Kukësi nis sërish marshimin, ndërsa Kastrioti rikthehet te fitorja.
Verilindorët triumfuan në Korçë kundër Skënderbeut me rezultatin 0-4, me një ndeshje që nisi me dy gola të shpejtë.
Kapiteni Agim Ibraimi u shfaq rrezikshëm që në fillim, por vetëm në minutën e pestë shënoi.
Goli futi në presion Skënderbeun, që dy minuta më pas gaboi dhe Limaj realizoi edhe golin e dytë.
Kukësi i qetë vijoi sulmet dhe në një moment u ndal nga shtylla. Pas rreth gjysmë ore lojë gjeti edhe golin e tretë, që praktikisht e mbylli ndeshjen.
Braziliani Matheus Leira nuk fali me një gjuajtje potente brenda zonës. Llogaritë e këtij dueli u mbyllën në fraksionin e dytë të lojës, kur Vesel Limaj shënoi edhe golin e dytë personal dhe që plotësoi “pokerin” për Kukësin.
Në Kamzë Kastrioti dhe Bylisi luftuan fort dhe fatet e këtij dueli i vendosi Klejdi Daci, me një gol spektakolar të realizuar me një lëvizje akrobatike brenda zonës.
Takimi u mbyll me rezultatin 1-0 dhe në minutat e para ballshiotët kërkuan edhe një penallti.