Ish kreu i Komisionit të Posaçëm të reformës në drejtësi Fatmir Xhafaj ka përcjellë një mesazh falënderimi për qytetarët e qarkut të Tiranës që e kanë votëbesuar për të thyer herësin dhe për t’u bërë pjesë e parlamentit në katër vitet e ardhshme.
I renditur i pari në listën e Tiranës si kandidati më i votëbesuar ndër të gjithë përfaqësuesit e forcave politike, Xhafaj shpreh mirënjohje duke treguar edhe disa nga detajet e para të fushatës së tij elektorale.
“Shifrat tashmë publike konfirmojnë se e kam kaluar pragun minimal për të qenë deputet në legjislaturën e ardhshme të Kuvendit të Shqipërisë.
Së bashku me ekipin e fushatës jemi duke monitoruar përfundimin e procesit të numërimit për të respektuar çdo votë në kutitë e votimit.
MIRËNJOHJE! Kjo është fjala ime e parë në këto momente. Socialistëve që më dhanë kurajo dhe forcë ta çoj deri në fund këtë betejë! Të gjithë votuesve të qarkut që më vlerësuan për çfarë kam bërë në politikë, për çfarë unë jam dhe për çfarë ata besojnë se mund të vazhdoj të bëj.
Ekipit të jashtëzakonshëm që punoi intensivisht me mua gjatë këtyre muajve me shpresën e madhe se do ja dilnim. Dhe ja dolëm të bënim një fushatë tejet modeste në shpenzime, por të pasur në besim, në kurajo dhe në energji.
Familjes sime të mrekullueshme që ishte pjesë e kësaj beteje dhe miqve tanë të shumtë që si përherë ndër vite u gjendën pranë nesh dhe na mbështetën me zemër në rrugëtimin tonë.
Në pamundësi për t’ju takuar dhe përshëndetur të gjithëve në këto momente dhe me dëshirën për tu parë e përqafuar së shpejti ju them: Faleminderit! Mirënjohje pafund!”, shkruan Fatmir Xhafaj në Twitter.
Z.Xhafa asset në politikën shqiptare .E meritoni sepse jeni “senatori”I reformës në drejtësinë shqiptare!