Dikush duhet t’i thotë që s’është ai demokracia!

15 Mars 2021, 19:15Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Shqipëria ka të ngjarë që deri më 25 Prill të ketë shumë e shumë situata të tilla sherresh dhe patetizmash, që po tentojnë t’ia shkëpusin vëmendjen nga përditmëria e vështirë. Por, pa asnjë arsye bindëse, përveç një propagande jo normale flamurin e ka marrë presidenti i vendit, Ilir Meta. Në orët e fundit ka premtuar shumë gjëra, por thelbi ka qenë një dhe vetëm një: Ai është garanti i vetëm i demokracisë shqiptare, thellësisht të rrezikuar! Të gjithë të tjerët janë shtojca, përfshirë dhe opozitën, të cilës po mundohet kinse t’i japë një dorë por që në fakt po ia dëmton kauzën në mënyrën më të keqe të mundshme.

Dikush nga shpura e tij jo e vogël duhet t’i kujtojë presidentit të vendit se garanti i kushtetutës janë institucionet e pavarura. Dhe, sa i përket atyre, ai është në mesin e pak politikanëve shqiptarëve, numëruar me gishtat e njërës dorë, që i kanë dëmtuar paq në 30 vite demokraci. Retorika e fundit për juntën, vetëvrasjen më parë, për ekipet e tenderave janë të tmerrshme dhe të frikshme në një vend demokratik, që është duke bërë detyrat e integrimit përballë një realiteti aspak normal kontinental. Lër institucionet të merren me punën e tyre!

Nëse realisht Shqipëria është në këtë cak humnere, atëherë jo thjesht Ilir Meta, por as Edi Rama, Lulzim Basha dhe Sali Berisha nuk kanë më se çfarë t’i bëjnë. E nëse është kështu sërish, e keqja nuk është bërë për një ditë por mban kontributin e të gjithë juve politikanëve tanë, që tashmë fshiheni dhe na kujtoni popullin. Shqiptarët, vetë, e kanë një mundësi më 25 Prill dhe ajo është vota dhe deri më tani e kanë treguar se kanë ditur të votojnë, duke ndëshkuar me votë padrejtësinë dhe korrupsionin. Por një vend i NATO-s nuk rrëshqet aq hapur në Juntë sepse ka frena kudo dhe mbi kokë i rri vazhdimisht një gisht tregues.

Në fakt, dikush duhet t’i kujtojë Ilir Metës se çfarë do t’i thotë si justifikim shqiptarëve kur të hajë sërish sillën e pajtimit me mikun e tij të vjetër Edi Rama? Dikush duhet t’i kujtojë se çfarë do t’i thotë Bashës dhe Berishës nëse do t’ia kthejë kurrizin sërish! Jo se këta të fundit u bën shumë përshtypje. Të mos harrojmë 4 vite më parë kur stërbetoheshin se ai nuk do ishte më pjesë e aleancës së tyre. Po këta me bashkëdrejtimin me Ramën?!

Dikush duhet t’i kujtojë Ilir Metës dhe të gjithë politikanëve të na lenë deri më 25 Prill, pasi edhe kështu shqiptarët po jetojnë një nga sfidat më të mëdha të ekzistencës së tyre atë të jetës së përditshme dhe mbijetesës, por edhe se demokracia nuk janë ata. Demokracia është punë, djersë, pastaj edhe frymë dhe vullnet, që ndërtohet dhe përsoset çdo ditë ose si e thotë me të drejtë Chomsky: “Në këtë fazë ndoshta përfundimtare të ekzistencës njerëzore, demokracia dhe liria janë shumë më tepër sesa ideale për t’u vlerësuar – ato mund të jenë thelbësore për mbijetesën”. Ndaj na duhet një president normal. Dikush duhet t’ia kujtojë këtë presidentit Meta. (Javanews)

4 komente në “Dikush duhet t’i thotë që s’është ai demokracia!”

  1. Hamdi Jupe says:

    Nje analize e mire, por kujt ia thua? Ne Presidence nuk ka mbetur njeri qe t’ia thote Metes se ku fillon e ku mbaron marrezia. Ai e tha vete: Te zyrat ku u zhvillua skeci presidencial, ishte i gjithe stafi i Presidences. Dhe do te vazhdoje te jete edhe me tej, tha Meta.

  2. Nani says:

    Dakort o Luzati, po nqs e ke fjalen per pune shiko cpo ben perdite qeveria. Dhe Demokracia është punë, djersë, pastaj edhe frymë dhe vullnet, që ndërtohet dhe përsoset çdo ditë dhe pikerisht kete po ben qeveria e drejtuar nga Edi Rama. Po ju gazetaret jeni te cuditshem doni te dukeni si asnjanjes se doni te hani nga te gjitha anet. Pranoje qe keto 8 vite jane bere me shume pune se gjate gjithe 30 vjecarit te demokracise, dhe jane bere ne kohen e PS.
    Prandaj do te fitoj prape PS, dhe do ta votoj perseri populli qe di te votoj.

  3. S’eshte nevoja t’ja kujtoje njeri , se ai e di vete kete pune bile e di mire , po ja qe ashtu ja do halli .
    Jo vetem kaq ,por e di mire qe dhe s’ka c’ben , por mendon qe duke vepruar keshtu po nxora gje mire , e po s’nxora prape mire , te pakten ngelet zhurma per t’ju kujtuar te tjereve qe ne kete vend jam dhe une , pamvarsisht ne se me pyesin apo jo ,per c’jam.

  4. lisi says:

    PSE KORRIGJOHET VALLE BISHTI I QENIT?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje