhunës në familje! Ditë dhune ishte dhe 21 janari, dhe Basha si ish ministër i Brendshëm është njësoj fajtor me eprorin e tij Sali Berisha për vrasjen e 4 protestuesve përballë kryeministrisë 10 vite më parë!
Dhe për këtë përgjegjësi, tani që hetimet po rihapen, mund të përgjigjet dhe para ligjit. Nëse nuk tregon “shokët” kuptohet, urdhëdhënësin Sali Berisha.
Ndërsa Sali Berisha, aktori numër një i krimit shtetëror më 21 janar, ka zgjedhur që të bëjë të fortin, duke deklaruar se nuk është penduar aspak për vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës, me argumentin se donin të pushtonin “kullën” e tij në Kryeministri.
Madje, i frikësuar nga hapja e hetimeve nga prokuria e policia, rikthimin e ekspertizës së FBI-së që zbardhi vrasjen e njërit prej viktimave në bulevard, nga arma e ish kreut të Gardës Ndrea Prendi, Berisha ka zgjedhur televizionin e familjes së tij për të kërkuar dhe hetim ndërkombëtar, që sipas tij e kishte bllokuar Edi Rama nëpërmjet ish Prokurores së Përgjithshme Ina Rama.
“Qëllimi i atyre protestuesve ishte të pushtonin kryeministrinë dhe kjo që them unë nuk është fantazi. Ata hapën derën e kryeministrisë me një makinë me forcë që dihet se kush e solli.
Ata do hynin në kryeministri dhe menduan se do kishin një 14 Shtator, por unë nuk largohesha nga kryeministria. Ata u shprehën haptas se nuk kishin ambicie tjetër përveç pushtetit.
Nëse ata merrnin kryeministrisë, merrnin pushtetin ekzekutiv. Se nuk kishin nevojë të sulmonin Bamir Topin.
Garda, siç është e ditur, nuk ka mjet mbrojtës tjetër, nuk ka shkop, nuk ka gaz, s’ka spraj. Mjeti i vetëm mbrojtës i tyre kudo në botë është arma. A qëlluan gardistët në kushtet ligjore apo jo, kjo është një çështje që është hetuar nga ekipi i Ina Ramës.
Vetëm një gjë do ju kujtoj, është Sali Berisha që ka kërkuar hetim ndërkombëtar të ngjarjes. E kam kërkuar publikisht. U kam kërkuar përfaqësuesve të BE dhe SHBA që të hetohet paanësisht ngjarja.
Njeriu që ka kundërshtuar hetimin në mënyrë të prerë dhe kategorike përmes Ina Ramës, ka qenë Edi Rama. Partnerët më kanë thënë se nuk pranon prokuroria, pra nuk e pranon Rama hetimin ndërkombëtar”, tha Berisha në televizionin e djalit të tij Shkelzenit.
Ndërsa i pyetur nëse ka qënë ai që ka dhënë urdhër për Gardën, Berisha tha se Garda veproi sipas tij në respekt të ligjeve.
“Është qëlluar qindra herë në ajër në pisha. Janë bërë rikosheta. Në zyrën time, por edhe në zyrat një kat më lart janë plumbat. Garda vepron sipas ligjeve dhe ai ligj nuk është miratuar nga mazhoranca ime. Përpjekja apo grushti i shtetit ishte një akt tronditës jo vetëm për Shqipërinë, por edhe për NATO-n dhe më gjerë.
Këtu erdhën me urgjencë zyrtarë të nivelit të lartë të SHBA dhe BE, të OSBE dhe institucioneve të tjera. Nuk i dorëzova jo për hetim, por Edi Rama bëri një deklaratë me kërcënime ndaj Gardës.
Pasi asgjësoi zinxhirin e Gardës me arrestime, po bënte gati të sulmonte sërish”, tha Berisha.
Megjithëse nuk e ka përmendur dje se kishte vendosur 5 snajperë në tarracën e kryeministrisë, të urdhëruar të vrasin liderin e atëhershëm të opozitës Edi Rama nëse e kalon derën e hekurt të gardhit të kryeministrisë, sot nuk ekziston më ai gardh, Berisha sërish ka bërë të fortin duke treguar se nuk është penduar për krimin shtetëror që ka bërë.
Thjeshtë ish kryeministri i 21 janarit ka dhënë versionin e tij të ri për vrasjen e protestuesve të opozitës së atëhershme, duke u shprehur se donin të pushtonin Kryeministrinë dhe të merrin pushtetin. Pavarësisht se është shumë i bindur se askush nuk njeh një qeveri të dalë nga dhuna.
E ka provuar vetë Sali Berisha në atë grusht të dështuar shteti më 14 shtator të vitit 1998, ku duke përdorur si pretekst vrasjen e ish liderit të Dhjetorit Azem Hajdari, pushtoi kryeministrinë dhe Televizionin Shtetëror dhe u nis që të deklaronte fitoren e opozitës.
Një telefonatë nga partnerët tanë ndërkombëtarë e detyroi Berishën të tërhiqej. Pavarësisht se ish kryeministri Fatos Nano dha dorëheqjen, Berisha qëndroi dhe 7 vite të tjera në opozitë.
Kjo ka qënë dhe axhenda e tre aktorëve të krimit shtetëror më 21 janar në këtë 10 vjetor. Axhendë e cila me shpresë tek drejtësia mund të ndryshojë dhe ti çojë në bankën e të akuuarve sa më shpejt, për të qetësuar dhe shpirtrat e 4 protestuesve të vrarë dhe familjarëve të tyre./M.Nikaj-TemA