Olti Metuku me banim në Kamëz, i është drejtuar emisionit “Stop” pasi prej 5 vjetësh vuan dënimin në burgun e Peqinit për “vjedhje në bashkëpunim me pasojë vdekjen dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake”.
Bëhet fjalë për një ngjarje të ndodhur në 19 Janar 2016, ku u vra në pritë, në Zezë Nikël të Fushë-Krujës, Fatmir Pula, i cili po kthehej nga lokali i tij në Kamëz.
Qëllimi ishte grabitja e të ndjerit. Autorët e vrasjes u zbuluan dhe ishin Elton Ceka dhe Admir Haka, ky i fundit ish-kunati i Oltit. Nga verifikimet, Admiri para se të ndodhte vrasja, kishte marrë në telefon Oltin, i cili i kishte thënë, se Fatmir Pula, sapo e kishte mbyllur lokalin e tij në Kamëz.
Admiri dhe Eltoni u dënuan me nga 35 vjet burgim, ndërsa Olti Metuku me 14 vjet. Por, Olti Metuku, ishte personi, i cili të nesërmen e ngjarjes bashkëpunoi me policinë, dhe falë bashkëpunimit të tij, u gjetën e u kapën autorët. Olti u shpërblye me 2 milionë lekë të vjetra për ndihmën e dhënë, por u dënua me 14 vjet heqje lirie.
Në dënimin e Metukut kanë dhënë vendimi dy gjyqtarë të përmendur për lidhje me korrupsionin, Enkeleida Hoxha dhe Shkëlqim Miri.
“Në datën 19 Janar 2016 në darkë ka ndodhur një grabitje me pasojë vdekjen e të ndjerit Fatmir Pulaj në fshatin Zezë Nikël të Fushë Krujës. Në këtë ngjarje më kanë përfshirë edhe mua. Më kanë futur në hasmëri me personat e viktimës, familjarët e tij.
Mua m’u shkatërrua familja, më kanë dënuar pa prova padrejtësisht disa prokurorë edhe gjyqtarë të korruptuar. Vendosa që t’ju shkruaj ju me qëllimin që jo të shfajësoj veten time. Kërkoj ndihmën tuaj që kjo çështje të ndiqet dhe ta bëj publike nga ana juaj si emision. Nga martesa që kisha kam 3 çuna të mitur që jetojnë prej 5 vitesh me prindërit e mi në Kamzë. Jam telefonuar nga të pandehurit Admir Haka dhe Elton Ceka që sot janë të dënuar me nga 35 vite burgim si organizatorë dhe ekzekutorë të të ndjerit Fatmir Pula.
Unë në datën 20 Janar në mëngjes jam takuar pas një gjysmë ore me Elton Cekën dhe e kam pyetur se për çfarë donin të takoheshin me të ndjerin sepse Admir Haka e kishin komshi. Pasi ata më treguan që kishin bërë një vrasje, më kërcënuan që unë të mos tregoja. Vendosa t’i kallëzoja në polici. Mora në telefon shefin e krimeve në Kamëz, zotin Laert Sallaku. Pasi jam takuar me të i kam treguar të gjithë ngjarjen që kishte ndodhur. Pastaj kam takuar shefin e komisariatit zotin Sali Skura.
Edhe këtij i kam treguar të gjithë ngjarjen që kishte ndodhur. Pastaj kemi takuar drejtorin e policisë së qarkut Durrës, zotin Lorenc Shehu dhe ia kam treguar se çfarë ka ndodhur dhe ndihma që unë i dhashë për t’u zbardhur kjo ngjarje u shpërbleva me 2 mln lekë të vjetra dhe 14 vjet burg mbi shpinë. Më ndihmoni që të gjej të drejtën time sepse jam babai i 3 fëmijëve të mitur që sot jetojnë me prindërit e mi në Kamëz në kushtet as më minimale për jetesë sepse janë të braktisur dhe nga nëna e tyre.
Kam dy vjet që nuk i takoj. Më kanë dënuar për armëmbajtje pa leje dhe as e kam parë dhe as e kam prekur, këtë e di dhe policia. Dua që të merren në pyetje këta gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar që tek Enkeleda Hoxha që e ka 2 me lekë e 1 pa lek, gjyqtari i Apelit, Shkëlqim Miri. Ai më dënoi përfundimisht me lënien në fuqi të vendimit të Shkallës së Parë Krujë. Kam shkuar deri në ekstrem duke varur veten. Jetën ma kanë shpëtuar punonjësit e burgut të Fushë Krujës. Iu lutem më ndihmoni”, shkruante në letrën e tij, Olti Metuku.
Babai i Metukut tregoi se djali i tij ka biseduar me kunatin e tij dhe nuk ka lidhje me ngjarjen.
“Olti thjesht pa dijeni se çfarë është duke folur me të vëllain e të shoqes, e ka marrë në telefon ai, e mbylli për komshiun e vet lokalin. Ai i ka njohur dhe e kanë vrarë. Në moment që ky e ka marrë vesh ngjarjen ka shkuar në polici. Filanin e ka varë filani me filanin sepse më kanë marrë mbrëmë në telefon. Një orë para se me e kry krimin kanë marrë çunin në telefon. “A e mbylli lokalin filani”, se ai ka pasur një lokal në Kamëz. Ai ka pasur njohje saqë e ka pas respektuar. Edhe çuni im atë dhe ai çunin tim e ka respektuar për baxhanakë se edhe ai ka pas marrë gruan në atë vend”.
“Njërin e ka pasur vëllain e gruas, kurse tjetrin e ka pasur nga zona jonë. Policia pas disa ditëve e ka shpërblyer me 2 milionë lekë. I thashë ça shpërblimi është kur ju po e fusni brenda. Mos u mërzit më thanë se e dimë ne atë punë. Djali është dënuar 21 vite. Është dënuar 15 vjet për bashkëpunëtor dhe 6 vjet për armëmbajtje pa leje. Duke i hequr gjykimin e shkurtuar ka rënë në 14. Përveç avokatit të popullit asnjë s’më ka dhënë përgjigje. Vetëm avokati i popullit ka nxjerrë vendimin që është paguar për shpërblimin. Sipas ligjit, i takon 1 e 3 e dënimit t’i hiqet për shpërblimin”, tha Shefqet Metuku.
Avokati i tij Idajet Beqiri shpjegon se klienti i tij nuk ka patur dijeni, që po i çonte njerëzit drejt një krimi dhe nuk ka prova, që të ishte pjesë e grupit të bashkëpunëtorëve. Përkundrazi Olti ka bashkëpunuar me policinë dhe ligji e përjashton nga dënimi.
“Ky person ka bërë disa veprime në fillim që nuk ka patur në dijeni që po i çonte njerëzit drejt një krimi, ky nuk dinte që po përgatitej një vrasje. Kur u pyet që ku ndodhet filani, e shikon që nëse është tek dyqani? Jo i thotë nuk është tek dyqani tani sa ka dalë edhe iku. Ka dhënë informacion, por informacioni nuk provohet që ky të ishte në dijeni të bashkëpunëtorëve.
Deri këtu e marrim të mirëqenë këtë, jo thjesht si avokat, por edhe si profesionit. Olti Metuku është bërë bashkëpunëtor i policisë. Ai ka treguar gjithë këtë mekanizëm, që çfarë ka ndodhur. Ai ka dhënë informacion të plotë. Ka thënë që dyshoj të jetë në përbërjen e grupit edhe kunati im. Ka dhënë edhe elementë të tjera. Ata përveç se nuk janë gjetur në shtëpitë e tyre ky i ka orientuar policinë dhe u ka treguar se ku mund të gjenden këta njerëz. Ndihma e tyre bëri që ata të kapen, të vihen në bankën e të akuzuarve dhe të dënohen.
Në një situatë të tillë policia duhet t’i jepte një informacion të plotë gjykatës me qëllim që këta bashkëpunëtorë, këta ligji përjashton dënimin fare edhe nëse kanë marrë pjesë në krim, jo që ky faktikisht nuk ka marrë pjesë në krim. Nuk ka dorë ky në këtë grup. Ky kishte marrë një shpërblim për informacionin e plotë dhe të saktë që ndihmoi gjykatën për të zbuluar të vërtetën dhe Gjykata e Apelit në vend që të kthente çështjen për rigjykim, duhej përjashtuar fare nga dënimi”, tha Beqiri.