ANALIZA: Turqia nuk do të rikthehet të jetë një aleate e bindur e Perëndimit

25 Maj 2021, 10:43Bota TEMA

Nga Asli Aydintasbas, Foreign Affairs

Eseja e vitit 1993 e Samuel Huntington me titull “Përplasja e Qytetërimeve” në Foreign Affairs, është cituar pa fund gjatë 3 dekadave të fundit. Pavarësisht tezës së tij të diskutueshme se identiteti kulturor, ishte ai që diktonte politikën e pas Luftës së Ftohtë, Huntington kishte njëfarë të drejte në lidhje me Turqinë.

Huntington parashikoi që në fundin e shekullit XX-të, prirjet pro-perëndimore të elitës laike të Turqisë do të ndryshoheshin nga elementët nacionalistë dhe islamikë. Ai ishte i saktë. Gjatë viteve të fundit, marrëdhëniet e Turqisë me Shtetet e Bashkuara dhe Evropën kanë qenë më së paku të trazuara.

Ish-presidenti amerikan Donald Trump dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, krijuan

një raport të afërt personal, duke i personalizuar marrëdhëniet dypalëshe në dëm të pothuajse të gjitha çështjeve politike. Sot Turqia nuk i beson Shteteve të Bashkuara për shkak të mbështetjes së forcave kurde në Siri dhe për strehimin e klerikut Fethullah Gulen, të cilin Ankaraja e ka identifikuar si organizatorin e një grushti shteti të dështuar në vitin 2016. Më të mira nuk ka qenë as marrëdhëniet e Turqisë me Evropën. Udhëheqësit evropianë janë lodhur nga anti-liberalizmi dhe padurimi në rritje i Turqisë për të treguar muskujt e saj ushtarakë në Mesdheun Lindor.

Ndërkohë, Ankaraja e ka kthyer kokën tek partnerët e saj të rinj. Qeveria ka blerë armatime ruse – përkundër dëshirave të aleatëve të saj në NATO – dhe ka bashkëpunuar me Moskën në projekte të mëdha të infrastrukturës, përfshirë ndërtimin e gazsjellësve dhe të reaktorit të parë bërthamor të Turqisë.

Ndërkohë, Turqia dhe Rusia kanë krijuar së bashku sfera të ndikimit në Libi dhe Siri. Dhe kohët e fundit, Turqia është afruar shumë me Kinës, duke mirëpritur investimet masive kineze, duke blerë vaksinën anti-Covid të prodhuar nga kompania kineze Sinovac, dhe duke refuzuar të kritikojë trajtimin e ujgurëve myslimanë nga Pekini.

Dhe kjo nuk është një qasje e përkohshme, por një ndryshim më i thellë në orientimin e politikës së jashtme turke. Në gati 2 dekada të qeverisjes së Erdogan, Turqia është bërë më pak e interesuar sesa dikur për të qenë pjesë e klubit transatlantik, apo për të ndjekur procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Në vend të kësaj, qeveria turke ka qenë më e etur ta ri-pozicionojë vendin si një hegjemon rajonal. Ndërsa Perëndimi është i kapluar ende nga nostalgjia rreth rolit historik të Ankarasë në aleancën transatlantike, udhëheqësit turq, shumë dyshues ndaj partnerëve të NATO-s, janë duke folur për një autonomi strategjike. Dikur modeli i një republike myslimane laike, një shembull i shndritshëm i fuqisë transformuese të rendit liberal, Turqia po vë sot në dyshim vlerën e lojës sipas rregullave perëndimore.

Më shumë se gjithçka, ajo dëshiron që të jetë një fuqi e pavarur. Politika e saj e re e jashtme, kuptohet më së miri jo si një lëvizje drejt Rusisë apo Kinës, por si shprehje e dëshirës për të mbajtur njërën këmbë në secilin kamp, dhe për të menaxhuar rivalitetin midis fuqive të mëdha.

Regjimi i Erdogan e krijoi këtë ndryshim, dhe një mjedis ndërkombëtar e mundësoi këtë gjë. Dhe tashmë asnjë qeveri e re në Ankara dhe as një aleancë e ringjallur perëndimore nuk mund t`i kthejë mbrapsht gjërat. Një rrjet politikanësh, burokratësh, gazetarësh dhe studiuesish që janë haptazi skeptikë për përafrimin me Perëndimin, po dominojnë kulturën e sigurisë së vendit.

Një politikë e jashtme e pavarur turke,do të ekzistojë edhe për shumë vite të tjera. Ideja që Turqia është unike në mesin e fqinjëve të saj, dhe e destinuar të rimarrë një rol drejtues në rajon, i ka rrënjët tek konceptimi i vendit si trashëgimtarja e Perandorisë Osmane.

Tradita laike që krijoi në vitet 1920 themeluesi i Turqisë, Kemal Ataturk, mbështetej tek  portretizimi i osmanëve si të prapambetur, joefikasë dhe të paaftë për të ndjekur shembullin e “civilizimeve bashkëkohore”. Ndërkohë,Turqia e Erdogan ka adoptuar një ton shumë të ndryshëm.

Fjalimet e sotme politike dhe serialet televizive, nuk i denigrojnë udhëheqësit osmanë si pushtues të sofistikuar, por i adhurojnë ata si pionierë të një rendi të ri civilizues, si të drejtë në qeverisje dhe më të dhembshur ndaj nënshtetasve të tyre sesa bashkëkohësit e tyre perëndimorë.

Historianët revizionistë të Turqisë e përshkruajnë epokën osmane si një epokë të artë të qetësisë dhe drejtësisë, të trazuar vetëm nga ndërhyrjet e Perëndimit “imperialist”.Sot Turqia po vë në dyshim vlerën e lojës sipas rregullave perëndimore. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) në qeveri, po i bën gjithnjë e më shumë jehonë trashëgimisë osmane në justifikimin e politikës së saj të jashtme.

Mediat pro-qeveritare gëzohen pa masë për zgjerimin e pranisë ushtarake të Turqisë në ish-territoret e kontrolluara dikur nga Perandoria Osmane si Iraku, Libia, Siria dhe Kaukazi, duke e cilësuar këtë moment si rilindjen e një gjiganti që deri tani flinte. Nga ana tjetër, Erdogan cilësohet prej tyre si “udhëheqësi i shekullit”, një version i sotëm i sulltanit të shekullit XIX, Abdulhamid II, të cilin Erdogan e adhuron, pasi i rezistoi thirrjeve për reforma kushtetuese, mbajti një linjë kundër Perëndimit dhe e parandaloi rënien e perandorisë.

Duke vijuar këtë krahasim, mediat turke e duartrokasin Erdoganin për lojën e fortë me fuqitë e mëdha – duke brohoritur në negociatat e tij me Trump, kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin rus Vladimir Putin – dhe për mbajtjen e një qëndrimi pozitiv në Lindjen e Mesme dhe Mesdheun lindor.

Fuqia ushtarake e Ankarasë dhe tërheqja e Uashingtonit nga Lindja e Mesme, ia kanë lehtësuar jo pak rrugën lojës së Turqisë në konfliktet rajonale. Industria turke e mbrojtjes që është ende në zhvillim e sipër, ka furnizuar me armë trupat turke në Irak, Libi dhe Siri. Dronët turq e ndihmuan Azerbajxhanin të siguronte fitoren vendimtare në fushën e betejës kundër Armenisë në Nagorno Karabak vjeshtën e vitit të kaluar.

Turqia i zgjeroi operacionet e saj detare në Mesdheun lindor dhe ndërtoi baza në Katar dhe Somali, pa u shqetësuar shumë për kundërshtimin e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë ai duhej të kishte më shumë kujdes nga Rusia. Ndaj presidenti turk krijoi një marrëdhënie të ngushtë me Putinin, dhe veproi me koordinimin dhe pëlqimin e Moskës në çdo vendosje jashtë vendit.

Në projeksionin e fuqisë jashtë vendit, Erdogan e ka luajtur deri tani mirë lojën e tij. E habitshme është se ka arritur ta bëjë këtë nga një pozicion delikat në shtëpi. Turqia po përballet me një krizë të rëndë ekonomike me një inflacion dyshifror, një rënie të madhe të vlerës së lirës dhe me një papunësi të lartë.

Këto kanë sjellë largim të kapitalit dhe varfërim për turqit e zakonshëm. Për herë të parë në dekada, ekonomistët kanë frikë nga një krizë e bilancit të pagesave. Kjo gjendje po e dëmton shumë bazën elektorale të Erdogan. Në një sondazh të kryer në muajin prill, më pak se 30 për qind e të anketuarve thanë se do ta mbështesnin AKP nëse zgjedhjet do të mbaheshin atë javë, shumë më pak se sa 49 për qind e atyre që votuan në zgjedhjet e vitit 2015.

Ashtu si qytetarët e shumë kombeve të tjera, turqit besojnë në jashtëzakonshmërinë e vendit të tyre. Sondazhet tregojnë një mbështetje popullore për rikthimin e Turqisë tek një rol madhor në skenën botërore, dhe shumica e votuesve pajtohen me dyshimet e Erdogan për Perëndimin, veçanërisht Shtetet e Bashkuara.

Por përveç nacionalistëve më fanatikë, kjo nuk mjafton. Shumica e votuesve janë pragmatikë: ata nuk dëshirojnë që Turqia të largohet nga aleatët e saj perëndimorë, nëse ky izolim dëmton mirëqenien e tyre ekonomike dhe cilësinë e jetës. Mbështetja për anëtarësimin në BE është ende rreth 60 për qind, jo sepse turqit ndihen evropianë, por sepse shumë e kuptojnë integrimin me Evropën si një ekonomi më të fortë dhe një qeverisje më të mirë.

Shumica e analistëve perëndimorë, supozojnë se Erdogan do të mbetet në pushtet për një kohë të pacaktuar, se për Turqinë nuk është më i mundur një tranzicion demokratik. Por shumica e turqve nuk mendojnë kështu. Kufizimet e lirisë së fjalës, burgosja e shumë politikanëve kurdë, dhe format e tjera të shtypjes së qeverisë, i bëjnë zgjedhjet politike më pak të drejta, por ato nuk i garantojnë Erdogan dhe AKP një fitore në zgjedhjet e ardhshme të planifikuara për vitin 2023.

Gjithsesi, në planin afatgjatë politika e jashtme e pavarur e Turqisë do të vazhdojë të jetë e tillë,me ose pa presidentin aktual. Ankaraja ka të ngjarë të vazhdojë të pohojë sovranitetin e saj në Mesdheun lindor, t’i kushtojë burimet e saj zhvillimit të mbrojtjes dhe të zgjerojë shtrirjen e saj në çështjet rajonale. Turqia pretendon se ka rolin e trashëgimtarit të një perandorie, dhe ajo do të ndjekë rrugën e saj të veçantë. /Përktheu: Alket Goce-abc

Shënim: Asli Aydintasbas,është bashkëpunëtore në Këshillin Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë. Më herët ka qenë kolumniste në gazetat turke“Cumhuriyet”  dhe “Milliyet”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje