Të handakosësh adoleshentin për të rritur shikueshmërinë

24 Janar 2021, 10:03Politika TEMA

Nga Çapajev Gjokutaj

Një nënë braktis të birin, foshnjë 3 ditshe, dhe kthehet ta takojë pas… 11 vjetësh. Vërtet kanë kaluar shumë kohë po nëna vjen ngakuar me ‘peshqeshe’.

I kumton të birit se familja ku është rritur s’është e tij, se ata që i janë bërë babë e mëmë dhe, me shumë njerëzillëk kanë sakrifikuar për ta rritur, s’kanë lidhje gjaku me të.

Qershia mbi tortë është çasti kur i sjell ‘sihariqin’ se djali i gjorë nuk ka as baba biologjik të identifikuar, është ngjizur gjatë një nate kobzezë, kur të ëmën e kanë përdhunuar pesë të rinj.

Jeta e nënës, duke nisur nga fëmijëria, tek braktisja e foshnjës e deri te ritakimi me të birin, është dramë e shkuar dramës. Vuajtjet e saj s’kanë si mos të të prekin. Por keqardhja dhe empatia që ngjall rrëfimi i fatkeqes nuk e justifikojnë kurrsesi veprimin që po kryen.

Vjen dhe hyn në jetën e të birit pa pritur e pa kujtuar. Dhe ‘zgjedh’ një kohë shumë delikate, periudhën kur i biri po shkel në adoleshencë.

Dihet se për këdo kjo është moshë problemore. Fëmija sheh se po burrërohet, por së brendshmi ndjen që është akoma i dobët. Kjo kontradiktë bën që adoleshenti të jetë në kërkim të etshëm të identitetit e për rrjedhojë të mos gjejë karar me veten por sidomos me prindërit dhe të afërmit.

Ritakimi në këtë moshë delikate e plot rreziqe mund të qetësojë nënën, por rrit pasiguritë dhe rreziqet për djalin. Për më tepër se nëna nuk ka ‘zgjedhur’ që gjithë këto drama e peripeci t’ia rrëfejë të birit në intimitet, por ia defteris në distancë e në mexhlis, përmes ekranit të televizorit.

Një nënë me fatin dhe formimin e kësaj edhe mund të gabojë, por puna fillon e mban erë kur në mes hyjnë gazetarët dhe përpiqen ta shndërrojnë gjithçka në telenovelë me qurra e me lotë.

Ngjan se është dëshmi amatorizmi e injorance kur merr një njëmbëdhjetëvjeçar dhe, kundër ligjit e nxjerr në ekran me zë e me figurë, për t’i thënë publikisht gjëma të tilla. Por në thelb është shumë më tepër se kaq, është krim: për të rritur shikueshmërine, damkos publikisht një fëmijë.

S’mbetet veçse të thuash se kjo s’mban erë po kutërbon dhe pastaj të parodizosh Shekspirin ‘shikueshmëria është gracka, ku fatkeqët kapen si laraska’.

14 komente në “Të handakosësh adoleshentin për të rritur shikueshmërinë”

  1. Sqepari says:

    Mos kerko moral ne media, ku me se shumti prej tyre jane ngritur me para te krimit!

    1. Lala i Lushjnes says:

      Çfar patën me atë fëmijë , pse e shkatrruan, ishte si kokrra e mollës tani do ta bëjnë me probleme.

  2. Emil Lafe says:

    Gazeta Tema: Të gjitha të drejtat TË rezervuara (jo E rezervuara)!
    Rregullojeni ju lutem!
    Emil Lafe

  3. Viola says:

    Sakte z. Gjokutaj Per te kapur shikueshmerine televizionet tona po kthehen ne tallava.Me e pakta televizionet qe kane zgjedhur te jene kombetare duhet te kene kontroll per ate qe i ofrojne publikut.

  4. Anadoll ne Tiranë says:

    Shume e drejte, Çapajev.

  5. Artan says:

    Shume e drejte

  6. Arta says:

    Ndaj mendimin me Zotin Gjokutaj, kjo është shkelje drastike e të drejtave të fëmijës, veç se munden, gazetare pa dinijitet. Përse shteti nuk i mbron këtë fëmijë ? Duhet gjobë për ketë gjest jo njerëzor! Si luhet ashtu me ndjenjat e fëmijëve! Turp!

  7. Din says:

    Kur shikoj ate sqapin e dhine te shqiperia live me perzihen zorret e barkut e tham me vehte ku ka perfundua ai tv modern qe e krijoj indjeri Hoxha e ngeli ne dore te kurvave,prandaj shikoni ate sqapin e dhine tu japin detyra ministrave,gjykatave,prokurorive,policise e shtetit duke servisur ne kanal probleme qe jane ne hetim e gjykim e gjthe hare kurvash e gabel e njerz te droguar

  8. Ladi says:

    Nje “Te Lumte” te madhe

  9. Leti says:

    Ky Topi e ka qelb fare ! Per ca klikime me shume u jep ze dhe fugure shume pislliqeve njerezore.
    A mendojne ato gazetaret si mund te ndjehet ai djali kur I kerkojne atij se si ndjehet apo si mund te ndryshoje jets e tij neser???

  10. Pojaku i fshatit. says:

    O zoti ” Din” te gjithe ata qe punojne ne tv Klan, Me i Miri Kanal, Lajme 24, Syri i Sali Ram Berishes, etj etj, jane cjeper e dhi.
    Falemnderit!

  11. Laura says:

    Te lumte ajo mendje dhe dore, profesor, e ke qare. Si emision eshte niveli me i ulet, ne tematika, ne nivelin e komentuesve te ricikluar. Do zoti, fjala juaj i ben te reflektojne vete, se organizata ne mbrojtje te femijve flene, zgjohen kur i nxidin partite, kryesisht per abuzimet seksuale

  12. drini says:

    Bravo, kaq bukur nuk thuhet e shkruhet. Po jetojme nje kohe te llahtarsheme, ku vetem paraja,paraja dhe asgje tjeter nuk ka vlere.po a kane kontroll keto media? A ka ligj e ndeshkim per to?

  13. zara says:

    Mirënjohje për njerëz si ju që e trajtojnë problemin ashtu si duhet. Por të vjen keq që megjithë reagimin e shumë lexuesve, nuk ja ndjen medias shqiptare, vazhdon në këtë rrugë, dhe e sheh në të gjitha emisionet. Keni shumë të drejtë për emisionin Shqipëria Live. Të vjen keq për këta lloj gazetarësh që paguhen nga taksat e shqiptarëve. Cili është qëllimi? E kuptoni dot po të shihni temat që trajtojnë? Vërtiten sa andej këtej, marrin direkt në intervistë njerëz që dalin e thonë se jam motra e Klodian Rashës, p.sh, e ndonëse nuk ishte e vërtetë as gazetarja që i vuri mikrofonin nuk i hyri gjë në këmbë, e as këta bukurosha nuk bënin pyetje nisur nga një gazetar profesionist. E mos harroni se ajo ishte një nga inisiatoret për gjithë ato shkatrrime që pasuan pastaj. E Kristi Gongo? vazhdon punën. A i besohet kësaj gazetareje?
    Dhe po të vini re kur transmetohen lajmet, që nga mëngjesi deri në mbrëmje, është i njëjti lajm. Konstatohet një prishje rruge, po themi, dhe vazhdon ngjyrosja e lajmit sipas medias që e transmeton. Po mirë o gazetarë, nga mëngjesi deri në mbrëmje, pse nuk përpiqeni të kontaktoni anën tjetër të medaljes? Dmth të merrni informacion pse kjo rruga u prish, cili është reagimi i firmës që e ka ndërtuar? Të paktën të thoni, u përpoqëm të kontaktonim, por nuk na u përgjigj njeri. Gazetarët seriozë dhe neutralë, kështu bëjnë. Nuk ka nevojë të investigoni, mjafton të jepni të dy anët e medaljes. Vetëm kështu mund të bëheni të besueshëm. Shfrytëzimi i fëmijëve për të bërë lajm, po të ishit në perendim, do ju penalizonte. Keni luajtur mëndsh, për disa klikime shisni gjithshka.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje