Më mirë një parti e re konservatore sesa ndryshim i PD-së

29 Prill 2021, 16:52Blog TEMA

Nga Ben Andoni

Shqipëria ka një mungesë trishtuese të parimeve të së Djathtës, përfaqësuar prej partive që mëtojnë se janë brenda kësaj ideologjie, por më shumë se kaq një frustrim në ditët e fundit për t’i mbushur mendjen leadership-it të saj se duhet të dorëhiqet. Procesi do të jetë i vështirë por jo i realizueshëm, pasi pjesa më e madhe e njerëzve të së Djathtës i gjen justifikimin z.Basha për të mos dhënë qëndrimin. Tek e fundit kjo statusquo është e mirë për ta, veçse jo për votuesit e tyre.

Po çfarë duhet të bëj në këtë rast e Djathta shqiptare?! Votat e mbledhura nga aleatët e vegjël nga të ashtuquajturit konservatorët e vegjël jo vetëm nuk e ndryshuan diferencën me PS të Ramës, por as nuk mundën t’i jepnin ndryshimin e premtuar vendit. Zhgënjimi është i madh jo vetëm për ta por edhe fashën ideologjike që ata përfaqësojnë.

Më i hidhur nga të gjithë është vetë diskursi politik i Lulzim Bashës, i cili me qëndrimin e tij duket se do ta vonojë njohjen e zgjedhjeve për të fituar kohën e nevojshme të qetësimit të kundërshtarëve në parti. Kjo e shpjegon fillimin e turit të ecejakeve të ambasadorëve që do të konsumojnë këtë pranverë nga Selia e PS drejt SHQUP-it të PD-së, derisa Basha të futet në sistem, gjoja për hir të forcave madhore jo për të. Dhe, derisa të mbarojë kjo Basha me ligjërimin e tij që shkonte nga përmbysja e sigurt e së dielës, më pas tollovinë e kutive dhe pastaj për paragjykimin e zgjedhjeve të manipuluara, ka kohë të heqë vëmendjen. Sepse Basha e di mirë që ne, shqiptarët, harrojmë shpejt. Po fare shpejt.

Ndërkohë është një masë e madhe, veç njerëzve të zhgënjyer dhe të përzënë me kohë nga PD-ja që nuk mund të durojnë. Por e keqja e tyre është se duan të shfrytëzojnë asetet njerëzore dhe strukturat e PD-së për të shpalosur e shtrirë idetë e tyre. Që në fakt, është e pamundur. Idetë e sfiduesve të PD-ja janë të mira, por një makinë nuk e bën të mirë vetëm dukja por edhe motori dhe agregatet e tjera. Dhe, ngutja duke përdorur në masë të vjetra nuk është se do i ndihë aq shumë. Për më shumë pronësia e kësaj partie nuk është e njerëzve, por e pak njerëzve, që e duan Bashën të jetë aty. Me buzëqeshjen dhe pamundësinë e tij.

Problem është se pse njerëzit e reformës së PD-së nuk e fillojnë prej konservatorizmit. Pasi logjika e tillë e ndan shumë vetë këtë formacion prej paqëndrueshmërisë dhe mungesës së besimit, që ka ngritur.

Sipas Michael Oakeshott, njërit prej ideologëve të Konservatorëve: “Të jesh konservator … do të thotë të preferosh të njohurën në vend të së panjohurës, të preferosh të provuarin e jo të paprovuarin, faktin nga misteri, aktualitetin për të mundshmen, të kufizuarin në vend të së pakufizuarin, të afërtin në vend të së largëtit , e mjaftueshmen për deri të tepërtën, e përshtatshmen drejt perfektes, gëzimin e tanishëm në vend të lumturisë utopike “.

Por, në fakt, Partia Demokratike nuk kthehet dot më sepse është larguar krejtësisht nga gjërat e prekshme (ato po ia merr PS-ja)  e jo pak herë sloganet e saj janë jo pak të Majta. Ndaj, një parti e re, mund të jetë zgjedhja e vërtetë që duhet të kthehet në respektimin e zemrës së parimeve të ideologjisë së konservatorëve, e cila shkon direkt për respektimin e institucioneve të parlamentarizmit, të drejtat e pronës, religjionit dhe kthimit të vërtetë të vlerat e traditës. Dhe, me kauzën e pronës, bash atë që PD-ja e çoi në shkatërrim Shqipërinë mund të rinisë një ngritje që të inkurajojë njerëzit e saj më të mirë. Harxhimi i energjisë për një ringritje të një partie të tillë është e kotë. Berisha, njeriu që vendos ende, e tregoi këtë. PD-ja e tij është e pandryshueshme dhe mban bash fytyrën e Bashës. Ndaj duhet një parti e re konservatore, e qepur me parimet e filozofisë sociale dhe politike të saj. E kërkon koha.

4 komente në “Më mirë një parti e re konservatore sesa ndryshim i PD-së”

  1. Jane shume te thella keto pune se qe ne fillim partia ishte e Sales. Te tjeret ishin per dekor says:

    Kjo qe thua ti eshte me se e verteeeetëë.
    Gjithesesi, nuk di se ça quan ti, te djathte dhe te majte, se 45 vjet regjim enverist, i futi ne nje poçe muti te gjithe. Edhe shumica e atyre qe e quanin veten te djathte, nga belaja, beheshin spiune te shokeve neper burgje. Me mire kjo kategori ta quajne veten konservatore, reformatore, po kesaj fjales E DJATHTE, i ka dale boja.
    Pastaj, merr ti, simbolin e dy gishtave lart. i cili u perdor gjate Luftes se Dyte kunder fashisteve dhe kolaboracionisteve, qe sot pinjollet e tyre e perdorin aq shume.

  2. Kruja says:

    Ben, Konkluzion i sakte! POR shume i vonuar. PD ka deshtuar qe kur u ‘themelua’. Duhet filluar qe ketu. Iluzioni se Liria dhe Demokracia erdhi nga PD-ja eshte asgjesues si koncept dhe e ka origjinen ne trukun e se majtes ekstreme te perfaqesuar nga Sali Berisha.

    Humbjet e PD-se qe prej 2013-tes kane si shakak jo Saliun, as Lulin por ngritjen e nje vale mbarepopullore me baze te majte, nje Batice si Reagim i humbjes perfundimtare te ‘moralit’ te PDse si force e ‘djathte’. Kjo parti degradoi qe ne momentin qe u themelua, me vjen keq por kjo duhet analizuar me objektivizem ashtu sikurse e perkufizon te djathten ai teoricieni qe citon ne artikull.

    Pra konkluzioni juaj eshte i sakte, duhet nje parti e re konservatore e cila eshte shume e vonuar, duhej krijuar qe ne 1991-shin. Por nuk eshte vone, 30 vjet nuk jane shume per nje demokraci.

    PARTIA E RE KONSERVATORE (me kusht qe te formohet mbi baza te djathta) vjen ne pushtet pas 4 vjetesh, kur e Majta te perfundoje misionin e saj. SOT ESHTE MISIONI I SE MAJTES. E ndihmoi edhe Zoti. Pandemite nxjerrin ne dukje krizat e kapitalizmit dhe tregojne se ka dica me te shenjte se PRONA dhe kjo eshte JETA, SHENDETI. Nuk zgjatem, mos i bini me qafe Lulit se ai eshte produkt i nje makinerie te degraduar qe ne momentin qe eshte krijuar. Kerkon ANALIZE objektive ky fenomeni i PD-se sepse nje parti e lirise nuk mund te pronesohet kurre sic ka qene gjithmone PD-ja. Prandaj fatkeqesisht anetaret e saj nuk e kane kuptuar asnjehere. Anetaresia e PDse nuk ka bindje ideologjike te djathta sepse historikisht ne Shqiperi bazat e se majtes kane qene me te perhapura. Por sot besoj se ka ardhur koha per PARTINE E PARE KONSERVATORE.

    1. !!!!!!!!! says:

      Vertet nje analize me kuptim. Cila eshte baza idelogjile e PD? Nuk mund te pretendosh per nje platforme konservatore te ngjashem me partite e djathta europiane. Me shume, per mendimin tim, (megjithese e njoh pak realitetin shqiptar) eshte nje MENTALITET PRIMITIV, pa ideologji. Nje shembull i suksesit te konservatorizmit modern aktual? Mjafton te studiosh politikat e partise Konservatore ne Angli me Boris Johnson.

  3. Vjola says:

    Nuk ka se ç’te ndryshojë PD .Ata jane aq keq të infektuar nga i madhi tek i vogli . Vetëm dhunën kanë prioritet , me një fjalë vetëm me sherrin flasin . I bëjnë vetë zullumet dhe ja u lene te tjereve ne der .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje