Në një krizë vaksinash, a duhet të aplikohet në Shqipëri vetëm një dozë e vetme si në Britani?

23 Shkurt 2021, 15:02Sociale TEMA

Nga Anxhela Çelanji

 Teksa bota po mban frymën se a do të ketë mjaftueshëm dhe shpejt vaksina me dy doza anti-Covid, Britania e Madhe ka nisur që të aplikojë vetëm një dozë të Pfizer ose AstraZeneca. Qëllimi është i qartë: të imunizojë sa më shumë njerëz .

Të dhënat e para janë optimiste edhe për efektivitetin e vetëm një doze. Dy shkencëtarë kanadezë, janë shprehur që të aplikohet një dozë vaksine te sa më shumë njerëz dhe kategori të riskut, për sa kohë ka një mungesë të furnizimit nga kompanitë prodhuese dhe doza e dytë të shtyhet. Në Shqipëri deri më tani ka mbërritur një sasi e pamjaftueshme e vaksinave nga Pfizer e cila po aplikohet me dy doza dhe që nuk garantojnë ritëm të shpejt numrave të vaksinimit.

Por a mund të bëhet edhe te në një dozë për të mundësuar vaksinimin e sa më shumë njerëzve?

Në këndvështrimin e epidemiologut Dritan Ulqinaku në Institutin e Shëndetit Publik, vendimi i vaksinimit të popullatës me një dozë, i përket Komitetit të ekspertëve, por sipas tij edhe vaksinimi me një dozë qëndron si opsion.

Ai i tregoi se veç Britanisë nuk ka dijeni që një vend tjetër të ketë aplikuar këtë mënyrë vaksinimi.

“Ajo çfarë unë personalisht besoj është që procesi i vaksinimit, po vjen duke u përshpejtuar dhe besoj se edhe në të ardhmen e afërt do të jetë më e lehtë sigurimi i sasive më të mëdha të vaksinave,” i tha Ulqinaku.

Ndërkaq, Mjeku Laidon Shapo në Shërbimin Kombëtar në Londër, mbështetur në të dhëna konkrete nga Mbretëria e Bashkuar, tregon se kjo metodë konfirmohet. Sipas Shapos, në Britani është vaksinuar rreth 17.5 milion e popullatës me 1 doze Pfizer&BioNTech ose AstraZeneca (26%) dhe të dhënat janë mjaft pozitive dhe premtuese. Duke u bazuar në të dhëna nga studimi i botuar nga Instituti i Shëndetit Publik në Angli, Shapo i shpjegon se vaksina Pfizer-BioNTech, ofron nivele të larta të mbrojtjes kundër infeksionit dhe sëmundjes simptomatike që nga doza e parë.

“Të dhënat e hershme nga studimi SIREN i PHE (Instituti i Shëndetit Publik në Angli) tregojnë një ndikim premtues në infeksionin tek punonjësit e kujdesit shëndetësor të moshës nën 65 vjeç. Punonjësit shëndetësorë në studim testohen për koronavirus (COVID-19) çdo 2 javë, pavarësisht nëse kanë apo jo simptoma. Të dhënat tregojnë se një dozë zvogëlon rrezikun e infektimit me më shumë se 70%, duke u rritur në 85% pas dozës së dytë. Kjo tregon që vaksina mund të ndihmojë gjithashtu në ndërprerjen e transmetimit të virusit, pasi nuk mund ta përhapni virusin nëse nuk keni infeksion,” shpjegon Shapo.

Eksperti tregon se analiza e testeve rutinë tregojnë gjithashtu se një dozë është 57% efektive kundër sëmundjes simptomatike COVID-19 në personat me moshë mbi 80 vjeç. Sipas tij, ky efekt ndodh nga rreth 3 deri në 4 javë pas dozës së parë, ndërkaq nga studimet e ndryshme që mjeku i referohet shpjegon se shkalla e shtrimit të pacientëve në spitale dhe vdekjeve po bien në të gjitha grupmoshat dhe janë veçanërisht grupmoshat më të vjetra që po shohin një rënie më të shpejtë që nga mesi i Janarit.

Metodën e vaksinimit me një dozë e mbështesin edhe dy studime nga shkencëtarët izraelitë në Qendrën Mjekësore Sheba. Ata thonë se vetëm një dozë e vetme e vaksinës Pfizer, të cilën po e përdor edhe Shqipëria është efektive 85% dhe dy shkencëtarë kanadezë, të cilët tregojnë se vetëm një dozë e vetme është 92.6% . Të dhënat janë botuar më herët në revistat mjekësore si “The Lancet” dhe “The Science” ku sugjerohet se duke marrë parasysh që mbarë bota po ndeshet me një mungesë të vaksinave, është e rëndësishme që të ndryshohet mënyra se si do të vaksinohen njerëzit, gjithmonë kur ka një mundësi për të ndryshuar.

Neurokirurgu i njohur shqiptar në Madrid, Kita Sallabanda Diaz i tha se politika e një doze po aplikohet vetëm në Angli, ndërsa në vendet e tjera ende po studiohet. Sallabanda ka një këndvështrim tjetër nga kolegët për aplikimin e një doze të vetme të vaksinës.

“Vaksina mund të aplikohet nën një dozë tek personat që e kanë kaluar Covid-19 një herë, ndërsa tek personat që nuk e kanë kaluar është më mirë të realizohen të dyja dozat e vaksinave”, thotë Sallabanda.
Ndërsa në këndvështrimin e mjekut pneumolog në Spitalin Amerikan 3, Ardian Jorgji, ky proces po kryhet më tepër për nevojën e madhe që ka bota për vaksina.

“Në fillim Britania nisi vaksinimin, duke vlerësuar se nëpërmjet dy vaksinave duhej një periudhë kohore për 15 ditë. Më pas vijoi me 21 ditë, e kur pa që kërkesa për vaksina u shtua dhe imunizimi i popullatës ishte i largët, vendosi që doza e dytë mund të bëhej pas 3 muaj, kështu që është më tepër në bazë të nevojës së lartë për vaksina,” shpjegon ai.
Që nga janari dhe deri më sot në Shqipëri kanë mbërritur rreth 17,260 vaksina, edhe pse u tha se deri në fund të Shkurtit, do të kishim marrë 40.000 doza nga Pfizer. Deri më sot në vend janë vaksinuar 6728 persona, 5612 mjekë dhe infermierë, dhe pjesa tjerët të moshuar nëpër azile mbi 80 vjeç. Qeveria kërkon që ta mbyllë vaksinimin e të gjithë popullsisë në 14 muaj, por deri më sot duket e vështirë për shkak të vonesave të Pfizer, ku Shqipëria ka kontraktuar 500 mijë doza. Kryeministri thotë se është në kontakt me një vend mik për të siguruar 360 mijë doza të Astrazeneca. Ndërkohë nga mekanizmi Covax Shqipëria pret 1 milion e 140 mijë.(SI)

3 komente në “Në një krizë vaksinash, a duhet të aplikohet në Shqipëri vetëm një dozë e vetme si në Britani?”

  1. Klodi says:

    Edhe une jam per politiken e vetem nje doze vaksine per aq kohe sa vaksinat jane te pakta. Edhe matematikisht ja vlen me mire qe te mbrosh 70 ne 100 njerez (me nje doze) sesa 45 ne 50 njerez (me 2 doza). Nuk e kuptoj pse qenka kaq e veshtire per “shkencetaret” tane epidemiolog te mos arrijne ne te njejtin perfundim dhe tja ndryshojne strategjine qeverise.

  2. vbnvnmvnbfvzdc\ says:

    Britania e madhe nuk po aplikon 1 doze, po sigurohet qe sa me shume qe te jete e mundur ta kene marre te pakten nje doze, dhe me pas te gjithe kthehen per dozen e dyte. Per momentin pritja mes dy dozave eshte diku te 3 muajt. Im ate i ka bere te dyja dozat kurse ime me ka ere vetem te paren dhe te dyten e pret diku ne prill.

  3. Vvvv says:

    Do bojn 2 doza o gazete vk 12 jave nga doza e pare

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje