Laçi-Partizani ishte një nga ndeshjet e sotme të çerekfinales së Kupës. Ndeshja u mbyll në barazim pa gola pas 120 minutash lojë dhe nga penalltitë, Laçi u tregua i saktë duke siguruar kështu kualifikimin.
Partizani me anë të një postimi në faqen zyrtare ka publikuar reagimin e presidentit Demi pas ndeshjes. Numri një të kuqve ka “sulmuar” ashpër gjyqtarin e ndeshjes, Kridens Meta duke e cilësuar si ordiner e palaço pasi nuk dha dy penallti të pastra për Partizanin.
“Një ordiner, një Kridens Meta, skam çfarë them tjetër, ai është një palaço djalë, ishin dy penallti të pastra. S’kam çfarë them, ndeshjen e patë vetë, jeni specialistë më të mirë se mua”, u shpreh Gaz Demi.
Ky takim ka pasur disa raste të diskutueshme ku vlen të veçohen dy momente në zonën laçiane. Në minutën e 31-të, Erald Çinari asistohet bukur nga shokët e skuadrës, por një shtyrë nga qendërmbrojtësi Ignjatoviç e hedh atë në tokë. Për gjyqtarin Kridens Meta gjithçka është e rregullt dhe loja duhet vazhduar. Protestat ishin prezente, por verdikti i kryesorit mbeti i njëjtë.
Është sërish protagonist sulmuesi i Partizanit, Erald Çinari, i cili pengohet prapë në zonën e laçianëve. Julian Shehu i prish goditjen shkodranit duke i ndërhyrë nga pas me takë në thember. Pamjet filmike tregojnë gjithçka, por edhe këtë radhë për Kridens Metën loja duhej vazhduar.