Që numri i të papunëve të diplomuar në vendin tonë është tejet i lartë, ky tashmë nuk është një zhvillim i ri.
Sipas ekspertëve të fushës, kalkulohet se shifrat vijojnë të jenë alarmante dhe kjo për shkak se ndër vite nuk ka pasur një strategji specifike për ta përputhur arsimin me tregun e punës.
Si pasojë e politikave të gabuara që janë ndjekur më parë apo eksperimenteve të dështuara universitare, sot është tejet i vështirë integrimi në treg i punëkërkuesve me diplomë.
Tejngopja e tregut me ekonomistë, juristë apo degë të tjera që për shumë kohë u shndërruan në trend, ka bërë që mjaft të rinj të devijojnë nga formimi i tyre fillestar.
Nisur nga kjo është lipsur nevoja që t’i kushtohet akoma më shumë vëmendje formimit profesional të të rinjve për t’i dhënë atyre mundësinë që në një kohë të shkurtër të gjejnë hapësira për të punuar.
Një nga zgjidhjet që shumë të rinj kanë menduar për të nesërmen e tyre të afërt, ka qenë zgjedhja e arsimit profesional ku çdo kush pas përfundimit të studimeve e ka më të lehtë për t’ju drejtuar zyrave të punësimit.
Kjo nisur edhe nga fakti se shkollat profesionale kanë një përqasje më të afërt teori-praktikë, duke shtuar këtu edhe thatësirën që ka tregu për profesionistë.
Të diplomuarit në shkolla profesionale jo pak herë janë shndërruar në një shembull për bashkëmoshatarët e tyre të cilët janë ende në dilema se çfarë duhet të bëjnë me të ardhmen e tyre për marrjen e një zanati që ju jep të ardhura.
Referuar dëshmive të studentëve, kryesisht pas përfundimit të shkollës profesionale ata nisin me nivelin e pagës nga 45.000 deri në 50.000 mijë lekë të reja si fillim, duke vijuar me rritje.
Më poshtë, po përcjellim një listë me pagesat mesatare për çdo program studimi
të përpiluar nga ekspertët e fushës.
Padyshim, secila shifër ka rëndësinë e vet duke vërtetuar se edukimi profesional sjell jo veç siguri për familjet por edhe qytetërim perëndimor për shoqërinë shqiptare e cila më shumë se kurrë ka nevojë për profesionistë.