Skandali me vaksinimin, reagon kreu i PDK: Pamjet tregojnë mjerimin politik të qeverisë “Kurti”, pa plan e pa përgjegjësi

14 Maj 2021, 14:19Rajoni TEMA

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, ka kritikuar qeverinë “Kurti” për dështimin e organizimit të procesit të dhënies së vaksinave anti-COVID.

Në një konferencë për media Hoxhaj ka thënë se sot secili qytetar i Kosovës është i shqetësuar, i dëshpëruar dhe i zemëruar me pamjet e shëmtuara të mënyrës se si janë trajtuar prindërit e gjyshërit tanë në sallën “1 Tetori”, ku po zhvillohet procesi i vaksinimit.

Sipas Hoxhajt, pamjet e sotme tregojnë më së miri mjerimin politik të qeverisë Kurti – një qeveri pa plan, pa prioritete dhe pa përgjegjësi dhe janë pasqyrim i sjelljes arbitrare të një kryeministri autoritar, i cili do të duhej ta prezantonte programin qeverisës para disa javësh.

“Por edhe programi që është prezantuar nuk ka asnjë zotim konkret, asnjë afat të zbatimit, as një masë të matshme si do t’i ndryshojë gjërat, por ka një gjuhë përshkruese sikurse të ishte një punim i thjeshtë seminari. Ai nuk pasqyron fare premtimet e LVV-së me të cilat i fitoi zgjedhjet, por as nevojat e sotshme të qytetarëve dhe shtetit të Kosovës. Kur lexohet ky program 4-vjeçar i qeverisë ‘Kurti’, përshtypjen e parë që e fiton secili është se vendi nuk përballet me pandemi. Sepse vendi ka tri probleme të mëdha sot për shkak të pandemisë, sikurse vaksinimin e popullatës, pasojat e ekonomisë në pandemi dhe menaxhimin e arsimit – me të cilat programi qeverisës nuk merret fare”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka theksuar se përfundimisht kjo qeveri e ky kryeministër po dezerton nga puna dhe përgjegjësitë e tij ende pa filluar.

“Pas 50 ditësh të kësaj qeverie dhe programit të prezantuar, të gjitha gradualisht po binden se kryeministri Kurti nuk di dhe nuk mundet të qeverisë. Ky do të jetë një mandat i humbur, me zhgënjime të mëdha dhe krejt e drejt në dështim”, ka thënë ai.

1 komente në “Skandali me vaksinimin, reagon kreu i PDK: Pamjet tregojnë mjerimin politik të qeverisë “Kurti”, pa plan e pa përgjegjësi”

  1. nord.al says:

    Ejani e shihni vaksinimin e Shqiperi. Qetesisht, pa grumbullime njerezish, vertete me kulture. Kjo eshte merite e qeverise, i pelqen apo nuk i pelqen dikujt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje