Partizani-Vllaznia, Daja: kjo ndeshje vlen sa derbi; Brdariç: në fushë jo për barazim

30 Janar 2021, 13:12Sport TEMA

Vllaznia do të luajë ditën e nesërme një ndeshje delikate ndaj Partizanit. Shkodranët udhëtojnë drejt Elbasanit ku do të përballen me të kuqtë dhe do të kërkojnë të ruajnë distancën prej 9 pikësh që kanë me ndjekësit. Ditën e sotme në konferencën për shtyp ka folur edhe trajneri i Vllaznisë, Thomas Brdariç. Gjermani u shpreh se kundërshtarët po mundohen që t’ia bëjnë jetën më të vështirë Vllaznisë, por në kampin shkodran nuk kanë frikë.

“Janë kushte të tjera me Partizanin, të gjithë lojtarë janë stërvitur maksimalisht. Jemi shumë të përqendruar, pasi ndeshja është e vështirë. Do i përmbahemi parimeve tona, lojtarët kanë besim dhe janë të sigurt në vetvete. Nesër do të futemi në fushë me vetëbesim, nuk do t’i mbingarkojmë futbollistët. Do u japim mundësinë të luajnë lirshëm.

Nuk po mendojmë për rezultatin, do ia lëmë fushës. Më intereson si do vendosemi. Lojtarët e mi e dinë që do hyjnë në fushë të japim maksimumin. Kjo ka rëndësi dhe pas ndeshjes mund t’ua them nëse më kënaq barazimi”, tha Brdaric.

Trajneri i Partizanit, Ilir Daja kërkon ta trajtojë si gjithë të tjerat, ndërsa në konferencë bën thirrje për të luajtur me logjikë pasi doza e shtuar emocionale prish manovrën dhe ekuilibrin në fushë.

“Futbolli luhet 95 minuta, duhet vlerësuar ndeshja nga fillimi në fund njëlloj. Besoj se kemi kontingjentin e duhur për të freskuar ekipin pa prishur ekuilibrat në fushë. Kemi më shumë mundësi që edhe në minutat e fundit të bëjmë më të mirën, sikurse ndodhi edhe në ndeshjen me Teutën.

Edhe me një lojtar më pak në fund kishim mundësi për të shënuar dhe për të marrë tre pikët. Kjo duhet të vazhdojë dhe mendoj se do të jetë prezente edhe kundër Vllaznisë”, u shpreh Daja.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje