Strategjia e Bashkimit Evropian kundër administratës së presidentit të Bjellorusisë Alexander Lukashenko nuk ka funksionuar, thotë liderja e opozitës, Sviatlana Tsikhanouskaya
Të mërkurën, Sviatlana Tsikhanouskaya, nëpërmjet një videoje në Komitetin e Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian, tha se qasja e bllokut deri më tani ka dështuar dhe u bëri thirrje eurodeputetëve për të rritur presionin mbi Minsk-un.
“Qasja e BE për rritjen e presionit gradualisht kundër regjimit të Lukashenkos nuk ka arritur të ndryshojë sjelljen e saj”, tha ajo.
“Tani, unë i bëj thirrje Parlamentit Evropian të sigurohet që reagimi i bashkësisë ndërkombëtare të mos jetë i kufizuar në incidentin e fluturimit Ryanair.
Përgjigja duhet të adresojë situatën në Bjellorusi në tërësinë e saj ose të gjithë do të përballemi me situata të tilla në të ardhmen, ndërsa Lukashenko po e kthen vendin tim në Korenë e Veriut të Evropës”, shtoi ajo.
Po kështu, Tsikhanouskaya theksoi se ajo beson se Rusia është pjesë e problemit kur bëhet fjalë për Bjellorusinë dhe se blloku duhet të bëjë të qartë se çdo marrëveshje financiare me regjimin e Lukashenkos nuk mund të lejohet që të ndodhë.
Kjo vjen pasi Bjellorusia u kthye përsëri në qendër të vëmendjes, kur një fluturim i Ryanair u devijua për në kryeqytetin bjellorus gjatë fundjavës.
Autoritetet pretenduan se ishte për shkak të një alarmi sigurie, por të tjerët besojnë se ishte një mashtrim dhe qëllimi ishte për të arrestuar gazetarin Roman Protasevich.