Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që t’i besojë Edi Rejas dhe grupit të bashkëpunëtorëve të tij një projekt afatgjatë në thuajse çdo departament të saj, përtej ekipit kombëtar. Ndaj për këtë arsye, kontrata e teknikut të përfaqësueses shqiptare u vendos që të rinovohej deri në fund të Euro 2024, që është objektivi kryesor i projektit të tij.
Por në një intervistë të dhënë për “Il Mattino”, trajneri i përfaqësueses kuqezi ka shpjeguar se ekzistonte një mirëkuptim me FSHF-në sa i përkiste kësaj kontratë dhe vazhdimësisë së saj, duke lënë të kuptohej se ajo mund edhe të ndërpritej.
“Kontratë deri në Euro 2024? Jemi ngjitur një kategori më lart në Ligën e Kombeve dhe të gjithë janë shumë të lumtur. Por unë u kam thënë të ritakohemi çdo gjashtë muaj dhe ta diskutojmë. Edhe për faktin se në moshën time, tani çdo vit peshon si 10 vite”, tha tekniku 75-vjeçar i kuqezinjve.
Ai foli edhe për Hysajn, si dhe idenë e vazhdimësisë në këtë grup në eliminatoret e Botërorit. “Hysaj garanci në të majtë? Jo vetëm, majtas apo djathtas, por edhe në mbrojtjen me 5 të Shqipërisë time është një nga ata lojtarët thelbësorë. Nuk di të them nëse qëndron te Napoli, shpresoj në fund që po. Ne jemi një kombëtare që kemi rënë në një grup të fortë për kualifikimin në Katar, përtej Anglisë janë edhe Polonia e Zielinskit dhe Hungaria e mikut tim Rosi”, shpjegoi Reja.